Kahn flet pas skandalit me rrogat: Të hapur për çdo hetim!

Bajerni i Mynihut është duke u përballur me drejtësinë. Bëhet fjalë për shkelje të ligjit, i cili nuk lejon që nënpunësit të kenë një rrogë më të ulët se 500 euro. Trajnerët e akademisë së skuadrës bavareze me sa duket punojnë për 350-400 euro në muaj, diçka që është kundër ligjeve në Gjermani. Nën akuzë janë dy drejtues dhe një ish-drejtues i skuadrës më të titulluar në Gjermani. Një ditë pas publikimit të lajmit, është CEO i Bajernit ,i cili u prononcua për “Bild” duke thënë se:


“Sigurisht që do të bashkëpunojmë me drejtësinë për të zbardhur të vërtetën, është në interesin tonë për të qenë sa më transparent dhe të pastër në këtë proces. Ne si klub mbajmë çdo përgjegjësi për shkeljet që mund të jenë bërë”, tha Kahn. Kujtojmë që në këtë çështje janë përfshirë dhe Karl Hainc Rumenige dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç.

Gjoba mund të jetë e rëndë për drejtuesit që në rast se kanë shkelur ligjin mund të përfundojnë dhe pas hekurave. Ligji gjerman për mbrojtjen e nënpunësve është shumë i rreptë në këto raste dhe parashikon penalizime të rënda.

Për momentin procesi është në një shkallë gjykimi nga prokuroria, që është duke pyetur të gjithë punonjësit e akademisë të cilët do të japin versionin e tyre për sa i përket çështjes.

Gjithçka nisi nga një prononcim i një trajneri të moshave, i cili tregoi për një media gjermane punën që bënte dhe sa paguhej për atë çfarë bënte, kjo çoi dhe në hapjen e hetimit, i cili do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Ishte Oliver Kahn ai që theu akullin i pari duke folur, ndërkohë që pas tij priten që të dalin para mikrofonave dhe dy të akuzuarit e tjerë, Hasan Salihamixhiç dhe ish-drejtuesi Karl Hainc Rumenige që priten të zbardhin detaje të reja për këtë çështje shumë të përfolur në prag të vitit të ri./PanoramaSport