Xherdan Shaqiri, ylli që po shndrit në Evropë!

Fillimi | Shenja | Xherdan Shaqiri, ylli që po shndrit në Evropë! | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Agim BINAKU, Prishtinë

Gjilanasi që po mahnitë

 

Përkeqësimi i situatës politike në Kosovë, sidomos pas të nëntëdhjetave, ndër shumë të tjerë, kishte bërë që edhe prindërit e Xherdanit të migrojnë në Zvicër. Gjilanasit tradicionalisht e kishin Zvicrën si një vendlindje të dytë dhe, nëpërmjet miqve e dashamirëve, edhe familja Shaqiri vendoset në qytetin e Bazelit.

 

Mjafton që në "Google" të klikosh emër e mbiemër dhe të gjesh gjithë biografinë dhe të dhënat për karrierën e futbollistit që magjeps Xherdan Shaqiri dhe t'i kuptosh edhe detajet më të rëndësishme rreth karrierës dhe jetës sportive e private të këtij 21 vjeçari, i cili prej ditës në ditë po e rrit bujën e vet dhe të kombit shqiptar. Megjithatë, ajo që më ra ndër mend përnjëherësh është se përse emri i tij shkruhet jashtë normave të gjuhës shqipe (Xherdan). Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme jepet ky shpjegim për këtë emërtim dhe për domethënien e tij: GJERDAN m. sh. 1. Varg me gurë të çmuar, me florinj a me rruaza, që e varin gratë në qafë si stoli: Gjerdan i florinjtë. Gjerdan me margaritarë (me xhevahir). 2. Rrip për të mbajtur fishekët, që shtrëngohet pas mesit ose tërthoras pas gjoksit: Gjerdan fishekësh etj. Por, a thua ka kjo shumë rendësi kur bëhet fjalë për një çun të mrekullueshëm, qoftë në fushën e futbollit, qoftë edhe jashtë saj. Dhe, do ta shkruaj ashtu siç e ka regjistruar ndonjë ofiqar gjilanas më 10 tetor të vitit 1991, kur edhe u lind Xherdani dhe kur emri i tij nuk u shkrua sipas normave të gjuhës shqipe, por sikur i falet ky gafë, sepse tani kemi të bëjmë me një yll, i cili sot thekshëm po shndrit në botën e futbollit mu si një gjerdan i florinjtë.

Ishte pothuajse e pamundur të kontaktohej me të këto ditë të fundit të këtij viti, i cili po perëndon me triumfin e plotë të gjilanasit, i cili mu në këtë periudhë ngre lartë personalitetin e tij prej futbollisti dhe prej një të riu, që sapo ka nisur një epokë të re në futbollin evropian. E kishte për qejfi të intervistohej për lexuesin tonë, por nuk i premtoi koha, sikurse ne duhej ta përfundonim shkrimin kushtuar këtij protagonisti, duke e lënë hapur mundësinë që një ditë pse jo të jetë edhe mysafir në redaksi. Prandaj, këtë shkrim kushtuar Xherdanit do ta krijojmë me disa opinione, të cilat i mora nga disa analistë dhe futbollistë e ish-futbollistë, të cilët e vlerësojnë atë si futbollist dhe protagonist të padiskutueshëm të futbollit me përmasa të gjëra.

"Xherdani është me një talent të paparë shpërthyes. Aftësitë e tij kryesisht vërehen me ndërhyrje për të ndaluar rivalin, për të organizuar sulmin, për të asistuar, por edhe për të shënuar. Në futbollin e sotëm mu këta individë janë më të çmuarit dhe më të vlefshmit në një skuadër. Pra, ka krosim shumë të mirë, ka depërtim karakteristik sidomos në krahun e majtë, por ka edhe goditje të fortë. Për t'u kompletuar, atij i duhet ta përsos shkëputjen për të qenë më aktiv para portës rivale", ka thënë Vokrri, ish-futbollisti i spikatur, sot kryetar i FFK-së.

Albert Bunjaku, përzgjedhës i FFK-së për të shprehet kështu: "Edhe në fillimet e para të këtij virtuozi kam parashikuar karrierë të mirë për të. Kam pasur rastin ta ndjek edhe në stërvitje, por edhe në ndeshje sa ishte në Zvicër. Dhe, do të pajtohesha me deklaratat e bëra shumë vjet përpara të Otmar Hicfild-it. Ky djalosh ka eksplozivitet dhe energji të paparë. Është luftarak dhe shumë punëtor. Përparësi ka në fazën e sulmit, por më duket se në defansivë çalon pak ose nuk po mund të përshtatet aq shumë në Bajern me një lojë të tillë, kurse në ofensivë është i paparashikueshëm; i veçoj krosimet dhe goditjet e tij të forta dhe shumë të sakta".

