Në kërkim për shpërdorim detyre, arrestohet në Rinas ish-drejtori i Hidrokarbureve në AKBN

Në kërkim për shpërdorim detyre, arrestohet në Rinas ish-drejtori i Hidrokarbureve në AKBN

Arrestohet ish-drejtori i Hidrokarbureve pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Klodian Gradeci. ‘BalkanWeb’ mëson se Gradeci u arrestua në aeroportin e Rinasit, teksa kthehej nga Turqia.



Bëhet e ditur se ish-drejtori ishte shpallur në kërkim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

45-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Akciza”, të finalizuar më datë 6 tetor të këtij viti.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, thuhet në komunikatën e policisë.

OPERACIONI ‘AKCIZA’

Kujtojmë se në 7 tetor policia doli me një njoftim ku komunikonte 6 masa sigurimi si dhe shpalljen në kërkim dy shtetas, mes tyre ish-drejtori Gradeci.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, pas një pune disa mujore nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg” ndaj 5 shtetasve:

D.D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Q.H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

S.M., 32 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylykbashi“, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

A.D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

N.K., 53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 1 shtetaseje:

R.S(Q), 35 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim shtetasit K.G., 45 vjeç ( i arrestuar sot) dhe I.B., 51 vjeç.