Kategorisë Superiore/ Skuadrat luftojnë deri në fund. Gola dhe ankth. Udhëtuesit luajnë më mirë

Kategorisë Superiore/ Skuadrat luftojnë deri në fund. Gola dhe ankth. Udhëtuesit luajnë më mirë

Janë luajtur 4 nga 5 ndeshjet e javës së 15-të të Kategorisë Superiore. Surprizat nuk munguan as këtë herë. Vlen për t’u përmendur se kanë qenë skuadrat mike të cilat kanë fituar 3 nga këto 4 ndeshje. Në ndeshjen e luajtur në Kamëz, ishin miqtë e Teutës të cilët fituan me rezultatin minimal 0-1 falë golit të Dejvi Bregut në minutën e 72-të. Fitore mjaft e vlefshme kjo për durrsakët, të cilët ruajnë vendin e dytë, 9 pikë pas Vllaznisë dhe 3 pikë përpara Partizanit. Pas takimit, trajneri i “djemve të detit”, Edi Martini u shpreh: “Ndeshje e vështirë. Kastrioti ka shumë grintë. Gjatë gjithë lojës u mbrojtën shumë mirë. Falë klasit të Bregut, arritëm të merrnim 3 pikë. Duhet të shikojmë ndeshjet tona një nga një. Të fitojmë ndeshjet tona, pastaj çfarë të ketë shkruar Zoti. Kemi pasur shumë raste, kemi luajtur shumë ofensivë, por kemi qenë shumë nervozë. Rëndësi ka menaxhimi i lojës. Kastrioti pati 2 raste. Lojërat e bukura na kanë ardhur në majë të hundës, po kërkojmë pikë”. Në kampin tjetër, trajneri i krutanëve, Ndreu kishte ankesa ndaj gjykimit. Në intervistë, ai u shpreh: “Në gjithë këtë kampionat, arbitri ka qenë korrekt në të gjitha ndeshjet. Sot nuk më pëlqeu, ishte një goditje dënimi që nuk ishte. Në fillim të ndeshjes i thashë arbitrit ‘kujdes me lojtarët që simulojnë’. Aq është futbolli, një faull dhe bëhet gol, një nuk na e jep neve dhe ikën aksioni. Në përgjithësi ishte ndeshje e mirë”. Ndërkohë në sfidën tjetër, Bylis u mposht 0-1 nga Vllaznia, me një gol të Hoxhajt në sekondat e fundit të takimit. Trajneri i shkodranëve, Brdaric ishte i lumtur pas ndeshjes. Ai tha për gazetarët: “Ishte një ndeshje shumë speciale dhe e vështirë. Arritëm fitoren në sekondat e fundit dhe jam shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve në fushën e lojës. Fitojmë të gjithë dhe humbim të gjithë. Nuk dua të flas për lojtarë të veçantë. Morëm 3 pikë të arta. Që në fillim e dinim që do të ishte një nga ndeshjet më të vështira, pasi për shkak të fushës duhej të luanim edhe me topa të gjatë. U desh të bënim dhe disa ndryshime taktike”. Një ndeshje mjaft e bukur u zhvillua edhe në Laç, ku bardhezinjtë pritën Skënderbeun. Korçarët e nisën mjaft mirë lojën dhe dominuan në pjesën e parë, të cilën e mbyllën në avantazh me golin e Meksit në minutën e 43-të. Me fillimin e pjesës së dytë, vendasit ishin më kërkues dhe në minutën e 49-të, Nuabueze u rrëzua në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Nuk u kuptua qartë nëse kishte një prekje me dorë apo një faull, por sulmuesi i Laçit ishte mjaft larg mbrojtësit të Skënderbeut për të pasur faull. Nuabueze realizoi nga pika e bardhë dhe rezultati nuk ndryshoi më deri në fund. Të dyja ekipet patën raste, por pa ia arritur dot të gjenin golin. Pas ndeshjes, zv.trajneri i Skënderbeut u shpreh: “Ekipi ka nevojë për moral dhe kjo ishte e rëndësishme. Mendoj se vazhdimësia do jetë e mirë tani”. Në anën tjetër, Shpëtim Duro deklaroi se nuk ishte i kënaqur me barazimin ndaj korçarëve. Në ndeshjen e katërt dhe të fundit, Kukësi dominoi Apoloninë duke fituar 1-3, me gola të Ibraimit, Peposhit dhe Ezes. Veriorët shkuan në kuotën e 20 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Apolonia ruan vendin e parafundit, por forma e Skënderbeut e kërcënon tani e tutje.



Renditja        Pikë

  1. Vllaznia 35
  2. Teuta 26
  3. Partizani 23
  4. Laçi 21
  5. Tirana 20
  6. Kukësi 20
  7. Kastrioti 17
  8. Bylis 12
  9. Apolonia 12
  10. Skënderbeu 11

TAGS