18 March 2018 / 15:34
Asnjë detaj nga ndryshimet eventuale në Kodin Zgjedhor, të paralajmëruara ditë më parë nga LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja… Nga partia e Mickoskit thonë se vazhdon akoma procesi i koordinimit dhe detajet do të mësohen pas marrëveshjes eventuale. Nga LSDM-ja heshtin.
Kodi Zgjedhor është pjesë e bisedimeve. Atë që ka thënë kryetari Mickoski, ai është qëndrimi i partisë dhe mbetet i pandryshuar. Për të gjitha hapat e ardhshëm dhe se si do të zhvillohen gjërat, do të njoftoheni me kohë – deklaroi Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.
Gjatë takimit të fundit dy javë më parë, dy liderët Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski deklaruan se kanë arritur marrëveshje për ndryshime në Kodin Zgjedhor sa i takon përbërjes së KSHZ-së. Nga ajo që thanë shkurt Zaev dhe Mickoski, deri në shtator, në KSHZ do të emërohen anëtarë partiak sipas sistemit të vjetër, me kryetar nga opozita dhe gjashtë anëtarë të tjerë. Pas shtatorit pritet një sistem I ri I emërimit të anëtarëve të këtij turpi, gjashtë muaj para çdo cikli zgjedhor. Ndryshimet e fundit në KSHZ u bënë gjatë Marrëveshjes së Përzhinës, ku në diskutim ishte edhe ndryshimi eventual i sistemit zgjedhor në vend, kalimi në vetëm një njësi zgjedhore dhe votimi për zgjedhje parlamentare me lista të hapura. Megjithatë pas Përzhinës, këto tema nuk janë hapur më. Ekspertët vlerësojnë se edhe nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor, ka hapësirë për profesionalizimin e KSHZ-së dhe organizimit të zgjedhjeve të drejta.
Primare për Maqedoninë që të futet në binaret e një shteti juridik dhe demokratik, është shmangia e presionit politik, dhunimit të institucioneve në kuptimin politik, të kemi një depolitizim të vërtetë të institucioneve, në rastin konkret të KSHZ-së. se cila formulë e përbërjes së KSHZ-së do të ishte më e mirë, është çështje sekondare. Nuk është gabim që edhe më tej të shkohet me gjashtë njësi zgjedhore por vërejtja e pashmangshme është që të pastrohen listat dhe të bëhet numri i barabartë i votuesve në të gjitha njësitë sepse ne kemi humbur disa mandate si shqiptarë për shkak të disbalancit – vlerëson profesori Mersim Maksuti.
Gjatë Përzhinës, u arrit marrëveshje për përfshirjen e tre anëtarëve të pavarur në KSHZ, përveç të deleguarve partiakë dhe të niset procesi i pastrimit të listës zgjedhore. Aktualisht, KSHZ-ja ka vetëm një anëtar.
Fatlume Dervishi