Ferid Murati: “Nuk kam ndërmend të dal në pension!”

Fillimi | Shenja | Ferid Murati: “Nuk kam ndërmend të dal në pension!” | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Evis HALILI, Shkup

 Dy tituj për nobelistin shqiptaro-amerikan 

Krenar për origjinën dhe kontributin që i ka dhënë njerëzimit, fituesi i çmimit Nobël, Ferid Murati, me modesti pranon se suksesin ia dedikon familjes dhe kombit. Vazhdimisht i angazhuar me hulumtime shkencore – më i fundit është ilaçi kundër kancerit. Murati për disa ditë qëndroi në Maqedoni, ku u nderua me dy tituj dhe mori pjesë në promovimin e biografisë së tij, “Nobelisti Ferid Murati, krenaria jonë”, shkruar nga shkrimtari Halil Zendeli.

Për kontributin e tij shkencor dhe afirmimin e çështjes kombëtare, me këto dy motivacione, nobelisti shqiptaro-amerikan, Ferid Murati, është nderuar me dy tituj gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup, kur u promovua edhe libri “Nobelisti Ferid Murati, krenaria jonë”, nga shkrimtari Halil Zendeli. Ndërkaq titulli “Qytetar nderi i komunës Çair” në Shkup iu nda nga kreu i këtij institucioni, Izet Mexhiti, gjatë një ceremonie në ambientet e komunës. Po ashtu edhe njërit prej bulevardeve të kësaj komune së shpejti do t’i jepet emri i nobelistit. 

Gjithçka ia dedikoj familjes dhe kombit

 “Sot i kemi dy ngjarje historike që shënojnë historinë e re të Çairit, shpallja e nobelistit tonë si qytetar nderi dhe emërimin e një bulevardi me emrin e këtij personaliteti të rrallë shqiptar”, vuri në dukje Mexhiti. Për Muratin kjo ceremoni e organizuar për nderin e tij e bën të ndjehet i lumtur dhe krenar që gjendet në mesin e shqiptarëve në Shkup. 

“Arritjet e mia janë falë përkushtimit të familjes sime dhe këtë ia dedikoj atyre dhe kombit tim”, u shpreh nobelisti gjatë pranimit të titullit. Një ditë më pas nga Universiteti Shtetëror i Tetovës iu titulli “Doctor Honoris Causa”, për të cilin Murati tha se ka një rëndësi të posaçme për të, jo vetëm për faktin e thjeshtë se i ndahet nga universiteti i vetëm shtetëror i shqiptarëve në Maqedoni, por edhe se ky institucion arsimor është vetëm disa kilometra larg vendlindjes së babait të tij.

“Të marrësh këtë titull nderi nga i vetmi universitet shtetëror shqiptar që ndodhet kaq afër vendlindjes së babait tim, Llakavicës, është gjë e veçantë për mua. Unë e dua kërkimin shkencor, mësimin dhe kujdesin për pacientin dhe kam dhënë maksimumin tim për të bërë të mundshme këto gjera, andaj mendoj se shumë njerëz nuk kënaqen me punën si kënaqem unë. Dhe, diçka, unë nuk e kam në plan të dalë në pension.... do të punoj gjithmonë. Shpresoj që ta ndihmoj edhe këtë universitet, që Maqedonia t’i ketë këto gjëra në të ardhmen”, u shpreh nobelisti Murati. Ky ishte titulli i 16-të “Doctor Honoris Causa”, tituj të cilët i janë akorduar ndër vite nga universitetet e tjera në botë. Deri tani ai e ka vizituar disa herë Maqedoninë dhe arrin t’i perceptojë dallimet që për të janë evidente. Ai vazhdimisht është i impresionuar nga ngjarjet në Ballkan. Muratin nuk e lënë indiferent ritmi i ndërtimeve në Tiranë dhe në Prishtinë, ku investohet në infrastrukturën rrugore. 

“Shpresoj që në të ardhmen Ballkani do të jetë një mini-SHBA, por në të njëjtën mënyrë e integruar ashtu siç janë popujt në Amerikë – të gjithë të kenë standard të mirë të jetesës dhe për këtë kanë të drejtë, por kjo do të zgjasë një kohë”, tha ndër të tjera nobelisti shqiptar.

Në luftë me kancerin

Vetë nobelisti tha se është i angazhuar që t’i vazhdojë kërkimet e tij shkencore në laboratorët në Shangai dhe në Uashington dhe se hulumtimet e të fundit kanë të bëjnë me avancimin e luftës kundër kancerit.

“Në laboratorin tim në Shangai po hulumtojmë ilaçin që avancon luftën kundër kancerit dhe shpresojmë se pas 5 apo 10 vitesh do të arrijmë t’i bëjmë të lumtur miliona njerëz”, tha Murati. 

Ferid Murati radhitet ndër shkencëtarët më të njohur në botë në punën kërkimore dhe shkencore në fushën e mjekësisë. Çmimin Nobel për mjekësi dhe fiziologji e mori për zbulimin e oksidit nitrik, si një molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular. Molekula që ia siguroi çmimin më prestigjioz është e njohur si një ndër përbërëset kryesore gjatë prodhimit të Viagrës. Ajo është një ndër zbulimet më të njohura në fushën e mjekësisë, njihet edhe për stabilizimin e tensionit të gjakut, arteriosklerozën, ndikon pozitivisht në tumoret e trurit, e zvogëlon shumimin e baktereve dhe e rrit imunitetin.

Largimi nga vendlindja

Ferid Murati, për nga babai, rrjedh nga fshati Llakavicë i Gostivarit. Babanë e tij e ka ndjekur historia e trishtë e çdo emigranti – largimi nga vendlindja në kërkim të një jete më të mirë. Dhe, për të prindërit kanë qenë shumë të rëndësishëm. E kanë inkurajuar dhe përkrahur, edhe pse nuk kanë qenë shumë të arsimuar. 

“Babai im vetëm disa muaj ka qenë në shkollë, por për shkak se orët ishin në gjuhën turke, të cilën nuk e ka kuptuar, e ka braktisur atë dhe është bërë çoban. Nëna ime në shkollë ka qenë vetëm një vit, por për shkak të shkollimit të vëllait dhe motrave ka hequr dorë dhe ka filluar të punojë në restorantin e familjes. Nga ata mësova se shkollimi është i çmueshëm dhe, nëse dua të kem një jetë më të mirë, duhet të kem arsimim më të mirë”, thotë Murati. Disa vite më parë iu dha mundësia që ta vizitonte për herë të parë fshatin e tij dhe të njihet me banorët, një çast të cilin e cilëson si një prej momenteve më emotive në jetë. Ky episod paraqitet në librin “Nobelisti Ferid Murati, Krenaria Jonë", nga Halil Zendeli. 

 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS