Kjo është arsyeja e largimit të Valdet Ramës nga Kukësi

Kjo është arsyeja e largimit të Valdet Ramës nga Kukësi
14:08 | 23 Korrik 2019

Kukësi përmbylli sezonin e tashmë ka plot 6 futbollistë pa kontrata. Ata janë Valdet Rama, Besar Musolli, kapiteni Ylli Shameti, Simon Rrumbullaku, Stivi Frashëri e Ardian Cuculi.

Të gjithë këta futbollistë të Kukësit janë mjaft të lakmuar në merkato e ofertat në drejtim të tyre nuk kanë munguar.

Kjo listë me gjashtë emra ndahet në dy kategori, të afruar rishtazi po me shumë potencial si Valdet Rama, futbollistë stabël si Simon Rrumbullaku, Stivi Frashëri e Ardian Cuculi, e emblema si kapiteni Shameti dhe ndihmëskapiteni Musolli. Kur për një pjesë të mirë prej tyre klubi ka besim se do qëndrojnë, e kundërta ndodh me ish-yllin e Kombëtares Valdet Ramën.

Sulmuesi 31-vjeçar ishte një nga afrimet më të mira në emër dhe potencial i të gjitha kohërave te Kukësi, aq sa dhe pse lojtari kishte më shumë se një vit pa luajtur, i gjithë opinioni sportiv në vend e trumbetoi me të madhe afrimin e tij te Kukësi. Dhe pse Rama vetë nuk pranoi të prezantohej më si “yll” dhe me shumë bujë, ai zgjodhi të punojë në fushë. Dhe ia doli.

Për diçka më tepër se një muaj ai arriti të debutojë me Kukësin, e më pas punoi duke luajtur 10 takime në Superiore e duke shënuar 2 gola. Luajti 4 takime në Kupën e Shqipërisë ku shënoi 1 gol e dy në Kupat e Europës.

Pra, dhe pse kishte më shumë se një vit pa luajtur, ai e arriti shpejt formën fizike dhe performoi mjaft mirë te Kukësi, ku në pak kohë u bë një prej shtyllave të ekipit. Kontrata e Ramës ishte 6 muaj me të drejtë rinovimi për një vit me Kukësin, por nga burime të sigurta pranë lojtarit, gazeta mëson se ai nuk do të jetë më pjesë e Kukësit për sezonin e ri. Nuk do të rikthehet më te Kukësi.

Gazeta mëson ekskluzivisht dhe arsyen se pse 31-vjeçari është krisur me klubin. Rama është paguar korrektësisht me data dhe çdo gjë sipas kontratës deri në momentin e përfundimit të Kupës së Shqipërisë.

Ai ka pasur një bonus prej 5 mijë eurosh për të marrë nga Kukësi si pasojë e fitimit të Kupës së Shqipërisë, të cilën nuk e ka marrë. Ky veprim i pakoordinuar dhe i papaguar në kohë përmes drejtuesve të klubit ka bërë që futbollistit t’i mbetej hatri dhe të mendonte largimin. Kjo jo për shumën, por për gjestin.

Tashmë mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë, por një rikthim i Ramës duket i pamundur. Në adresë të 31- vjeçarit kanë ardhur disa oferta mjaft interesante nga Gjermania, Kroacia, Kazakistani e Katari, madje dhe nga klube të tjera shqiptare, sidomos prej dy ekipeve të kryeqytetit, të cilat mbeten për t’u vlerësuar nga Rama dhe menaxheri i tij. Drejtori Nexhipi është angazhuar për të negociuar me sulmuesin e krahut, por do ta ketë mjaft të vështirë ta bindë./PanoramaSport/

TAGS