Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI) sot do të mbajë mbledhje në të cilën do të vendos për hapat e ardhshëm, njoftoi për MIA-në nënkryetari i partisë Bujar Osmani, pasi integristët dje njoftuan se filluan “Rojën për Gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese deri në mbajtjen e seancës për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, transmeton Portalb.mk.
“Deri më 11 dhjetor sigurisht që do të qëndrojmë dhe vendimet e mëtejshme do të merren më tutje. Sot është mbledhja e Kryesisë Qendrore, ka edhe koordinim të liderëve nga ‘Fronti Evropian’ ku do të vendosen hapat e ardhshëm”, thotë Osmani.
Sipas tij, thirrja për “Rojën për Gjuhën” nënkupton mbrojtjen e Maqedonisë së Veriut multietnike, sepse, siç thekson ai, kjo nuk është vetëm kauza e shqiptarëve.
“Thirrja për mbrojtjen e gjuhës është për të gjithë, megjithatë jo vetëm për gjuhën, por është një thirrje për të ruajtur Maqedoninë e Veriut multietnike, demokratike dhe evropiane, ndaj kjo nuk është vetëm kauza e shqiptarëve, këtu pres çdo njeri me vullnet të mirë, i cili beson se deri tani duhet t’i kemi tejkaluar çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të bashkësive etnike dhe të ndërtojmë një shtet dhe shoqëri që synon Bashkimin Evropian, por, për fat të keq, forcat retrograde po përpiqen të na kthejnë pas, duke shkaktuar gjënë më të shenjtë për qytetarët”, thekson Osmani.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është duke zbatuar urdhrat e VMRO-DPMNE-së në pushtet, e cila, siç tha ai, në programin e partisë e ka ndalimin e përkatësisë etnike.
“Më vjen keq që si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kemi një Gjykatë Kushtetuese që zbaton programin e një partie. E dini se vendimi për ndalimin e përkatësisë etnike është i shkruar në programin e VMRO-DPMNE-së dhe zbatohet me urdhër të partisë përmes Gjykatës Kushtetuese”, thotë nënkryetari i BDI-së.
Kujtojmë se dje, përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” ku do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige. Kjo vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve.