Mjekja stomatologe: Distancim fizik deri në 6 metra gjatë furçimit të dhëmbëve

Mjekja stomatologe: Distancim fizik deri në 6 metra gjatë furçimit të dhëmbëve

Voltiza DuroEdlira Baruti: Rëndësia e dezinfektimit në kohën e koronavirusit. “Kujdes, vendosini furçat në mbajtëse individuale”





Në një kohë që larja e duarve, maskat e dorezat përmenden çdo ditë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, përkujdesi për gojën dhe dhëmbët nuk po merr rëndësinë e duhur. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja stomatologe Edlira Baruti, sqaron të gjitha mënyrat e dezinfektimit të furçave të dhëmbëve gjatë periudhës së pandemisë. Ajo këshillon që furçat të vendosen në mbajtëse individuale të dezinfektuara me kujdes më parë.
Baruti më tej thekson se bakteret nga goja hyjnë në ajër ndërsa lani dhëmbët; kështu që duhet të qëndrohet gjashtë metra nga të tjerët ndërsa lahen dhëmbët.
Stomatologët gjithmonë kanë qenë të ekspozuar ndaj infeksioneve të ndryshme. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju si stomatologe?
Studiot dentare janë të parat që prej fillimit të këtij aktiviteti privat në vitin 1994 e në vazhdim, që natyralisht dhe në mënyrë sistematike kanë përdorur mjete mbrojtëse një përdorimshe për çdo pacient maska, doreza, mantelina, përdorim dizifektantësh me spraj efektiv pas çdo pacienti, sete veglash të paketuara dhe të sterilizuara me autoklavë dhe kanë qenë në pararojë të kontrollit të infeksioneve! Mos harrojmë që përpara COVID-19 kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë Hepatit B, Hepatit C, Hiv etj. E vërteta është që jo vetëm në këtë periudhë, por gjithmonë, ne, stomatologët kemi qenë në pararojë të kontrollit të infeksioneve.
Çfarë ndryshon në këtë kohë pandemie ku koronavirusi vazhdon të jetë aktiv edhe në vendin tonë? Sa rëndësi po i jepet kujdesit për gojën dhe dhëmbët në këtë periudhë?
Siç dihet, goja dhe hunda janë portat e hyrjes për koronavirusin. Flitet për rritje të higjienës, të larjes së duarve dhe të mbajtjes së maskës ndërkohë që nuk flitet për kujdesin në përdorimin e furçave të dhëmbëve!
A është i nevojshëm dezinfektimi i furçave të dhëmbëve dhe sa herë në javë këshillohet të kryhet?
Më poshtë po radhis disa rregulla praktike për higjienën e dhëmbëve që kanë rëndësi për momentin që po jetojmë. Së pari, lani duart para se të lani dhëmbët. Ne e dimë që virusi transmetohet me anë të duarve që prekin fytyrën ose gojën. Dezinfektoni çdo javë furçën e dhëmbëve Dizifektimin e kokës së furçës mund ta realizoni në një përzierje të një pjese zbardhues (Hipoklorid apo Ace) shtëpiak në nëntë pjesë ujë ose duke përdorur alkool 70%. Vloni furçën e dhëmbëve për 5 minuta në ujë të valuar 100 gradë! Shpëlani furçën e dhëmbëve në ujë të nxehtë pas çdo përdorimi! Vendosni furçat e dhëmbëve në një enë të hapur pas larjes pa përdorur mbrojtëset e kokave të tyre. Mos e vendosni furçën në sirtar ose në vendet e errëta dhe të mbyllura! Shmangni përdorimin e kontejnerëve të udhëtimit ose mbajtësve të tjerë të vegjël që mbyllen.
Ku mund t’i mbajmë furçat për të qenë më të mbrojtur nga çdo rrezik i mundshëm?
Mos lejoni që kokat e dhëmbëve të prekin nëse ndani një mbajtës furçash; më mirë akoma, ruajini furçat vetëm në mbajtëset individuale. Dezinfektoni kontejnerët që mbajnë furça dhe ruani furçën e dhëmbëve larg tualetit. Mos e vendosni furçën poshtë banakut ose në sipërfaqe, të cilat janë të vështira për t’u dizifektuar mirë. Gjithashtu, dëshiroj të këshilloj për të gjithë: Mos përdorni të njëjtën pastë dhëmbësh ose kuti të fillit dentar! Ne e dimë që mund të bartim virusin pesë ditë para shfaqjes së simptomave. Kështu që ndarja e pastës ose trajtimi i të njëjtës fije mund të transmetojë sëmundjen edhe kur pala tjetër nuk është e sëmurë.
Çfarë këshilloni për ata që përdorin furça elektrike?
Bëni kujdes në përdorimin e furçave elektrike ose waterPik duke dezifektuar dorezat respektive me dezinfektues. Zëvendësoni furçën e dhëmbëve pas shërimit të infeksioneve virale ose bakteriale.
Sa larg duhet të qëndrojmë nga personat e tjerë ndërkohë që lajmë dhëmbët?
Praktikoni distancimin social gjatë furçimit të dhëmbëve. Bakteret nga goja juaj hyjnë në ajër ndërsa lani dhëmbët. Qëndroni gjashtë metra nga të tjerët ndërsa furçoni dhëmbët. Më e rëndësishmja: Lani duart tuaja dhe duart e fëmijës suaj para se të furçoni dhëmbët. Gjithashtu, mbajeni furçën e dhëmbëve të pastër.

TAGS