Ciro Immobile është gjithnjë e më pranë largimit nga Lazio.
Sulmuesi 34-vjeçar nuk është më titullar i padiskutueshëm te bardhekaltrit dhe për më tepër, ka prishur raportet me disa prej drejtuesve të klubit e shokë të skuadrës.
Pikërisht për këtë arsye, sulmuesi italian i është ofruar Interit për t’u bashkuar sërish me Simone Inzaghin duke nisur nga sezoni i ardhshëm, pasi pikërisht nën drejtimin e trajnerit nga Pescara ka bërë sezonet më të mira të karrierës.
Megjithatë zikaltrit duket se kanë refuzuar që në nisje një negociatë me Immobilen, që ka kontratë deri në verën e 2026-ës me Lazion dhe te Interi nuk kanë ndërmend të shpenzojnë para për të marrë një sulmues 34-vjeçar në ekip.
Për më tepër, zikaltrit kanë në organikë Thuram, Lautaron dhe Arnautovicin, teksa Sanchez është i vetmi që ka kontratë deri në fund të sezonit dhe vendin e kilenit pritet ta marrë iraniani Mehdi Taremi, që do t’i bashkohet Interit me parametra zero.