Malet nënujore dhe anijet e humbura mund të zbulohen, nëpërmjet hartave të tabanit të detit që do të kushtojnë deri në tre miliardë dollarë (Foto)

Shkencëtarët kanë nisur punën, për një hartë të tabanit të detit, që do të kompletohet deri më 2030.

Vetëm nëntë për qind e sipërfaqes së tabanëve të deteve janë në hartë, ndërsa pjesë të tjera mbesin krejtësisht të panjohura, transmeton Telegrafi.

Kjo nënkupton, se ne dimë më shumë për sipërfaqet e planetëve tjera, se sa për ato në të cilin jetojmë. Seabed 2030 është projekti ambicioz, që pritet të zbulojë malet nënujore, krateret, si dhe humbjet e anijeve dhe aeroplanëve të ndryshëm.

Harta e një pjese të tabanit të detit

“Nëse jeni në mesin e një deti të thellë, ka mundësi që poshtë është edhe një mal gjigant” ka thënë Geoffroy Lamarche, që është kryesues i grupit punues.

Në vitin 2005, një nëndetëse amerikane, është përplasur për një mal, derisa ndodhej në 160 metra thellësi. Aksidenti i ka lënë 98 pjesëtarë të ekuipazhit me lëndime të ndryshme, ndërsa një prej tyre nuk ka mundur t’i mbijetonte plagëve dhe ka vdekur.

Derisa 81 për qind e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga uji, vetëm një e teta është e përfshirë në hartë.

Në projektin e nisur me 2017, që mbështet nga Kombet e Bashkuara, do të shpenzohen mbi tre miliardë dollarë, për ta kompletuar hartën.

Inxhinierët do të përdorin pajisje që transmetojnë ultratinguj, të cilat do të lëshohen prej anijeve, që më pas kthejnë sinjal, sapo të kenë prekur thellësinë dhe regjistruar topografinë e tabanit të detit. Në këtë formë do të merren të dhënat, që e krijojnë hartën detare.

Disa pjesë të oqeaneve – brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, hapësira rreth Japonisë, Zelandës së Re dhe Irlandës – janë mjaft mirë të hartuara. Të tjera, përfshirë brigjet e Afrikës Perëndimore, apo tabani i detit të Karaibeve, mbesin shumë të panjohura. /Telegrafi/

TAGS