Mbyllet Forumi Ballkanik Kundër Antisemitizmit, Taulant Balla: S’ka vend për racizëm më 2020, të kufizojmë të gjitha format e urrejtjes!

Mbyllet Forumi Ballkanik Kundër Antisemitizmit, Taulant Balla: S’ka vend për racizëm më 2020, të kufizojmë të gjitha format e urrejtjes!

Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, në fjalën e mbajtur në Forumin Ballkanik Kundër Antisemitizmit, deklaroi se nuk ka vend për racizëm e diskriminim në vitin 2020.



Balla theksoi se duhet që të kufizohen të gjitha format e urrejtjes, kurse shtoi se eventi i sotëm ishte historik. Ai përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në forum.

“Ky ishte një bashkëpunim i frytshëm dhe besoj se do të vazhdojë dhe më tej. Nuk ka vend për antisemitizëm në vitin 2020. Isha iniciator i Rezolutës, për të kufizuar të gjitha format e urrejtjes. Ky forum ka arritur qëllimin e vet, për të kuptuar të kaluarën dhe për të pasur të ardhme më të mirë”, tha Balla.

Fjala e plote

Shkëlqesi, të nderuar pjesëmarrës,
Në përfundim të këtij Aktiviteti të Rëndësishëm Historik, do të përpiqem të flas shumë shkurt!
Do të ndalem në tre pika.

Së pari, dua të falenderoj personalitetet e nderuara që ishin pjesë e këtij Forumi,
• Kryetarët e Parlamenteve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Izraelit
• Sh.T. David Sassoli, President i Parlamentit Evropian

  • Sh.T. Kryeministrin Edi Rama
    • Sh.T. Michael R. Pompeo, Sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
    • Të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për të Monitoruar dhe Luftuar Anti-Semitizmin, Elan S. Carr

Së dyti, dua të falenderoj z. Singer, Kryetar i Qendrës për Ndikim Hebraik dhe Luftën kundër Anti-Semitizmit, për këtë bashkëpunim të frytshëm dhe shpresoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe në të ardhmen për të sjellë në vëmendje të publikut se në shoqëritë demokratike të 2020-s nuk ka vend për anti-semitizmin.
Siç ka thënë Martin Luther King, ‘dhuna vetëm ushqen më shumë dhunë, duke i shtuar errësirën një nate pa yje”.
Kjo do të thotë se dhuna ndaj hebrenjve mund të çojë drejt akteve të tjera të dhunës ndaj pakicave etnike, apo dhunës racore, etj.
Kjo është arsyeja pse, si deputet,
Isha nismëtar i një rezolute për dezinformim dhe mbështes fort ndryshimet e fundit të ligjit për median, për të kufizuar shprehjen e të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes.
Sepse jam i bindur se gjuha e urrejtjes nuk mund të mbrohet nga parimi i “fjalës së lirë”.

Pika ime e tretë dhe e fundit ka të bëjë me të ardhmen. Nëse mund ta kuptojmë të tashmen dhe përpiqemi të formojmë një të ardhme më të mirë, është thelbësore të kuptojmë mirë të shkuarën.

Për këtë arsye, jam i bindur se ky Forum e ka arritur qëllimin e tij duke u përpjekur të kuptojmë të shkuarën në mënyrë që të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm.
Dhe një herë faleminderit të gjithë pjesëmarrësve në këtë aktivitet, qindra e qindra pjesëmarrësve nga Shqipëria dhe e gjithë bota.