Ka shkuar në 10 numri i të vdekurve nga stuhia vdekjeprurëse “Daniels” që për 3 ditë me radhë goditi Greqinë qendrore. Sipas ministrit të Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, krahas numrit të konfirmuar të viktimave, katër persona rezultojnë ende të zhdukur.
Stuhia tashmë është tërhequr, por nisur nga numri i personave të zhdukur autoritetet besojnë se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej.
Në zonën e Larisës dhe Volosit operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende. Punonjësit e ekipeve të emergjencës janë në luftë me kohën për të larguar banorët e shumtë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre mes ujërave. Në fshatrat përgjatë lumit Pinios, ndërtesat veçanërisht ato një-katëshe janë nën ujë.
Guvernatori i Thesalisë Kostas Agorastos tha se prej të Martës, të paktën 1800 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Përllogaritet një sipërfaqe e jashtëzakonshme deri në 750 mijë hektarë tokë e përmbytur, siç dallohet edhe në këtë hartë. Ndërsa dëmet materiale mund të arrijnë në më shumë se 2 miliardë euro.
Tv Klan