Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 53-vjeçare Presidenti i KF Elbasani, Arben Laze

Komuniteti i futbollit elbasanas dhe jo vetëm, ndodhen në zi. Lajmi i hidhur ka ardhur në orët e vona të kësaj mesjave. Është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare Presidenti i “KF Elbasani” Arben Laze.


Presidenti i Verdh e Bluve u nda para kohe nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë mbrëmjen e së mërkurës. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij. Ai e humbi betejën me sëmundjen, ndërsa ndodhej i shtruar kohët e fundit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.

Arben Laze ishte President i “KF Elbasanit” prej rreth dy dekadash dhe gjatë viteve të para të presidencës së tij Verdh e Blutë ishin një nga ekipet elitare të futbollit shqiptar. Gjatë sezonit 2004-2005 Elbasani u shpall nënkampion dhe në sezonin 2005-2006 Kampion i Shqipërisë. Ndërkohë që pas 2008 Elbasani nuk ka patur më shkëlqimin e dikurshëm megjithë investimet e kryera në klubin e Verdh e Bluve. Arben Laze së bashku me bashkëfinancuesin Gentian Çërraga bënë historinë duke investuar në klubin e futbollit të Elbasanit si askush tjeter gjatë dy dekadave të fundit.

Ata e nisën rrugën e suksesit duke afruar në skuadër trajnerin më të suksesshëm të asaj kohe Artan Bushati, së bashku me disa prej lojtarëve më të mirë të futbollit shqiptar 18 vite më parë dhe falë investimeve serioze në sezonin 2004- 2005, edhe pse nuk ia dolën të shpallen kampionë ishin skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar. Megjithatë, rruga drejt titullit nuk vonoi aspak dhe një vit më pas me Ilir Dajën trajner, Elbasani shpallet kampion i Superiores dhe për herë të dytë në histori pas atij të sezonit 1983- 1984, titulli kampion ishte i Verdh e Bluve.

Festimi i titullit në Bulevardin kryesor mbahet mend ende nga të gjithë pasi vazhdoi me orë të tëra dhe pothuajse i gjithë qyteti doli në rrugë për të përshëndetur suksesin e ekipit të futbollit që kishte në përbërje të tij emra të shquar të futbollit shqiptar.