Morata: Ronaldon e njoh shumë mirë, Lukakut i kërkoj bluzën pas ndeshjes

Morata: Ronaldon e njoh shumë mirë, Lukakut i kërkoj bluzën pas ndeshjes

Në maj të 2015-ës Alvaro Morata vendoste fatin e ndeshjes Inter-Juventus në “San Siro” dhe më pas festonte me një palë syze të errëta poshtë tribunës, ndërsa të dielën sulmuesi spanjoll e di që nuk mund ta përsëritë të njëjtin festim, pasi këtë herë derbi i Italisë do të luhet pa praninë e tifozëve.

“Festova ashtu, sepse Fernando Llorente mori disa syze që ishin hedhur nga tribuna dhe na i dha t’i vendosim. Më vjen keq që nuk mund ta përsërit më atë festim, pasi në “San Siro” nuk do të ketë tifozë. Janë pjesa më e bukur e futbollit dhe mungesë e madhe, por jemi profesionistë dhe gati të bëjmë më të mirën”, tha Morata.

Pasi pushoi për dy javë, sulmuesi spanjoll është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe pritet titullar ndaj Interit, në krah të yllit të skuadrës së Juventusit, Cristiano Ronaldo, për të cilin flet me superlativa.

“Është shumë e lehtë të luash me kampionë si ai. E njoh shumë mirë dhe shpesh i jap disa topa, ku të tjerët nuk mund të arrijnë, por unë e di që mund ta bëj atë lloj pasimi, pasi ai ia del ta marrë topin. Bëj një lloj lëvizjeje, që i largon kundërshtarët dhe këtë Cristiano e ka shumë qejf”, tregon spanjolli.

Në krahun tjetër, Interi udhëhiqet nga sulmuesi belg Romelu Lukaku, i cili po bën mjaft mirë dhe ka marrë për dore zikaltrit, me destinacion titullin kampion. Morata vlerëson shumë Lukakun dhe zbulon se do t’i kërkojë fanellën në fund të ndeshjes.

“Lukaku është një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë dhe është gati e pamundur ta ndalësh në fushë. Kur të mbarojë ndeshja, dua t’i kërkoj fanellën”, thotë Morata.