Festimi i 28 nëntorit nga qytetarët shqiptarë në RMV ka rezultuar me 8 persona të arrestuar nga policia. Këta, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, janë arrestuar pasi 4 prej tyre dyshohet se kanë poshtëruar flamurin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa katër të tjerët janë arrestuar për shkak se për ta Toshkovski thotë, se kanë kryer shkelje, pjesëmarrje në rrahje. Megjithatë, i pari i policisë këto veprime i quan veprime që ndezin tensione ndëretnike.
PANÇE TOSHKOVSKI,MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Sfidat e mbrëmshme ishin drejtpërdrejt ndaj dinjitetit të qytetarit maqedonas. Nuk do të lejojmë veprime të këtilla të ndezin tensione ndëretnike në Maqedoni. Atë që e kemi folur, është se ka paralajmërime, ka tentime që do të ndezin padurim ndëretnik në Maqedoni. Ja prova se e njëjta po ndodh. 4 nga ata persona janë arrestuar për shkak se kanë kryer shkelje, pjesëmarrje në rrahje. 4 persona të tjerë janë arrestuar për shkak se për ta kemi baza të dyshimit se kanë kryer vepër penale, ku është paraparë dënim minimal me 1 vjet burg”.
E kur është në pytje destabilizimi, që nga partia tani më në pushtet, VMRO-DPMNE, e kanë përmendur disa herë, Toshkovski dërgoi një porosi, duke thënë se ashpër do të përgjigjen.
PANÇE TOSHKOVSKI,MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Dua të dërgoj porosi te të gjithë ata që e kanë ndërmend të shkaktojnë çfarëdo skenari për destabilizim të Maqedonisë. Ashpër do të përgjigjemi në çfarëdo tentimi”.
Ndërkaq, nga Prokuroria Publike theksojnë se po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes në tërësi.
Samir Mustafa /SHENJA/