Kur lindën teoritë e para të komplotit?

Kur lindën teoritë e para të komplotit?

22:58 | 19 Janar 2021

Historia e konspiracioneve është e lashtë. Momenti kur e ashtuquajtura “teori e konspiracionit”, u bë një mjet i qartë dhe e vetëdijshëm politik – i dobishëm për të justifikuar veprimet e tyre politike – ishte Revolucionit Francez i vitit 1789, dhe vitet në vijim, gjatë të ashtuquajturit Mbretërim i Terrorit.

Në fund të shekullit XVIII, në Francë, varfëria dhe pabarazia shoqërore kishin arritur një prag të tillë dramatik, që u bë i paqëndrueshëm. Masat borgjeze, të frymëzuara nga idealet e reja të shpallura nga filozofët iluministë – barazia, liria dhe vëllazëria – formuan një koalicion për të përmbysur rendin monarkik feudal, duke shkaktuar rënien e të ashtuquajturit ‘regjim i vjetër’. Dhe mbretërit, fisnikët dhe kleri, u bënë shënjestra të veçanta të protestës së tyre.

Terrori

Por zelli i shenjtë i revolucionarëve në vitet pas revolucionit, i dha vendin Terrorit (1793-1794). Pas një gjyqi për tradhti, Mbreti Luigji XVI u dënua me vdekje në vitin 1793. Po në atë moment, nisën përleshjet mes partive të revolucionit. Për të luftuar armiqtë e Francës, Jakobinët, që propaganduan idetë e frymëzuara nga një republikanizëm i pa kompromis, zbatuan masa drastike emergjente, dhe të gjithë ata që nuk ishin dakord (shumë figura kryesore të revolucionit), u akuzuan për pjesëmarrje në një komplot, duke u prerë kokën në gijotinë.

Vlerësimet e numrit të jetëve të marra nga gijotina – arma e përdorur në ato vite për të ekzekutuar armiqtë e popullit – varion nga 17.000 – 40.000. Mendohet se tre të katërtat e njerëzve të ekzekutuar, ishin realisht të pafajshëm. Në “ditët e saj të lavdishme”, gijotina mori 3.000 jetë njerëzish brenda një muaji, pra mesatarisht rreth 100 njerëz në ditë, transmeton bota.al

Armiqtë e rinovimit

Revolucionarët, e justifikuan çdo akuzë të tyre me justifikimin e kërcënimit të një komploti të aristokratëve kundër rinovimit. Një nga udhëheqësit kryesorë të atyre viteve ishte Maksimilian Robespieri, i quajtur ndryshe “i pakorruptueshmi”. Por as ai nuk pati një fund të mirë:vdiq në gijotinë me akuzën e komplotit në vitin 1794.

Nga ana e tyre komplotistët e dyshuar, kundër-revolucionarët monarkistët dhe klerikalë, reaguan me të njëjtën monedhë, dhe nuk hezituan të kërkojnë ndihmën e forcave të errëta, që kishin planifikuar prej kohësh veprimet subversive kundër Revolucionit Francez.

Objektivat e tyre qenë filozofët anti-kristianë të Iluminizmit si Volter dhe Didero, dhe sekti misterioz i Masonëve, të cilët sipas tyre kishin komplotuar kundër pushtetit tradicional në Francë.

Po pse këto lloj teorish?

Sipas studiuesve, teoritë e konspiracionit përpunohen shpesh në rastin e ngjarjeve që ndikojnë imagjinatën publike, siç janë ngjarjet tragjike që lidhen me vdekjen e njerëzve të famshëm, fatkeqësitë kryesore natyrore, apo aktet terroriste.

Në rastin e Revolucionit Francez dhe në vitet e mëvonshme të terrorit, për historianët teoricienët e komploteve ishin funksionalë, për shkak të nevojës për të vendosur një rend të ri:identifikimi i saktë i komplotistëve, ishte në fakt më i lehtë për t’u pranuar nga publiku, se sa të pranohej haptazi rënia natyrale e monarkisë dhe e Kishës, që për shekuj me radhë kishte orientuar jetën e të gjithë qytetarëve.

TAGS