Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa vaksinë kundër HPV

Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa vaksinë kundër HPV

Në Kosovë, vaksina kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, nuk është në kalendarin e vaksinimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Papilloma virus është infeksioni më i zakonshëm, i cili transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale. Ky infeksion mund të shkaktojë disa probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.

Vaksina HPV, në bazë të studimeve të bëra së fundmi nga Organizata e Britanisë së Madhe “Cancer Research”, tregon se kjo vaksinë ka zvogëluar rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.

Kanceri i qafës së mitrës vret qindra mijëra gra çdo vit në botë dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë thonë profesionistët shëndetësorë.

Nëse zbulohet me kohë, profesionistët shëndetësorë thonë se është 100 për qind i shërueshëm.

Shpresa është se përmes vaksinimit, sëmundja mund të eliminohet.

Sipas të dhënave të Klinikës së Onkologjisë në Kosovë, në vit trajtohen deri në 120 gra me sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.

Numri i rasteve që përfundojnë me vdekje nuk dihet.

Profesionistët shëndetësorë të fushës së onkologjisë, u bëjnë thirrje institucioneve të shëndetësisë që të fusin vaksinën kundër papilloma virusit (HPV) në kalendarin e vaksinimit.

Drejtori i kësaj Klinike, Ilir Kurtishi thotë se në të kaluarën kanë diskutuar me autoritetet për rëndësinë e kësaj vaksine, por deri më tani nuk ka diçka që ka filluar në këtë aspekt.

“Mendimi ynë është se kjo vaksinë duhet të fillojë të jepet edhe në Kosovë, siç bëhet n të gjitha vendet e Evropës pasi që kjo e zvogëlon numrin e rasteve të qafës së mitrës.

Por, kjo është një çështje që merret nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe ekspertët që merren me trajtimin të sëmundjes”, thotë Kurtishi.

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet se a do të shqyrtojë përdorimin e kësaj vaksine.

Por, bisedat lidhur më këtë vaksinë në Kosovë datojnë nga viti 2018.

Në atë vit zyrtarë të MSH-së patën deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kjo vaksinë bart kosto të lartë financiare./telegrafi

TAGS