Familjarët kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkim për kriminelët serbë

Familjarët kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkim për kriminelët serbë

Qindra qytetarë, familjarë të personave të vrarë e të zhdukur në luftë, e përfaqësues të institucioneve, kanë bërë homazhe të shtunën në kompleksin memorial në Mejë.

Ata kanë kërkuar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, dhe duan që institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare të bëjnë presion mbi Serbinë, që kjo e fundit të tregojë vendndodhjen e varrezave masive.

Motin e ftohtë dhe me shi nuk po ndjenin farë nënat që po qanin pranë varreve të fëmijëve të tyre, të cilët regjimi i Millosheviqit ua mori në moshën më të mirë që kishin.

Si çdo ditë tjetër, edhe sot po i kujtojnë fëmijët e tyre të vrarë, por sot janë mbledhur të gjithë bashkë në kompleks, në përvjetorin e 20-të të Masakrës së Mejës, dhe Ditën e Personave të Pagjetur.

Një prej viktimave ishte edhe i ndjeri Bajrush Avdyli. Ai nuk ishte as 16 vjeç, kur serbët e ekzekutuan në Mejë.

Nëna e tij, Tixhë Ademi vështirë po qëndronte në këmbë sot, pranë varrit të djalit.

Lotët nuk po i mban dot, derisa mbi fotografinë e tij po vendoseshin lule nga familjarët.

“Djalin ma ka kanë marrë në Mejë, pa i bërë 16 vjet, ka qenë nxënës i shkollës, ma kanë ndarë prej shokëve….. Ishalla more Zot këtë vend e gëzojnë të tjerët, e gjaku i tyre ishalla paguhet, sepse askush nuk po i këqyr as nuk po lodhet për ta”, tha ajo.

Ajo tha se 27 prillin nuk mund ta harrojnë asnjëherë.

“Kurrë nuk e harrojmë këtë ditë, ditë për ne është sa të jemi gjallë me mbajt kujtim. Është shumë ditë e dhimbshme, shih sa njeriu është, krejt me lot në sy kemi shkuar në Shqipëri”.

Pranë saj qëndronte edhe bashkëshorti, Riza Avdyli, i cili tha se Serbia duhet të jap llogari për këtë masakër.

Bashkë me familjarët për të shënuar 20 vjetorin e Masakrës së Mejës dhe Ditën e të Pagjeturve ishte edhe Nysrete Kumnova, e cila drejton shoqatën “Thirrjet e Nënave”.

Ajo tha se 27 prilli është ditë e rëndë për të gjithë Kosovën.

Sipas saj, është një lehtësim kur datat shënohen dhe janë të gjithë së bashku për t’i përkujtuar, por që nuk duhet të mbetet vetëm me shënim të këtyre datave.

“Kjo çështje duhet të jetë në agjendë çdo ditë, derisa kriminelët të dënohen, të dalin para drejtësisë dhe të na i kthejnë edhe 1200 shqiptarë që ende janë nëpër varrezat masive të Serbisë”.

Ajo shpreson që do të arrihet të ngritët kallëzim penal për të gjithë kriminelët e Serbisë.

Për të shënuar këtë ditë, në Mejë të shtunën shkuan shoqata të familjeve të personave të pagjetur, nga e gjithë Kosova.

Bajram Qerkinaj nga “Zëri i prindërve”, tha se mllefi i familjarëve nuk shërohet me fjalë, por me punë dhe me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Në Kompleksin Memorial në Mejë, kryeministri i Kosovës kishte organizuar akademi përkujtimore, ku familjarëve, përveç tij, iu drejtua edhe presidenti i Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Komunës së Gjakovës.

Sivjet, për herë të parë Mejën më 27 prill e vizitoi një ambasador amerikan. Phillip Kosnett foli para familjarëve, ku tha se masakra e Mejës ishte e tmerrshme. /kp/Telegrafi/

TAGS