Kosova në vitin zero

Fillimi | Shenja | Kosova në vitin zero | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Në kohën e arrestimeve dhe lirimeve 

 

Arrestohet Limaj, lirohet Haradinaj dhe publikohen përgjimet e zyrtarëve të lartë të PDK-së, atyre me të cilët është i gatshëm të bashkohet i sapoliruari Ramush Haradinaj. I gjithë ky strumbullar politik në Kosovë zhvillohet për vetëm pesë ditë, kur për fat të keq shqiptarët e Kosovës e kuptojnë se janë aty ku ishin në qershorin e vitit 1999. Pse?!

 

EULEX-i arreston Fatmir Limajn, Haga liron Ramush Haradinajn dhe çlirimtarët e Kosovës sërish janë të gatshëm të qeverisin. Bëhen nul akuzat dhe kundërakuzat për keqqeverisjen, SHIK-un, veriun e Kosovës dhe bisedimet me Beogradin dhe shfaqet një skenë e re politike, shpresëdhënëse në shikim të parë, por EULEX-i kishte menduar edhe për këtë moment politik – publikohen përgjimet e zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilët mund të jenë kundër “pazarit” për Kryeministër, por tashmë filluan të mendojnë se ku do të ndalet misioni europian në Kosovë. Të sharat nuk i kanë problem, pavarësisht se tronditën opinionin kosovar, i cili harron se partneri i sapoofruar i koalicionit i ka sharë edhe si parti, kur ata kishin mbushur një stadium të tërë dhe konsideroheshin si “komandantë të Bllacës”.

Kështu fillon dhjetori ’00 për Kosovën, i cili për dallim nga qershori i vitit 1999 është pa Fatmir Limajn, i njohur si Komandant Çeliku, me mbështetësit e tij të shumtë, që përçanë PDK-në, me qeveri pa LDK-në nëpër këmbë dhe, për fat të keq, pa veriun e Kosovës. Çfarë mund të ndryshojë koalicioni PDK-AAK sikur edhe të arrihet kompromisi për Kryeministrin.

 

Nga Vlora në pranga, nga Haga në liri

 

Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, shpallet qytetar nderi i Vlorës, i qytetit ku para 100 viteve u shpall pavarësia e Shqipërisë, duke mos i shkuar ndër mend se vetëm pas 72 orëve do të përfundojë në pranga. Ishte ora 14:05 kur mediat serbe informojnë se ka filluar procesi i arrestimit të Fatmir Limajt për krime lufte në Kosovë, pastaj kjo përgënjeshtrohet nga EULEX-i, duke bërë të ditur se janë arrestuar tre persona të tjerë për rastin Kleçka, por “lajmi serb” do të bëhet realitet vetëm rreth mesnatës. Ish-komandanti i UÇK-së, ish-ministri i Transportit dhe nënkryetari i partisë më të madhe në Kosovë, PDK, Limaj – si qytetar i rregullt i shtetit më të ri në Evropë, do t'i përgjigjet ftesës së EULEX-it rreth orës 17:00 për një bisedë informative. Por, ajo nuk rezultoi si e tillë, ngase jetësoi paralajmërimin e mediave të Beogradit dhënë shumë orë më parë – Komandant Çeliku paraburgoset për rastin Kleçka, një rast për të cilin ishte liruar nga Gjykata për Krime Lufte në Hagë.

Arrestimi i EULEX-it shokoi shumë nga qytetarët e ndershëm të Kosovës, që po e shijonin lirinë dhe po prisnin me padurim ditën e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, duke mos menduar për asnjë moment se kjo festë e madhe kombëtare do të zhvillohet edhe pa dy nga komandantët e UÇK-së, Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn. Komentet ishin të ndryshme, por ato ndaluan shumë shpejt kur nga Haga kthehet Komandanti dhe po ashtu qytetari i ndershëm i këtij vendi, i cili ishte nisur drejt Gjykatës për Krime Lufte në Hagë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Për lirinë e tij u gëzuan i madh e i vogël, luftëtarë dhe pacifistë në Kosovë, ndërsa Beogradi zyrtar edhe kësaj radhe reagoi shumë ashpër dhe si pa kokë kërcënoi jo ata që i liruan, por Brukselin zyrtar. Këto vajtime serbe nuk do të pengojnë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë ahengun për lirinë e ish-kryeministrit, por edhe për këtë gëzim të madh ishte kujdesur EULEX-i. Nga erdhën nuk dihet, por përgjimet e bëra nga ana e EULEX-it për zyrtarët më të lartë të PDK-së përfunduan në media për t'u treguar shqiptarëve se si punëson PDK-ja, kush mendon se kryeparlamentari Krasniqi është “qen” dhe se këtij mbështetësi besnik të Fatmir Limajt nuk do t'i ndihmonte asgjë, sikur të ishte edhe vetë djali i Adem Jasharit. 

Si në rastet e skandaleve të tjera, edhe ai i përgjimeve do të kalojë si është më së lehti. Në këtë mjedis të operuar nga kujtesa, i cili u informua zyrtarisht se ishte përgjuar Grabovci, por nuk kuptoi dhe nuk kërkoi sqarime se si EULEX-i përgjon zv/ministrin e Transporteve, Adem Grabovci, dhe arreston ministrin e Transporteve, Fatmir Limaj.  

