AGK dënon kërcënimin ndaj gazetarit Diamant Bajra nga kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë

AGK dënon kërcënimin ndaj gazetarit Diamant Bajra nga kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon kërcënimin dhe gjuhën e përdorur të Kryetarit të Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, ndaj gazetarit Diamant Bajra, gjatë bisedës së tyre telefonike.

Sipas AGK, Bajra kishte telefonuar kryetarin e BIK-ut në Pejë, lidhur me atë se Arifaj dyshohet se ka qenë i përfshirë në rastin e zhvarrimit të një kufome dhe rivarrimit të saj në një hapësirë tjetër, pa praninë e familjarëve. Rasti është iniciuar nga Policia e Kosovës si “dëmtim i varrezave apo kufomave”.

Gjatë po të njëjtës bisedë telefonike, Arifaj ndër të tjera ka theksuar “Shiqo Diamant, mirë bane që me thirre se me ty kam punë kismet Allah në gjykatë për një shpifje që ma ke ba. Edhe i bën selam informatorit tënd që po shpif bashkë me ty, na në gjykatë kemi me u pa. Unë të njoh kush je se Istogu edhe Izbica nuk janë larg, familjarisht të njoh mirë kush je”.

AGK e dënon kërcënimin dhe gjuhën e kryetarit të BIK-ut në Pejë, duke ftuar atë të distancohet nga gjuha e tillë dhe qasja ndaj gazetarit.

AGK gjithashtu fton Arifajn, që në rast se ka pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga Bajra, gazetar në “Gazeta Blic”, t’i ndjek rrugët ligjore dhe assesi të mos përdorë gjuhë kërcënuese e denigruese ndaj gazetarit. /Telegrafi/

TAGS