Maroku ka shokuar Brazilin dhe e ka mposhtur në ndeshjen miqësore të zhvilluar të shtunën. Skuadra afrikane njëherësh e regjistroi edhe fitoren e parë ndonjëherë ndaj pesë herë fituesit të Kupës së Botës. Mesfushori Sofiane Boufal, ish-ylli i Southamptonit që tani luan në Katar me Al Rayyanin, i dha epërsinë marokenëve në pas 29 minutash lojë, kur gjuajti fuqishëm pas pasimit që mori nga Bilal El Khannous. Kapiteni i brazilianëve Casemiro i barazoi shifrat në minutën e 67-të, kur e dërgoi topin prapa shpinës së portierit Yassine Bounou. Por ishte mesfushori i Sampdorias, Abdelhamid Sabiri, e shënoi golin e fitores në minutën e 79-të me vollej-gjuajtje.
Me golin e Sabirit, Maroku shënoi fitore dhe tregoi se nuk ishte rastësi kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Botës, si skuadra e parë arabe dhe afrikane. Vetëm 10-të nga 23 futbollistë që luajtën deri në çerekfinale të Botërorit kur u eliminuan, udhëtuan për ndeshjen ndaj Marokut. I lënduari Neymar mungoi sërish, ndërsa fanella me numrin 10-të iu dha lojtarit të Real Madridit, Rodrygo.
Brazili në këtë ndeshje u udhëhoq nga përzgjedhësi i përkohshëm, Ramon Menezes, që e zëvendësoi Titen e shkarkuar pas Botërorit, nga Kroacia. Federata e Futbollit e Brazilit ka thënë se emrin e përzgjedhësit të ri do ta bëj të ditur në fillim të kualifikimeve për Botërorin 2026, në muajin shtator. Media të shumta kanë thënë se Carlo Ancelotti mund t’i udhëheqë brazilianët në të ardhmen. Para nisjes së ndeshjes në stadiumin “Ibn Batouta”, të dyja skuadrat e nderuan Pelen, i cili vdiq në dhjetor të vitit të kaluar në moshën 82-vjeçare. Deri të shtunën, Maroku kishte pësuar disfatë në dy ndeshjet e kaluara të cilat i kishte luajtur me Brazilin. 2:0 kishte humbur në miqësoren e vitit 1997, dhe 3:0 në fazën grupore të Kupës së Botës 1998 në Francë.