Jasharaj: Oferta e Qeverisë i ka dy probleme – greva e mësimdhënësve mund të vazhdojë me muaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj në një intervistë për Telegrafin ka paralajmëruar vazhdimin e grevës edhe me muaj, nëse nuk plotësohen kërkesat.

Jasharaj deklaroi se duhet të ndryshojë çasja e institucioneve ndaj grevës, duke shtuar se pjesën më të madhe të fajit e ka Ministria e Arsimit.

I pari i SBASHK-ut u shpreh se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Greva do të vazhdojë deri në momentin kur çështjet të rregullohen siç duhet. Greva vazhdon, pasi qasja e institucioneve nuk është siç duhet, duke filluar nga MASHT-i. Nuk kemi kundërshtime me Qeverinë, përplasjet i kemi me MASHT-in pasi vlerësojmë që nuk është angazhuar sa duhet për t’i mbrojtur mësimdhënësit. I kemi alarmuar me kohë, se Ligji është shumë i dëmshëm për arsimtarët”, deklaroi Jasharaj për Telegrafin.

Duke folur për ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave për 20 milionë euro në vit, kryetari i Sindikatës tha se oferta i ka dy probleme.

Sipas tij, ajo është e vogël krahasuar me kërkesat e mësimdhënësve. Dhe e dyta, që nuk i ka përfshirë të gjithë sektorët.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj gjatë intervistës për Telegrafin

“Qeveria e dha një ofertë, ajo u refuzua sepse ishin dy momente: momenti i parë është se oferta ishte e ulët, dhe kishte dallim të madh nga kërkesa jonë. Dhe e meta tjetër ishte se nuk ishin përfshirë në atë ofertë të gjithë që punojnë në arsim, dhe kjo e bëri Këshillin të mos e pranojnë”, deklaroi Rrahman Jasharaj.

Ai komentoi edhe deklarimet se mësimi ka filluar në disa shkolla të Deçanit. Jasharaj bëri të ditur se mësimi ka filluar vetëm në vendlindjen e kryeminstrit.

Jasharaj deklaroi se ka pasur presione të ndryshme, në mënyrë që mësimi të fillojë.

“Institucionet nuk duhet të zgjedhin rrugë të gabuara, por duhet të ulen dhe flasin me ne, sepse kur të përfundojë greva, asnjëri nuk duhet të trupërohet për veprimet që ka bërë. E vërteta është se grevën e theu vetëm shkolla e Gllogjanit, që nënkuptohet se është vendlindja e kryeministrit. Por edhe në Deçan situata është e qetë, sistemi arsimor është në grevë”, deklaroi Rrahman Jasharaj. /Telegrafi/

TAGS