Në Kuvend sot do të vazhdojë debati mbi amendamentet për Buxhetin për vitin 2025. Dita e fundit për amendamentet për thesarin e shtetit është nesër. Për shqyrtim, sipas informacioneve nga Kuvendi janë rreth 150 amendamente.
Debati për amendamentet filloi më 19 nëntor dhe duhet të përfundojë më së voni deri më 30 nëntor. Janë dorëzuar gjithsej 307 amendamente, prej të cilave 204 janë nga LSDM-ja opozitare.
Pas debatit për amendamentet si Propozim i plotësuar, buxheti kthehet në Qeveri për miratim përfundimtar ku sipas afateve ligjore duhet të votohet në Kuvend deri në fund të këtij viti kalendarik. Pritet që seanca për miratimin e Buxhetit për vitin 2025 të caktohet në javën e dytë të dhjetorit.
Të ardhurat e përgjithshme në Propozim- buxhetin janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë. Deficiti i buxhetit është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind të PBB-së së planifikuar. Inflacioni pritet të ulet në nivel prej 2,2 për qind, si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe i karburanteve në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv, si dhe presioni më mesatar nga inflacioni bazë. Eksporti pritet të ketë rritje prej 4,2 për qind, ndërsa importi prej 4,4 për qind si rezultat i pritjeve për stabilizim gradual të rrethinës ndërkombëtare dhe rritjes së kërkesës së jashtme.
Komisioni për Financim dhe Buxhet sot do të mbajë edhe një seancë tjetër ku në rend dite është Propozim- ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akciza në lexim të dytë.
Seancë do të ketë edhe Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve i cili do të shqyrtojë Propozim- ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencën amë në lexim të dytë.