Alasdair Bell i gatshëm për t’ia dhënë edhe një ndihmë të madhe Kosovës

Alasdair Bell i gatshëm për t’ia dhënë edhe një ndihmë të madhe Kosovës
16:07 | 24 Shtator 2019

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Milano ka takuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Alasdair Bell.

Alasdair Bell është një emër i njohur për opinionin në Kosovë, për argumentet e dhëna në favor të FFK-së, në Kongresin e UEFA-s në Budapest në maj të vitit 2016.

Bell, me argumentet e tij i kishte dhënë një dorë të mirë Kosovës për pranim në UEFA.

Ky i fundit, ka vendosur që t’i jap edhe një ndihmë Kosovës.

Ai i ka premtuar presidentit Ademi, se do të përkujdeset për të parë se ku ka ngecur procedura për Loret Sadikun, të cilit FIFA nuk po i jep të drejtë të luajë për Kosovën.

Njoftimi i FFK-së:

Presidenti Agim Ademi gjatë qëndrimit në Milano ka takuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Alasdair Bell, i cili në opinionin tonë njihet për argumentimin e shkëlqyeshëm që i dha Kongresit të UEFA-s në maj të vitit 2016 për të drejtën e Kosovës për t’u bërë anëtare e UEFA-s.

Presidenti Ademi edhe një herë në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë e falënderoi z. Bell për respektin që ka treguar ndaj FFK-së dhe për argumentimin brilant ligjor në favor të pranimit të Kosovës në UEFA. Presidenti Ademi theksoi se opinioni në Kosovë ende e ka të freskët fjalimin e z. Bell, i cili arriti të heqë të gjitha pengesat ligjore kundrejt votimit për anëtarësim të Kosovës në UEFA.

Nga ana e tij z. Bell ishte modest, duke theksuar se në atë ditë para Kongresit të UEFA-s kishte interpretuar ligjin dhe rregullat e pranimit dhe kjo ishte një e drejtë legjitime e Kosovës.

Ai e përgëzoj presidentin Ademi për arritjet e deritashme dhe u shpreh i lumtur që Kosova në këto tri vite të anëtarësimi në UEFA e FIFA ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe po tregohet storie e suksesit në çdo fushë.

Ndërkohë, temë e këtij takimi ishte çështja e Loret Sadikut, i cili ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin rreth fitimit të së drejtës për t’u paraqitur në Kombëtaren e Kosovës. Me këtë rast, z. Bell theksoi se do të përkujdeset për të parë se ku ka ngecur ky proces dhe nëse mund të ecet tutje. Në fund, presidenti Ademi e ftoi z. Bell që ta vizitojë Kosovën, në njërin prej manifestimeve të FFK-së, për çka ai u shpreh falënderues dhe theksoi se me dëshirën më të madhe do të vjen në Kosovë./Lajmi.net/

TAGS