Lajmërimet e rreme për bomba u shoqëruan edhe me dezinformata. Në Tuiter u botua se nuk ka raportime për bomba në shkollat ku mësojnë shqiptarët.
Më 15.12.2022, një profil anonim në Tuiter botoi: “A e keni vënë re se në lajmërimet për vendosje të bombave nuk ka asnjë shkollë ku mësojnë shqiptarë?”. Ky postim u bë shpejt viral, me 40 rituite dhe mbi 200 pëlqime.
Mirëpo, të njëjtën ditë, Komuna e Çairit njoftoi se shkollat “Hasan Prishtina”, “Liria”, “Imri Elezi”, “Ismail Qemali”, “Vasill Glavinov”, “Kongresi i Manastirit”, “Jashar bej Shkupi”, “ Adem Jashari” dhe “Makarenko” kanë marrë në mëngjes e-maile me paralajmërime për bomba.
Edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, më 15.12.2022 njoftoi se ka pasur lajmërime për bomba në disa shkolla fillore, përfshirë edhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Edhe në shumë shkolla të mesme të Shkupit ku mësojnë edhe shqiptarët, paraprakisht kishte lajmërime për bomba, duke përfshirë edhe shkollën e mesme Cvetan Dimov në Çair.
Prandaj, pretendimi se “nuk ka pasur lajmërime për bomba të vendosura në asnjë shkollë ku mësojnë shqiptarët” është dezinformim dashakeq, i cili i përdor kërcënimet terroriste me bomba të vendosura në shkolla për të shkaktuar jotolerancë ndëretnike.