Behar Maliqi, futbollist i Prishtinës, në lidhje me të, thekson: "Mendoj që është futbollisti më cilësor shqiptar aktualisht dhe kjo dëshmohet më së miri me faktin se po luan për një nga klubet me të mëdha në botë, për Bajernin e Munihut. Asnjë shqiptar tjetër nuk ka arritur në nivelin e tij dhe Xherdani së bashku me Granit Xhakën qysh tani janë krenaria jonë. Mosha e re e Xherdanit na bën optimist që ai shpejt do të marrë rol edhe më të rëndësishëm te Bajerni dhe, me kalimin e kohës, të bëhet gjithnjë e më vendimtar për këtë skuadër. Fillimi është shumë premtues, sepse përkundër moshës, ka arritur të stabilizohet shumë mirë në një nga ekipet më cilësore në botë".

Ndërkaq Azem Brovina, doajen i gazetarisë së sportit, thotë se Xherdani është një mjeshtër i rrallë që na bën të krenohemi: "Më fascinon me energjinë që ka. I fortë në duele, vrapues i madh me tipare të larta në fazën e sulmit. Ndonjëherë më ngjason në lojën e Vokrrit. Ai me Riberinë të fusin flakën".

 

Biografia e shkurtër 

I lindur më: 10 tetor 1991

Vendlindja: Gjilan 

Gjatësia: 1.69

Pesha: 72 kg  

Pozicioni: Mesfushor 

Klubi: Bajern – Munih 

Numri i fanellës: 11 

Karriera: 

19992001 SV Augst-Zvicër 

20012009 FC Basel- Zvicër 

Nëpër vite: 

20072009 FC Bazel U21 19 (8) 

20092012 FC Bazel 90 (29)

Në Bajern që nga data 1 korrik 2012 

Ka kontratë katërvjeçare

2012 – Bajern Munih 12 ndeshje (1 gol) 

Liga e kampionëve 5 (1)

Në garat e Kupës Gjermane 3 (2)

Për kombëtaren e Zvicrës 

2008 Zvicër U17 4 (0) 

2008 Zvicër U18 2 (0) 

2009 Zvicër U21 7 (1) 

2010 Zvicër 22 (7) 

 

Fillet e sportit

Trajneri i tij i parë te skuadra SV Augst, Michael Meier, ka thënë me një rast se, pasi e kishte zëvendësuar Shaqirin, ai kishte kërkuar që prapë të luante. "Vetëm një minutë pasi e zëvendësova, ai qëndronte afër meje në këmbë dhe më kërkonte ta riktheja në fushë, por ishte e pamundur, rregullat nuk lejojnë. Ka qenë i etur për të luajtur futboll dhe këtë sport e donte me gjithë zemër", ka thënë Meier. Dashurinë e madhe të Shaqirit për futbollin e kujton edhe mësuesja e tij e parë, Monika Hufschmid. Ajo ka thënë se Shaqiri ka qenë edhe më muskulozi i klasës, duke iu referuar trupit të tij atletik. "Shaqiri gjithmonë ka qenë sportist. Në oborrin e shkollës gjithmonë vraponte dhe gjuante me top në të gjitha portat", ka thënë mësuesja Hufschmid. "Në një mbledhje të prindërve babai i Shaqirit pat zbuluar se djali i tij mban peshat nën krevat dhe ushtron me to çdo ditë. Kjo ishte përgjigjja e tij kur është pyetur për muskujt e Shaqirit", shkruajnë gazetat zvicerane.

Angazhimi profesional 

Shaqiri prej vitit 2009 është pjesë e ekipit të parë të Baselit. Ai me fanellën e Baselit ka shënuar dhjetë gola në 69 paraqitje në të gjitha garat. Shaqiri ka fituar dy tituj kampioni të Zvicrës dhe një trofe të Kupës. Ai i është bashkuar përfaqësueses zvicerane para fillimit të botërorit "Afrika e Jugut 2010" dhe deri më tani ka shënuar shtatë gola në 22 ndeshje të zhvilluara. Shaqiri sot është pjesë vitale e klubit Bajern të Munihut.

 

Si e thërrasin Xherdanin?

"Xhuxhi magjik", "Margaritar i pagdhendur", "vogëlushi", "Shaq Attack", "Messi i Alpeve", "Superylli i ri i futbollit zviceran", janë disa nga epitetet me të cilat është pagëzuar Xherdan Shaqiri gjatë rrugëtimit të tij të suksesshëm si futbollist i Baselit dhe, sot, i Bajernit.

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS