“Heronjtë” serbë të Shqipërisë

Fillimi | Shenja | “Heronjtë” serbë të Shqipërisë | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Nebil Çika, Shqipëri

Plagët e pashëruara të komunizmit

 Nga vetë veprimtaria politike e “heronjve” serbë të komunizmit shqiptar kuptohet vetë jo vetëm origjina serbe e tyre, por edhe angazhimi deri me krime në shërbim të politikave antishqiptare të aplikuar nga Jugosllavia dhe veçanërisht Serbia nëpërmjet vetë organizatës së komunistëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Që komunizmi shqiptar ishte pjellë dhe në shërbim të ish-Jugosllavisë kjo është tashmë një çështje e vërtetuar historikisht dhe e pranuar gjerësisht nga opinioni publik, por fakti që shumë prej “heronjve” zyrtarë të komunizmit, ende të vlerësuar si të tillë janë me origjinë serbe, duket se pak e dinë e aq më pak e pranojnë. Por, në një deklaratë në një të përditshme të Shqipërisë Pavlo Jakoja kryetar i një shoqatë të minoritetit serb në Shqipëri “Moraça-Rozafa” ka deklaruar origjinën serbe të disa prej ish drejtuesve dhe “heronjve” komunistë të Shqipërisë. Kështu, sipas tij, Vasil Shanto (Shantoviç), Vojo Kushi (Kushiç), Jordan Misje, Branko Kadia (Kadiç) etj. ishin pjesëtarë të minoritetit serb që jeton në dy ose tre fshatra në periferitë e Shkodrës. Nuk ka dyshim dhe sigurisht asnjë rëndësi politike e historike origjina serbe e heronjve ose drejtuesve kryesorë të komunizmit shqiptar, pasi në tërësi krejt kupola, për mos thënë, gjithë komunistët shqiptarë në Shqipëri ose Jugosllavi ishin pjesë e politikës që i shërbente Serbisë ndoshta më mirë se sa vete serbët e vdekur ose të gjallë të saj. S’ka dyshim që komunistët shqiptarë e kanë ditur origjinën serbe të heronjve të tyre, por në biografitë historike të tyre ishte shmangur një përcaktim i tillë, gjë që vazhdon ende të bëhet nga historiografia zyrtare edhe sot. Sot në Shqipëri gjen me dhjetëra institucione shtetërore, si shkolla rruge apo sheshe që mbajnë emrat e heronjve serbë të komunizmit shqiptar, madje edhe në qytete bastione të së djathtës antikomuniste e nacionaliste, si p.sh Shkodra. Natyrisht, është pjesë e vullnetit politik të pushteteve vendore në këto zona ndryshimi i këtyre emrave që nuk përcjellin asgjë pozitive në memorien historike të popullit e kombit tonë, ashtu siç është detyrim saktësimi zyrtar i origjinës etnike të tyre, shumë domethënës për misionin, politikën dhe veprat e këtyre “heronjve” serbë dhe promovuesve të tyre shqiptarë. Kur flas për vepra të këtyre “heronjve” serbë të komunizmit shqiptar, nuk kam parasysh mashtrimet e propagandës komuniste “të kërcimeve mbi tanket e armikut”, por ato vepra që ata kanë kryer në realitet.  

