3 August 2018 / 15:01
LSDM-ja akuzon Presidentin, Gjorge Ivanov se me fjalimin e djeshëm në manifestimin e Kryengritjes së Ilindenit në Krushevë ka nxitur urrejtje ndër-etnike. Për LSDM-në fjalimi i kreut të shtetit i nxitur nga interesat personale dhe interesat e ngushta partiake është turp për të gjithë ilindenasit dhe viktimat e rëna për Maqedoni të lirë dhe të pavarur.
Derisa i gjithë kreu shtetërorë në mënyrë të vendosur porositi që të ecim drejt së ardhmes, vetëm Ivanov bëri thirrje që të ngecim në të kaluarën, thirrje për urrejtje, ndarje, krime dhe mos-ndëshkim. Derisa qytetarët festonin bashkimin, Ivanov nxiste urrejtje ndër-fetare dhe ndër-etnike, ashtu siç bëri me vite. Me këtë Gjorge Ivanov shkeli vlerat e Kryengritjes së Ilindenit dhe mbledhjes së KAÇKM-së ”- tha Kostandin Kostandinov, LSDM.
Nga kabineti i Presidentit mbeten në qëndrimin e mbrëmshëm se shprehin keqardhje për incidentin në Krushevë dhe se i njëjti nuk ishte nxitur nga fjalimi i kreut të shtetit Ivanovi sipas komunikatës, fajtore për nxitjen e urrejtjes bënë politikat ndarëse të qeverisë. Nga partitë politike shqiptare ka reaguar vetëm Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, sipas së cilës, incidentet ishin të ndihmuara nga qendra të jashtme, me qëllim të destabilizimit të vendit dhe pengimit të proceseve euro-integruese.
Për thirrjet raciste anti-shqiptare gjatë manifestimit të djeshëm, reagoi Ministria për Evropë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
“Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara.”
MPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”.
Anesa Salihu