18 Dhjetor 2018 / 14:52
50.000 maskat e posaçme për mbrojtje nga ajri i ndotur për të sëmurët kronikë, të cilat i paralajmëroi ministria e Shëndetësisë nuk do të mbërrijnë në duart e tyre në dy muajt e ardhshëm. Ministri Filipçe tha se procedura e tenderimit për furnizimin e këtyre maskave mbrojtëse është në rrjedhë, ndërkaq njoftoi se furnizimi i pacientëve me to, pritet të bëhet pas muajit Janar. I pyetur se përse procedura për furnizim nuk ka filluar më herët me qëllim që qytetarët të mund t’i përdorin ato gjatë periudhës kur ndotja është më e theksuar, Filipçe u arsyetua duke thënë se zbatimi i procedurës kërkon kohë.
Mendoj se duhet të punohet në më shumë nivele, ne veçmë filluam të punojmë. Kjo do të merr kohë por është diçka që nuk është bërë me vite të tëra dhe në kuadër të mundësive të tanishme dhe në kuadër të kompetencave tona do të ndërmarrim masa. Mendoj se ashtu siç ecën me këtë dinamikë pas muajit të ardhshëm besoj të përfundojë procedura”- pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Numri i maskave të posaçme kundër ndotjes është përcaktuar përmes sistemit “Moj Termin” ndërkaq furnizimi i tyre do të shkojë përmes donacioneve. Nga ana tjetër si masë kundër ndotjes së ajrit Ministria e Shëndetësisë po përgatit gazifikimin e institucioneve Shëndetësore.
I vendosëm prioritet ngrohjes me gaz, e para nga institucionet shëndetësore që do të lidhet me gaz do të jetë Spitali i Kumanovës dhe veçmë kemi filluar me përgatitjen e projektit, përkatësisht revidimin e tij sepse edhe komuna është më afër për ta sjellë gazin në Spital, dhe besoj se ajo do të jetë Spitali i parë për vitin 2019 që do të transformojë mënyrën e ngrohjes”- tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Për shkak të ndotje enorme të ajrit, ditë më parë Qeveria obligoi ministritë përfshi këtu edhe ministrinë e Shëndetësisë si dhe organet e tjera të pavarura dhe shtetërore që gjatë këtij muaji dhe dy muajve të ardhshëm të realizojnë së paku nga një aksion ekologjik si masë kundër ndotjes.
Vjollca Aliti
Loading…