Filmbërësi francez Luc Besson lirohet nga akuza për përdhunim

Prokuroria franceze e ka liruar filmbërësin Luc Besson nga akuza për përdhunim, e cila ishte ngritur nga aktorja Sand Van Roy, e cila është raportuar se ka qenë në lidhje të fshehtë dyvjeçare me të.

Pas hetimit, ishte konfirmuar se Besson nuk ishte fajtor për akuzën e përdhunimit nga aktorja, e cila kishte pohuar se ai e ka keqtrajtuar seksualisht në një dhomë hoteli në Paris. Avokatët e 59-vjeçarit kanë thënë se hetimi është ndërprerë.

Luc Besson dhe Virginie Silla (Foto: Tristan Fewings/Getty Images)

Aktorja, e cila është paraqitur në dy filma të tij, në dokumentet e akuzës kishte thënë se ishte ndier keq pas një çaji që ka pirë dhe më pas Besson e ka përdhunuar.

Mirëpo, hetimet kanë treguar se nuk ka qenë në ndikimin e ndonjë substance të palejuar. Pas padisë së saj, ishin shfaqur edhe tetë femra të tjera, të cilat e kanë akuzuar filmbërësin për shqetësim seksual.

Lexo po ashtu:

Një aktore ka thënë se ia kishte dalë të ikte nga zyra e regjisorit, skenaristit dhe producentit të famshëm në Paris, pasi kishte dashur ta përdhunonte.

Luc Besson (Foto: Xiaolu Chu/Getty Images/Guliver)

Besson është vlerësuar për punën e tij në filmat, si “Leon: The Professional”, “The Messenger: The Story of Joan of Arc”, “The Fifth Element”, “Lucy” e “Valerian and the City of a Thousand Planets”, ndërsa është producent i shumë filmave të suksesshëm.

Në vitin 1980, ai e themeloi kompaninë e vet filmike, “Les Films du Loup”, ndërsa më vonë “Les Films du Dauphin”, të cilat në vitin 2000 u zëvendësuan nga kompania tjetër e tij, EuropaCorp, të cilën e themeloi me bashkëpunëtorin e tij, Pierre-Ange Le Pogam.

Si skenarist, regjisor apo producent, Besson ka qenë i përfshirë në realizimin e më shumë se 50 filmave. /Telegrafi/

TAGS