 

Shpëtimi “Haradinaj kryeministër” 

 

Mjaftoi një fundjavë që të harrohet Limaj, ashtu si edhe përgjimet, dhe kështu të intensifikohet ideja e koalicionit të ri qeverisës PDK-AAK. Temenaja që i bëri kryeministri dhe kryetari i PDK, Hashim Thaçi, ish-kryeministrit që po vinte nga Haga, shumë shpejt do të arsyetohet. Në horizont do të shohim një qeverisje të re, të trumbetuar si efektive, edhe pse aktorët do të jenë të njëjtë, ata që kanë qeverisur vendin. Argumenti i 100 ditëve të qeverisjes Haradinaj do të përdoret deri në bezdisje, ndërsa përafrimi do të ngecë pikërisht te koka, aty ku ngecja kishte shënuar hapin e parë në vitin e parë të çlirimit të Kosovës. Qeverisje po, por kush do ta kryesojë?!

Zyrtarët e lartë të AAK-së janë të bindur se këtë mund ta bëjë vetëm lideri i tyre, i sprovuar në postin e kryeministrit, ndërsa kjo nuk do të pritet mirë në radhët e PDK-së, që nëse me asgjë tjetër mund të mburren me numrin më të madh të votave që gëzojnë në Kosovë. Në këtë garë mburrjesh nuk do të mungojnë as opinionistët e paguar nga palët përkatëse, që veten e quajnë të pavarur, ama njohin vetëm një kryeministër të mundshëm, edhe pse i përzgjedhur nga garnitura e sprovuar.

Sikur Kosova të ishte Zvicër, nuk dihet se si do t'i bëhej halli i përzgjedhjes së kryeministrit, por kur ajo edhe pas 13 vjet çlirimi na kthehet në vitin ’00, shpëtimi nuk mund të gjendet nga lidershipi politik aktual, si ai që përflitet për qeverisje, ashtu edhe ai që pret zgjedhjet në opozitë. Në Kosovën pa pjesën veriore, të varfër dhe me papunësi ekstreme, të paanëtarësuar në OKB, pa liberalizim vizash, me shumë çështje të hapura me Serbinë, me integrime euro-atlantike që lënë shumë për të dëshiruar, në pritje edhe të ikjes së misionit ushtarak të NATO-s - KFOR, politikëbërësit aktualë nuk e shpikin dot zgjidhjen. Asnjë investim i kësaj politike nuk u materializua në vepër, përveçse u shpalos fytyra politike e të gjithë atyre që u konsumuan nga (keq)qeverisja. Sikur shpëtimi të quhet edhe “Ramush Haradinaj”, ai nuk do të mund të realizohet me lidershipin aktual të AAK-së, i cili është po ai i bashkëqeverisjes me LDK-në ose i një qeverisje të turpshme, për të cilën qytetarët e Kosovës vetëm se mund të luten që ai të mos kthehet më në tokën kosovare.

Që këta çlirimtarë nuk e bëjnë dot një qeverisje që respekton qytetarin e vet, flet edhe fakti i mungesës së respektit për bashkëluftëtarin e tyre Fatmir Limaj. Edhe pse i arrestuar vetëm ditë më parë dhe për një luftë çlirimtare, pjesë e së cilës ishte edhe koalicioni ëndërrimtar PDK-AAK, Limaj u harrua sikur të ishte arrestuar për ndonjë krim ordiner. Për të mos u larguar shumë në kohë dhe hapësirë, duhet ta përmendim Kroacinë dhe lidershipin e tyre, i cili në çdo paraqitje mendjen e kishte te gjenerali Ante Gotovina, i cili, për fat të mirë, sot gëzon lirinë. Gjenerali Gotovina u respektua nga Zagrebi zyrtar jo se “Kleçka” atje quhej “Stuhi”, por se lufta çlirimtare kroate, si në rastin e Kosovës, nuk kishte shkelur për asnjë çast mbi tokën serbe. 

E çfarë të kërkojë qytetari i shkretë në Kosovë nga PDK-AAK-ja kur ata harrojnë edhe Fatmir Limajn që sot nuk është vetëm i tyre. A mjafton vetëm vullneti për qeverisje dhe anëtarësim në BE, në mënyrë që ata të rishfaqen edhe në vitin ’00 me besimin tek një koalicion i suksesshëm qeverisës. A mund të bashkohet Mitrovica me po këta njerëz që kishin në duar fatin e gjithë Kosovës për 13 vjet dhe sot trumbetojnë për një të ardhme më të mirë. Në fund fare, nëse për këto 13 vjet ka diçka që kjo klasë politike ka prodhuar për qytetarin e Kosovës, janë ditët e lumtura që kanë përjetuar kosovarët për dallim nga ato të ankthit të pjesës tjetër të botës në pritje të 21 dhjetorit 2012. Nëse do t'i referohemi majave dhe parashikimit të tyre për dhjetorin 2012, qytetarët e Kosovës ishin komodë edhe pa informacionet nga NASA, meqë kjo sikur edhe të ndodhte, do të ndodhte më 21 dhjetor të vitit 4024. 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS