Sukses të jashtëzakonshëm kanë arritur fëmijët e talentuar të shkollës së futbollit KF Kumanova 2010.
Gjenerata e të lindurve në vitin 2012 është shpallur nënkampion në FFM Ligën e fëmijëve, pasi në finalen e madhe kanë pësuar një humbje të pafat në penallti.
Kumanova U12 ishte në epërsi me rezultat 1-0 deri në dy minutat e fundit kur FC Park U12 nga Shkupi e barazoi rezultatin në 1-1.
Golin për kumanovarët e shënoi Leart Alija, pas një aksioni të filluar nga mbrojtësi Blend Aliji, Anik Isufi dhe Orges Elezi. Golit të avantazhit iu gëzua edhe kryemininsitri i RMV-së, Dimitar Kovacevski, i cili ishte prezent në lojë, dhe në momentin e shënimit të golit edhe ai u ngritë në këmbë nga gëzimi.
Fatisat e trajnerit Ismet Zeqiri ishin dominues gjatë gjithë lojës, por në fund fati ia ktheu shpinën, fillimisht me pranimin e golit dhe më pas edhe në ruletin e penalltive.