Neymar: Mbappe tashmë është fenomen!

Neymar: Mbappe tashmë është fenomen!

Sipas Neymarit, Mbappe do të ketë karrierë përrallore. 20-vjeçari ka shkëlqyer këtë edicion me PSG-në. Ai ka shënuar 31 gola në 35 paraqitje, derisa ka dhuruar edhe 15 asiste.

Neymar beson se shoku i skuadrës te Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, tashmë është “fenomen” dhe se do të shkruajë histori duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të mëdhenj në botë, transmeton Gazeta Express.

Mbappe është rritur dukshëm që kur i është bashkuar PSG-së nga Monaco në sezonin 2016/17, duke fituar titullin e Ligës dy herë – së shpejti tre herë dhe Kupën e Botës me Francën, i cili gjithashtu ka shënuar gol në finale.

Ai ka shkëlqyer këtë sezon duke shënuar 31 gola teksa ka dhuruar edhe 15 asiste në 35 paraqitje në të gjitha garat, 26 gola dhe tetë asiste në 23 ndeshje në Ligue 1.

“Për mua, tashmë, Mbappe është fenomen. Ai mund të ketë karrierë të shkëlqyer dhe mund të bëhet edhe më i mirë se që është”, tha Neymar në një intervistë për Goal.

“Nuk kam asnjë dyshim se ai do të bëhet një ndër emrat më të mëdhenj në botën e futbollit. Ai është person i qetë, i lumtur, i qeshur, gjithmonë i gatshëm për të bërë humor. Ai është ende fëmijë dhe i duhet të fitojë më shumë eksperiencë”.

Neymar dhe Mbappe janë duke u kërkuar nga Real Madridi dhe sipas mediave spanjolle, njëri mund të përfundojë në “Santiago Bernabeu”. /Gazeta Express/

TAGS