Klod Hoxha, ministri mes pasionit dhe pushtetit: Ju rrëfej pse do të kisha pranuar të isha pjesë e qeverisë

Klod Hoxha, ministri mes pasionit dhe pushtetit: Ju rrëfej pse do të kisha pranuar të isha pjesë e qeverisë

Egla Xhemali – Komedia “Një mbledhje e jashtëzakonshme në parlament” shkruar nga Ray Cooney, ka ngjitur në skenë një kast të jashtëzakonshëm aktorësh. Nën regjinë e Elma Doresit, që prej shkurtit teatri i komedisë “Roland Trebicka” ka gumëzhirë nga njerëzit, që shfaqën mjaft interes për këtë farsë. E gjithë ngjarja ishte konceptuar në një dhomë hoteli, ku gjendej ministri së bashku me sekretaren e opozitës. Gjithçka nisi atje, për të hyrë pastaj në një sërë situatash, intrigash, lojërash për pushtet. Ministri Riçard prej fillimit bëhet pjesë e ndodhive komike, që sa vijnë dhe ndërlikohen. Për të treguar të thënat dhe të pathënat e shfaqjes, momentet pikante, si dhe përjetimet për përfshirjen në kabinetin qeveritar, në një rrëfim për “Gazeta shqiptare” vjen aktori i njohur Klod Hoxha. Skenat e nxehta me sekretaren e opozitës, puna intensive për të hyrë nën petkun e personazhit, modelet e politikanëve, që e kanë frymëzuar për të përmbushur portretin e ministrit lënë të kuptohet edhe një herë pasionin, me të cilin Hoxha e ka finalizuar rolin e rëndësishëm që i ishte besuar. I pyetur nëse do të pranonte ndonjë post nga qeveria, tanimë që njeh si funksionojnë punët, Klodi pohon se do të kishte dëshirë të ishte zë i fortë për njerëzit, megjithatë duke parë politikat që ndiqen në vend, ftesa do të ishte refuzuar. Meqenëse 2019 ishte viti i tij për shkak të angazhimeve të mëdha, roleve të duartrokitura gjatë nga shikuesit, aktori zbulon se pas izolimit, e presin projekte tepër të veçanta.





 “Një mbledhje e jashtëzakonshme në parlament”, çfarë e bën këtë komedi të suksesshme?

Komedinë e bën të suksesshme një penë e mirë, si ajo e Ray Cooney; një regji e mirëmenduar nga regjisorja Elma Doresi dhe një lojë e sinqertë nga ne aktorët. Ky është trinomi me emrin sukses, që sipas kritikës dhe medias u quajt komedia e vitit.

Riçard, ministri kalon disa skena të nxehta me sekretaren e opozitës. Në raport me të gjithë mënyrën se si ndërtohen komedia, sa i rëndësishëm është seksualiteti?

Nga aty nis gjithçka, ndërkohë që në parlament zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme, Riçard shkëputet me sekretaren e opozitës për të përmbushur epshet e tij. Ndërkohë që ata ndodhen në hotel, në dritaren e dhomës se tyre zbulojnë një kufomë. Aty pastaj fillojnë dhe nuk kanë të mbaruar situatat, që përfshihet Riçardi për më tepër duhet parë.

Sa kohë keni punuar për të hyrë nën petkun e karakterit të Riçardit?

Si vepër kisha kohë që e njihja. Prej një periudhe të gjatë e kishim në mend si Elma, ashtu edhe unë. Kur na u dha mundësia, pa hezituar e vendosëm ta sillnim për publikun. Si kohë për të realizuar rolin më është dashur rreth një muaj, por besoj se ka qenë e mjaftueshme.

Momenti më i vështirë me të cilën përballet ministri?

Ministri ka plot momente të vështira, që mundohet t’i kalojë se nga situata në situatë i vështirësohen gjërat. Por, di të them që këtij ministri “Riçard” nuk e di, por gjërat i ecin më së miri edhe në fund zgjidh gjithçka mbase ka qenë ditë e mirë dhe ka pasur fatin në anën e tij. (qesh)

Një politikan që ju ka frymëzuar për realizimin e këtij roli?

Me thënë të drejtën, jemi aq të ushqyer nga politika këto kohë, saqë kemi shumë modele në kokë dhe pothuajse të gjithë njësoj janë, kështu që ka qenë shumë e thjeshtë për mua, për ta mishëruar e për ta sjellë në skenë një ministër të ditëve të sotme.

Gjithçka që ndodh është përqendruar në një dhomë hoteli. Riçardi ishte pothuaj gjithë kohën prezent në skenë. Ka pasur ndonjë çast që jeni ndjerë në siklet?

Është një shfaqje që fillon dhe duket sikur nuk ka të mbaruar. Ka një ritëm jashtëzakonisht të lartë, do mjaft disiplinë. Edhe në prova kemi punuar me shumë energji, pasi nëse një gjë e vogël po të çedonte, ikte e gjithë shfaqja. Të them të drejtën, siklete nuk kam pasur. Mezi kam pritur të luaj rolin!

Pasi e keni njohur punën e ministrit, nëse do t’ju ofrohej të ishit pjesë e kabinetit të qeverisë, cili do të ishte vendimi juaj?

Me thënë të drejtën, do të kisha shumë dëshirë të më besohej ndonjë post, ku mund t’i shërbeja popullit tim, por duke parë politikat që ndiqen këtu, nuk do të doja.

Urimi më i bukur që ke marrë pas shfaqjes?

Ka pasur shumë, por më i bukuri për ne është kur thonë që do vijmë ta shohim përsëri shfaqen. Kjo na bën krenarë dhe të lumtur njëkohësisht.

2019-ta ka qenë vit mjaft i suksesshëm për Klodin. Shumë premiera dhe një sërë rolesh, me të cilët jeni duartrokitur fort nga publiku. Aktualisht, çfarë projektesh keni në duar?

Është e vërtetë kam pas disa premiera filmash. Vitet e fundit kam qenë më i fokusuar në kinematografi dhe për një periudhë, sikur më ishte sfumuar dëshira për të luajtur teatër duke parë edhe kauzën, në të cilën ndodhemi. Në momentin që kam shkelur në skenë ka qenë moment i jashtëzakonshëm, kënaqësi e pashpjegueshme. Sa u përket projekteve, sapo të dalim nga karantina, do të shohim mundësinë për të rikthyer shfaqjen, pasi spektatorët mezi po e presin. Ndërkohë, jam në pritje të një premiere tjetër filmike, me një produksion amerikan, film horror, të cilin po e pres me padurim. Gjithashtu, jam në pritje të disa projekteve teatrore dhe filmike, por nuk e dimë se si do të shkojë gjendja, ndaj jemi në pritje. Sa i përket punës vetjake, jam drejt udhës së realizimit të filmin tim të parë si regjisor, kështu që të shohim sa do ta materializojmë.

TAGS