“Heroizmat” serbe 

Nga vetë veprimtaria politike e “heronjve” serbë të komunizmit shqiptar kuptohet vetë jo vetëm origjina serbe e tyre, por edhe angazhimi deri me krime në shërbim të politikave antishqiptare të aplikuara nga Jugosllavia dhe veçanërisht Serbia nëpërmjet vetë organizatës së komunistëve shqiptar ne Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Nga të gjitha dëshmitë vërtetohet se vrasja e shqiptarëve, veçanërisht e atyre nga familje të spikatura nacionaliste, kanë qenë heroizmat kryesorë të komunizmit shqiptar, pa dyshim edhe “të heronjve” serbë të tij. Për këtë dëshmon vetë “heroizmi “më i madh” “i Heroit të Popullit” Vasil Shanto(viç) që është pa dyshim vrasja në vitin 1943 ne Shkodër e Adem Boletinit, djalit të një prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare, Isa Boletinit, dhe të disa patriotëve të tjerë nga Kosova gjatë periudhës së Luftës së Dyte Botërore në Shqipëri. Mjafton vetë ky akt kriminal i këtij drejtuesit të njësive terroriste paramilitare të komunistëve shqiptarë, të njohura si “njësitet guerile”, për të kuptuar thelbin e heroizmave “të heronjve” serbë etnikë dhe serbë politikë të komunizmit shqiptar. Një tjetër figurë e njohur e atdhetare nga Gjakova, I. Shehu, u vra nga Shanto(viçi) dhe njësitet e tij terroriste, ndërkohë që 15 vjet me vonë një Shanto(viç) tjetër “hero” serb (i gjallë) i komunizmit shqiptar, vëllai “i heroit” të vdekur Pilo Shanto,drejtues i njohur i policisë sekrete të diktaturës komuniste “Sigurimi i Shtetit”, do të fuste në listat e pushkatimit pa gjyq në krimin e njohur si Masakra së Ambasadës Sovjetike T. Shehun, vëllain e atij që i vëllai Vasil e kishte vrarë me dorën e tij më 1943. Vasil Shanto(viçi) ishte një prej agjentëve me të spikatur jugosllavë në Partinë Komuniste. Si njeri i besuar i tyre ai ishte i vetmi përfaqësues i komunistëve shqiptarë në ANVOJ, në konferencë për Jugosllavinë, të organizuar nga komunistët e Titos në Jajce më 29 nëntor 1943. Pikërisht me ketë datë lidhet vendosja e datës 29 nëntor si dita e çlirimit nga nazistët e Shqipërisë në vitin 1946. Komunistët jugosllavë dhe shqiptare e zgjodhën pikërisht këtë datë pasi kishin parashikuar bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë – një fakt ky i njohur zyrtarisht dhe publikisht. Në ANVOJ Shanto mori direktivat për realizimin e projektit komunist të bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe filloi të punojë për implementimin e tij, gjë që ishte edhe arsyeja kryesore e vrasjes së tij nga forcat nacionaliste shqiptare në Shkodër. Ka qindra shembuj “të heroizmave” komuniste serbe të komunizmit shqiptar, por besoj se ky shembull me vëllezërit Shanto(viç) është i mjaftueshëm për të kuptuar çfarë kanë bërë e për çfarë janë nderuar e vazhdojnë të nderohen këta heronj në Shqipëri. 

