Fitore e madhe e Barcelonës kundër Valencias

Fitore e madhe e Barcelonës kundër Valencias

Barcelona e mund Valencian në debutimin e Sergio Agueros.

Barcelona e ka mposhtur 3:1 Valencian, në debutimin e Sergio Agueros si zëvendësues për klubin katalonas të dielën.

Ansu Fati, Memphis Depay dhe Philippe Coutinho shënuan për triumfin e Barçës në Camp Nou, dhe rrjedhimisht ia lehtësuan presionin trajnerit Ronald Koeman, raporton Gazeta Express.

Barça vinte nga një humbje e hidhur ndaj Atletico Madridit dhe e vetëdijshme se çarëdo rezultati tjetër përveç fitores do shtonte dukshëm presionin ndaj Koemanit.

Dhe këtë presion trajneri holandez e ndjeu menjëherë në fillim të takimit kur Jose Gaya e heshti stadiumin Camp Nou duke shënuar gol të mrekullushëm për epërsinë e Valencias në minutën e 5-të.

Por Ansu Fati, dhjetëshi i ri i katalonasve i porsakthyer nga lëndimi, e ktheu shpejt Barçën në lojë duke shënuar gol fantastik në minutën e 13-të.

Sulmuesi 18-vjeçar e fitoi një penallti pastaj në minutën e 41-të dhe Depay shënoi nga pika e bardhë për ta përmbysur rezultatin në favor të katalonasve.

Coutinho, i futur në lojë nga stoli pikërisht në vend të Fatit, e vulosi fitoren e Barcelonës me një gol të rrallë për klubin në minutën e 85-të.

Sergio Aguero debutoi për Barcelonën si zëvendësues në minutën e 87-të. Sulmuesi argjentinas, i cili iu bashkua Barçës në verë si lojtar i lirë, kishte telashe me lëndime prandaj edhe debutimi i tij u shty kaq gjatë.

Kjo fitore e ngre Barcelonën në vendin e shtatë në renditjen e La Ligës, tani me 15 pikë, pesë më pak se lideri Real Sociedad, i cili e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Për Valencian, kjo ishte humbja e tretë në pesë ndeshjet e fundit dhe bën që ajo të ngelë në vendin e nëntë me vetëm 12 pikë.

TAGS