​Cakaj: Vendimi për viza, pasqyrë e klimës politike elektorale në Holandë

​Cakaj: Vendimi për viza, pasqyrë e klimës politike elektorale në Holandë

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, theksoi se vendimi në parlamentin holandez për të kërkuar rikthimin e vizave me Shqipërinë është politikisht i motivuar.

“Që në fillim dua të sqaroj dy gjëra: E para një vendim i tillë është politikisht i motivuar, pra është më tepër pasqyrë e klimës politike elektorale në Holandë dhe po ashtu pasqyrë e tendencave politike në dritën e zgjedhjeve evropiane, se sa reflektim i realitetit faktik dhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

Në këtë kuptim ne duhet të mbështetemi tek të dhënat e komisionit që janë absolutisht në favorin e Shqipërisë se sa në mbizotërimin e perceptimeve publike momentale të vendeve anëtare”, tha Cakaj në një intervistë për Top Channel.

Sipas tij, aspekti i dytë është, nëse ky votim do të përkthehet në heqje të vizave për shqiptarët.

“Nga ana proceduriale një proces i tillë është tepër i ndërlikuar, meqenëse pas mocionit në parlament i mbetet qeverisë ta adresojë çështjen në komision. Dhe komisioni gëzon mekanizmin e pezullimit të vizave në kushtet si vijon: e para rritje e konsiderueshme e imigracionit ilegal, e dyta rritje e konsiderueshme e kërkesave për azil , e treta cenim i sigurisë publike të vendeve anëtare, rritja e kriminalitetit dhe po ashtu prapakthimi në zbatimin e kushteve që kanë qenë të nevojshme për liberalizimin e vizave të parashtruara nga komisioni”, ka theksuar ai.

Sipas tij në të gjitha kriteret teknike, Shqipëria qëndron në një pozicion solid dhe se siç tha ai nuk vlejnë argumentet e parashtruara për motive politike në parlamentin holandez.

“Ky nuk është një pozicion personal i imi apo një qëndrim politik i qeverisë shqiptare. Në fakt është konfirmuar në vetë seancën ku është marrë vendimi nga ministri i çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë të Holandës. Prandaj ne mbesim besim plotë që Komisioni do t’i hedh poshtë pandehmat e parlamentit holandez dhe natyrisht procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë do të mbetet i paprekur. Për më shumë dua të theksoj faktin se në dhjetor Komisioni Evropian kur ka bërë vlerësimin e kushteve të vlefshme për të ruajtur liberalizimin e vizave për Shqipërinë ka konstatuar se të gjitha ato janë të përmbushura. Për më shumë ne presim një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në maj të këtij viti, duke patur parasysh përparim in në 5 prioritet kyçe të parashtruara nga Komisioni. Kemi të bëjmë me një situatë ku të gjitha argumentet teknike janë në favor të Shqipërisë por për shkak të rrethanave të brendshme të shteteve anëtare dhe mbase në Bashkimin Evropian në përgjithësi ka mbizotërim të herë pas hershëm të zërave politikë, të cilët janë të motivuar nga fryma populiste, parimet euroskeptike dhe qendrimet anti emigracion dhe politikat përjashtuese në përgjithësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komunikimi me Komisionin Evropian dhe me homologë të tjerë të shteteve anëtare të BE-së, është një praktikë e rregullt e punës ditore.

“Dhe nga informacionet e bashkëpunimi që zhvillojmë në mënyrë të vijueshme ne presim më tepër lajme të mira nga komunikimi teknik që do të pasojë në maj se sa tërheqje të liberalizimit të vizave për Shqipërinë nga veprimi i fundit në parlamentin holandez”, ka thënë ai./kp/

TAGS