Disa portale transmetuan Fejsbuk statusin e sekretares të së Majtës, Jovana Mojsoska, e cila pohon se Ligji për Konsumatorët është kontrabanduar “pa hapur diskutim publik”. Portalet në titull pohojnë se kjo është “shkelje e gjuhës maqedonase”, ndonëse kjo nuk është shkruar në statusin e Mojsoskës.
Më shumë portale transmetuan edhe statusin në Fejsbuk të deputetit të së Majtës, Borisllav Kërmov nga data 07.12. 2022, i cili pohon:
“Ndërsa Aliu na valëvit flamurin maqedonas që të gëlltisim më lehtë hapjen e Kushtetutës, BDI po fut dygjuhësi jokushtetuese në ekonomi, dhe tani edhe një dyqan në Berovë apo Strumicë do të duhet të jetë dygjuhësh ose do të gjobitet”.
Mirëpo, pretendimet e Kërmovit janë manipuluese, sepse sugjerojnë se Ligji për Konsumatorët fut dygjuhësinë në komunikimin gojor në ekonomi dhe në dyqane, si dhe më gjërë në ekonomi, gjë që nuk është e vërtetë
Ligji parashikon që informacionet për produktet dhe dokumentet duhet të jenë edhe “në gjuhën që flasin së paku 20% e qytetarëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj, gjë që nuk përjashton mundësinë e përdorimit të njëkohshëm edhe të gjuhëve tjera, si dhe shenjave apo piktogrameve që kuptohen lehtësisht nga konsumatori”.
Gjithashtu, është e pasaktë se Ligji është kontrabanduar “pa hapur diskutim publik”. Seancat e Kuvendit transmetohen publikisht, dhe më 2.11.2022 ka pasur debat për Ligjin për Konsumatorët, në të cilin deputetët e së Majtës nuk kanë marrë fjalën. Dhe, kur është votuar Ligji më 3 nëntor 2022, 61 deputetë votuan pro dhe asnjë nuk ka qenë kundër apo nuk ka abstenuar, edhe pse deputetë të së Majtës ishin regjistruar si të pranishëm.
Gjithashtu nuk është e vërtetë se ligji është inkuadruar nga BDI. Për ligjin votuan edhe deputetë nga Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, PDSH, Partisë Demokratike të Turqve të Maqedonisë, Partisë Serbe të Maqedonisë, LSDM, PLD, NSDP, DOM, Lidhjes Demokratike, Partisë së Pensionistëve, VMRO – Partisë Popullore dhe deputetë të pavarur.
Edhe para ligjit, shumica e deklaratave dhe udhëzimeve të produkteve publikoheshin në shumë gjuhë. Është në interes të prodhuesve dhe tregtarëve, si dhe të konsumatorëve, që informacioni i produktit të jetë i disponueshëm në sa më shumë gjuhë. Edhe pas këtij ligji, askush nuk i pengon prodhuesit që t’i informojnë konsumatorët në të gjitha gjuhët që përdoren në vend, si dhe në gjuhë tjera, jo vetëm në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip.
Prandaj, pretendimet se Ligji për Konsumatorët e fut “dygjuhësinë në ekonomi” i vlerësojmë si manipulime dhe spine, të cilat mund të nxisin jotolerancë ndëretnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike.