Anomalitë e Kupës, kur FSHF e trajton si pronë private. Evitohet shorti sistematikisht dhe premio si në vitin 2002

Anomalitë e Kupës, kur FSHF e trajton si pronë private. Evitohet shorti sistematikisht dhe premio si në vitin 2002

Sot do të luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Një trofe i cili për nga rëndësia është i dyti në vendin tonë, por për nga vlera është aspak i vlerësuar nga institucioni i futbollit që e organizon. E si për ta shpjeguar se çfarë ndodh me këtë kompeticion, gazeta sjell disa nga anomalitë që e shoqërojnë zhvillimin e tij.



Së pari, bëhet fjalë për një kompeticion, shpërblimi për të cilin qëndron njësoj si në vitin 2002. Mos u habisni, jemi në vitin 2020 dhe askush nuk ka diskutuar që të rritet vlera e shpërblimit për ekipin fitues. Më keq akoma, që vetë e ashtuquajtura Ligë Profesioniste është injoruar nga FSHF për kërkesën që vlera prej 50 milionë lekësh (të vjetër) të rritet. Shifër që nuk korrespondon kurrsesi me vlerat e kohës dhe atë për çfarë skuadrat kanë nevojë që të jenë të motivuara në këtë kompeticion.

Së dyti, në këtë kompeticion po marrin pjesë skuadra që nuk janë licencuar për pjesëmarrje në Kupat e Europës. Për sqarim, ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë përfiton biletën e katërt në Kupat e Europës, pas tri të tjerave që shkojnë nga kampionati. Skënderbeu nuk mund të marrë pjesë në kompeticionet europiane për shkak të dënimit nga UEFA. Të paktën, deri në momentin që nuk do të ketë një vendim në favor në Gjykatën Federale të Zvicrës që të mund të zhbëjë ose reduktojë vendimin e UEFA-s i lënë në fuqi nga KAS-i. Jo vetëm kaq, por një tjetër shembull është ai i Vllaznisë. Skuadër e cila nuk është futur në procesin e licencimit, në fazën e fundit kur edhe dorëzohet dokumentacioni me të dhënat financiare. Duke qenë kështu, FSHF u jep mundësinë ekipeve që të bëjnë shkëmbime të ndryshme, duke përdorur Kupën në varësi të kampionatit, shkruan PanoramaSport.

Së treti, anomalia e radhës është “pilotimi” i këtij kompeticioni. Si ka mundësi që FSHF vazhdon që të paracaktojë Kupën e Shqipërisë? Pse nuk ndodh si për shembull në Angli, që për çdo fazë të këtij kompeticioni të ketë short? Pse nuk tentohet spektakli i shtuar dhe konkurrenca që në fazën e dytë, ku për shembull mund të ketë një derbi spektakolar Tirana-Partizani? Nga çfarë ka frikë FSHF që i mëson së njëjtës skemë prej vitesh?

TAGS