Montolivo thyen heshtjen: Milani nuk është për titull

Montolivo thyen heshtjen: Milani nuk është për titull

Riccardo Montolivo në karrierën e tij ka veshur edhe fanelën e Fiorentina-s, por edhe atë të Milanit, ku në të dy rastet ishte kapiten.

Sot ka braktisur futbollin dhe për “Corriere dello Sport” komenton përballjen e të dielës në “San Siro”, teksa ndalet edhe te disa tema të tjera.

“Kam pasur një vit të tmerrshëm profesional. Mund të kisha vazhduar, por nuk kam parë ndonjë projekt që sakrifica të justifikuara nga e gjithë familja”.

Kthimi i Prandellit te stoli vjollcë shihet si një lumturi për ish-mesfushorin i cili ka raport fantastik me ish-trajnerin e Italisë.

“Është emocionuese ta shohësh atë në stolin e tij.

Unë mendoj se ai shpresonte të kthehej në Fiorentina, ai është gjithashtu një tifoz. Personi i duhur në kohën e duhur”.

Duke folur për mundësinë që Milani të fitojë Scudetto, Montolivo shtoi: “Nëse ata e fitojnë do të ishte një surprizë për të gjithë, nuk është një ekip i ndërtuar për të luftuar për këtë objektiv, favorit mbetet Juventus. Unë më tepër mendoj se Milani mund të kthehet në Ligën e Kampionëve”.

Sa i përket eksperiencës së tij kuqezi në fund: “Ishte një lamtumirë e hidhur, edhe sot nuk e kuptoj pse ndodhën gjëra të caktuara.

Unë kurrë nuk kam pasur një shpjegim të arsyeshëm, ende nuk e di pse. Ishim në një urgjencë në mesfushë për mungesë futbollistësh dhe ata aktivizuan Calabria në një rol që nuk ishte i tiji vetëm për të mos më dhënë mundësi!

Herët e tjera unë u thirra vetëm sepse lojtarët e ekipit Primavera u dëmtuan. Kështu shkoi, por unë nuk shoh më prapa, unë shikoj të ardhmen”.

Riccardo Montolivo e njeh Locatelli pasi e ka pasur atë si një shok skuadre në Milano. “Më erdhi keq kur ai u likuidua nga Milani, ne ishim shokë tavoline: unë isha gjithashtu ai që e këshillova atë për përvojën në Sassuolo. Tani po rritet në mënyrë eksponenciale”.

Montolivo ka shpenzuar fjalë lavdërimi për Stefano Pioli dhe beson se do të kishte qenë një gabim i madh të mos konfirmohej në fund të sezonit të kaluar: “Një person me mendje të shëndoshë, ai vendos çdo lojtar në vendin e tij dhe e bën atë të performojë në mënyrën më të mirë.

Kur dukej afër lamtumirës, thashë me vete që klubi nuk duhej të kishte ndryshuar përsëri. Për fat të mirë u konfirmua dhe përfitimet u korrën. Vendi i parë është meritë e këtij vendimi”.

TAGS