Muriq largohet në janar? Flet drejtori i Lazios

Muriq largohet në janar? Flet drejtori i Lazios

Lazio e mohon lajmin se do ta largojë Vedat Muriqin në janar.

Vedat Muriqi nuk do të largohet nga Lazio në janar –Igli Tare, drejtori sportiv i klubit italian – duke i hedhur poshtë thashethemet për kthimin e kosovarit mbrapsht në Fenerbahçe.

Lazio i ka hedhur poshtë lajmet e mediave turke se do ta kthejë sulmuesin e vet kosovar, Vedat Muriqi, në Turqi në afatin kalimtar të dimrit.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Muriqi iu bashkua Lazios në verën e kaluar nga Fenerbahçe për rreth 18 milionë euro, por ka hasur në vështirësi të përshtatet në skuadrën e Simone Inzaghit që prej atëherë dhe ende është në kërkim të golit të parë.

Kritikat e mediave italiane për formën e dobët të 26-vjeçarit dhe mungesa e golave nga ana e tij, kanë nxitur thashetheme të mëdha për të ardhmen e Muriqit, i cili i ka edhe katër vjet e gjysmë të mbetura në ujdinë me Lazion.

Si pasojë, Gazeta e përditshme turke Hurriyet raportoi ditë më parë se Lazio do ta kthente 26-vjeçarin te ish-klubi i vet në Superligën e Turqisë në huazim deri në përfundim të sezonit.

Por lajmi i të përditshmes turke është hedhur poshtë nga Tare, njeriu i cili punoi për ta sjellë prizrenasin në kryeqyteti italian.

I pyetur nga Express nëse Muriqi do të huazohej te ish-klubi i vet, Tare ishte i shkurtër por i qartë në përgjigjen e tij: “Jo, nuk është e vërtetë”.

Muriqi ka qenë i pafat prej se mbërriti në Stadiumin Olimpik, sepse u detyrua të presë për të debutuar për Lazion, së pari sepse u prek nga pandemia e koronavirusit, e pastaj nga dy lëndime, si pasojë e të cilave ai e zhvilloi ndeshjen e parë vetëm në mes të tetorit.

Që prej atëherë, i ka bërë 10 paraqitje për Lazion, tri si titullar dhe shtatë si zëvendësues, në të gjitha garat dhe është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e kaltër.

Në dy ndeshje me Kosovën gjatë kësaj kohe, megjithatë, Muriqi i shënoi dy gola, në humbjen kundër Sllovenisë 2:1 në Ligën e Kombeve dhe në disfatën kundër Shqipërisë 2:1 në një ndeshje miqësore.

TAGS