Dorëheqja këtë paradite u është dërguar shërbimeve dhe e njëjta do t’i dorëzohet Arkivit të Qeverisë, i tha TV21 Goran Milevski tashmë ministër në largim, i cili paraprakisht paralajmëroi se do të tërhiqet nga pozita e kryetarit të partisë PLD. Largimi i tij nga politika, siç sqaron, është për arsye personale. Kjo është dorëheqja e parë në qeverinë e Kovaçevskit. Si ministër për vetëqeverisje lokale përflitet emri i Risto Penovit ndërsa brenda partisë po udhëhiqen bisedime që ai ta pranojë funksionin e ministrit. Pas largimit të Milevskit gjithnjë e më të zëshme janë paralajmërimet për rikonstruktim të mundshëm të qeverisë. Nga LSDM-ja thonë se nëse do të ketë rikonstruktim, do të vendosë qeveria.
Nga qeveria për TV21 thonë se aspak nuk mendojnë për rikonstruktim.
“Për momentin qeveria fokusin e ka te realizimi i programit dhe detyrat që janë në drejtim të ballafaqimit me pasojat e krizës globale, përforcimit të standardit të qytetarëve, rritjes së ekonomisë dhe realizimit të qëllimeve të politikës së jashtme. Paralelisht qeveria vazhdimisht punon për avancimin e kapaciteteve të saj për arritjen e qëllimeve”, thonë nga Qeveria.
Nga VMRO-DPMNE komentojnë se sipas tyre rikonstruktimi nuk do të thotë asgjë e re dhe e mirë, por se dalja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.
“Në këtë kohë qytetarët mendoj se absolutisht nuk janë të interesuar nëse dikush prej këtij koalicioni të ngjitur do të jetë ministër i ri apo i vjetër. Nuk po shoh se me rikonstruktim të qeverisë, pa marrë parasysh nëse do të jetë rikonstruktim minimal ose jo, se do të gjejnë shpëtim nga kriza në të cilën na futën. Shpëtimi i vetëm është që të heqin dorë dhe vetë ata të propozojnë të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, pohoi Dafina Stojanova, VMRO-DPMNE.
Ka paralajmërime se me rikonstruktimin eventual të qeverisë mund të largohen ministrat aktual të shëndetësisë dhe shoqërisë informatike, Bekim Sali dhe Admirim Aliti që janë nga radhët e Alternativës. Kryetari i partisë, Afrim Gashi i mohon informacionet e tilla.
“Ministrat tanë Bekim Sali dhe Admirim Aliti janë mes ministrave më të suksesshëm të qeverisë. Ajo funksionon në mënyrë normale dhe nuk shohim asnjë arsye për hapjen e këtyre temave”, deklaroi Afrim Gashi, Alternativa.
Qeveria e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski tashmë 8 muaj e ka mandatin ndërsa ky është paralajmërimi i parë se ka mundësi për ndonjë rikonstruktim.