Simbole të manipulimit të historisë 

Krimet serbe të komunizmit shqiptarë janë një fenomen i njohur dhe nuk përbëjnë më ndonjë surprizë për opinionin në Shqipëri, por pa dyshim që një problem e rrezik të madh përbën indiferenca zyrtare e publike ndaj këtyre krimeve dhe autorëve të tyre. Fakti që “heronjtë” serbë etnikë e politikë të komunizmit shqiptarë vazhdojnë të nderohen zyrtarisht, politikisht e publikisht, si Vasil Shanto, Vojo Kushi, Jordan Misja etj., është sa rishtues, aq edhe i rrezikshëm. Duke u kthyer edhe një herë në krye të radhës, besoj se institucione, rrugë e sheshe me emrat e Shanto(viçit) dhe heronjve të tjerë serbë të komunizmit shqiptarë janë pa dyshim më të shumta se ato me emrin e Isa Boletinit, ku në fakt nuk duhet të ekzistonin si të tilla. Sa për të birin, Adem Boletinin, të vrarë nga Vasil Shanto, nuk besohet të jetë shenjuar ndonjë institucion, rrugë ose shesh në Shqipëri. Kjo situatë patjetër duhet ta shqetësojë opinionin publik, por edhe institucionet shtetërore, sidomos ato të Shqipërisë dhe të Kosovës. Shteti shqiptar, sidomos institucionet e historiografisë dhe ato të arsimit, duhet të reflektojnë urgjentisht përballë këtij fenomeni kaq provokues, por edhe poshtërues për kombin, popullin e sidomos shtetin tonë. Është pa dyshim detyrim imediat sqarimi i opinionit, sidomos i brezit të ri, jo vetëm përkatësia serbe e këtyre “heronjve” të komunizmit, por edhe “heroizmat” antishqiptare të tyre. Në Tiranë, Shkodër e gjetkë ka dhjetëra institucione shtetërore e rrugë të njohura që mbajnë emrat e “heronjve” serbë të komunizmit shqiptar. Besoj se nxënësit, por edhe prindërit e tyre, nuk do të ndjeheshin mirë nëse do të kishin dijeni për etninë serbe por dhe “heroizmat” gjithashtu serbe të emrave të shkollave te tyre. Mendoni se si do të mund të ndjehet një fëmijë në shkollën "Vasil Shanto" në Tiranë kur të mësojë se “heroi” që mban emrin shkolla e tij jo vetëm që është serb, por ka vrarë edhe djalin e një heroi me përmasa legjendare, të Isa Boletinit, të vrarë gjithashtu nga serbo-malazezët, ndërkohë që nuk e di nëse ka ndonjë institucion të spikatur me emrin e tij. Një nga turpet më të ndyra, por edhe nga veprimet më të rrezikshme, është pa dyshim mungesa e informacionit ose më keq manipulimi i tij në tekstet e historisë, letërsisë ose lëndëve të tjera shkollore që flasin për “heronjtë” dhe heroizmat e tyre. Askund nuk thuhet se ata janë serbë, terroristë e antishqiptarë. Në fakt nuk gjendet një tekst zyrtar shkollor nga fillorja në universitet ku të thuhet se djali i Isa Boletinit është vrarë nga Vasil Shanto. Ndonëse 20 vjet pas rënies de jure të diktaturës komuniste kanë qenë të gjitha mundësitë që historiografia zyrtare t'i sqaronte shkencërisht këto çështje dhe institucionet e tjera të shtetit duhet të kishin reaguar sipas detyrës kushtetuese për të ridimensionuar historinë dhe protagonistët e saj. Kryeministri Berisha premtoi në mbledhjen e komisionit shtetëror të 100-vjetorit të pavarësisë se do ta bëjë një gjë të tillë, gjë që nuk kemi asnjë arsye serioze të mos e besojmë. Shtetit shqiptar, historiografisë dhe institucioneve të tjera u duhet të zgjedhin midis manipulimit të politikës dhe të vërtetës në trajtimin e historisë, vlerave dhe memories së kombit dhe popullit tonë. Rishikimi i historisë ka qenë një nga proceset më të vështira të këtyre 20 viteve postdiktatoriale. Historia jonë është e shkruar keq, me deformime esenciale dhe me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen e kombit tonë. Për arsye nga më të ndryshmet rishikimi i saj është bërë i pamundur, por më e keqja është se deformimi, falsifikimi dhe manipulimi vazhdon. Besoj se arsye kryesore është konflikti i interesave që politika, por edhe një pjesë e mirë e akademikëve të historisë, pronarë e drejtues të mediave, kanë me përpjekjet për rishkrimin real të saj. Personalisht ose familjarisht e lidhje të tjera të tyre ose preken drejtpërdrejt nga e vërteta si protagonistë, por edhe si shkrues të historisë së falsifikuar komuniste të Shqipërisë. Mendoj se është detyre e të paimplikuarve në krimin e falsifikimit të historisë që të bëjnë diferencën, duke thëne të vërtetën për të çfarë ndodhi për gjysmë shekulli në shtetin shqiptar, por edhe në atë pjese të kombit që ka ngelur jashtë tij. Besoj se politika e para e ka detyrë ta bëjë këtë. Të gjithë ata “heronj” serbë të komunizmit shqiptar, që thamë më lart, madje edhe të tjerë, si Miladin Popoviqi, gëzojnë ende titujt e larë dhe dekoratat e dhëna nga shteti komunist. Një rishikim ose rivlerësim i këtyre titujve e dekorimeve nga institucionet që e kanë të drejtën kushtetuese ta bëjnë këtë, do të ishte hapi i parë drejt riparimit të këtij defekti. Mendoj se çdokush tjetër që i toleron këto çështje është i justifikuar përderisa “heronjtë” serbë dhe kriminelë të tjerë të konsideruar si të tillë nga komunistët janë zyrtarisht “heronj” të kombit e popullit shqiptar.  

Te fundit - Shenja
Me te lexuarat sot dhe te muajit
struga
ALMAKOS
tav
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus