Moskontrollimi i fakteve në tekstet shkollore shkakton dëme të mëdha financiare dhe shoqërore. Shembull për këtë është teksti shkollor “Historia dhe shoqëria për klasën e V”, në të cilin mediat zbuluan më shumë informacione të gabuara.
Më 15.12.2022, disa tituj të mediave vunë në dukje gabimin në tekstin shkollor për lartësinë e Mont Everestit prej 29.305 metrave, pas reagimeve të prindërve në rrjetet sociale.
Më 16.12.2022, Slloboden Peçat raportoi: “Në tekstin shkollor, ndoshta si gabim teknik që nuk e ka vërejtur asnjëri nga autorët dhe recensentët e nënshkruar, thuhet se fqinji lindor i Republikës së Maqedonisë së Veriut është Shqipëria, kurse fqinji perëndimor është Bullgaria. Për Mont Everestin gjithashtu me sa duket bëhet fjalë për lëshim, sepse në njësinë matëse të këmbëve, maja është me të vërtetë 29,305 këmbë e lartë, e në metra është e lartë 8,848 metra”.
Më 16.12.2022, edhe portali “Nezavisen” vuri në dukje edhe dy gabime të tjera, se “Deti i Vdekur në Lindjen e Mesme është pika më e ulët në botë – 1400 metra nën nivelin e detit” dhe se “Nili, lumi më i madh në botë, i cili rrjedh nëpër Afrikë, “shtrihet nga Sudani deri në Detin Mesdhe”.
Më 16.12.2022, publikisht u prononcuan autoret e tekstit, të cilat justifikoheshin duke pohuar se padyshim bëhet fjalë për “gabime teknike”. Në të njëjtën ditë, MASH u bëri thirrje të gjithë autorëve dhe recensentëve, si dhe Byrosë së Zhvillimit të Arsimit dhe anëtarëve të Komisionit Nacional të Teksteve, “të rrisin përgjegjësinë dhe angazhimin personal”.
Më 19.12.2022, Shoqata e Historianëve renditi 13 gabime të mëdha në këtë tekst shkollor, duke bërë me dije se nëse ai përdoret, do të shkaktojë dëme të pallogaritshme.
Më 20.12.2022, profesori Minov vuri në dukje edhe dy gabime të tjera në tekstin shkollor: “Në faqen 88 thuhet se ‘Brazili është territori më i madh fqinj i SHBA-ve’, megjithëse Brazili nuk kufizohet me SHBA”. “Në faqen 86 thuhet se territori i SHBA është pas Brazilit dhe Kinës, duke e bërë vendin e pestë më të madh në planet, megjithëse SHBA kanë një territor më të madh se Brazili.
Më 21.12.2022, MASH u bëri thirrje qytetarëve dhe shoqatave që t’i raportojnë gabimet në tekstet e saposhtypura në adresën elektronike books@mon.gov.mk.
Në tekstin shkollor ka edhe gabime dhe lëshime të tjera. Së pari, në faqen 80 thuhet se “tërmeti i Tokios i vitit 1928 mori 140,000 jetë” që nuk është e vërtetë, sepse një tërmet me kaq viktima në Tokio nuk ndodhi në vitin 1928, por në vitin 1923.
Gjithashtu, në tekstin shkollor në faqen 87 thuhet se Kina është “shteti më i populluar në mbarë botën me më shumë se 1.250.000.000 banorë”, gjë që nuk përputhet me atë që shkruhet në faqen 84, se Kina ka një popullsi prej 1.448 miliardë banorë.
Teksti shkollor nuk citon asnjë burim për të dy shifrat.
Por sipas një raporti të OKB-së, Kina ka popullsi prej 1.426 miliardë banorësh në vitin 2022, dhe vlerësohet se në vitin 2023, India do të kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë.
Të gjithë shembujt konfirmojnë se faktet e paraqitura në këtë tekst shkollor nuk janë kontrolluar para shtypjes, gjë që është përgjegjësi e shumë palëve, jo vetëm e autorëve dhe recensentëve. Nëse do të kontrolloheshin me kohë faktet, nxënësin nuk do të dëmtoheshin dhe do të ishin kursyer shumë para të qytetarëve, të shpenzuara për shtypjen e informacioneve të gabuara.