Etno-urbanizimi si paradigmë iliberale

Fillimi | Shenja | Etno-urbanizimi si paradigmë iliberale | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

 “Shkupi 2014”

 

 

“Shkupi është kopje tokësore e kopshtit parajsor”

Ibn Kemal (shek. XVI)

 

Shkupi është një vendbanim me përmasa globale, qytet në të cilin kryqëzohen kultura dhe identitete të ndryshme, qytet i paradigmave historike dhe civilizuese, pikë me histori të bashkëjetesës dhe të multikulturalizmit. Është pikëtakim rrugësh, traditash, gjuhësh. Disa e kanë quajtur Shkupin l’ombelico del mondo (kërthizë e botës), të tjerë “qendër dhe zemër të Ballkanit”.  

Shkupi, bashkë me Sarajevën (Bashçarshia), ka njërën nga çarshitë më të bukura të Ballkanit, që përbën një mozaik autentik. Aty do të gjeni qeleshen e shqiptarit, kaçketën e maqedonasit, shaminë e myslimanes, muzikën e bakllavanë turke, leblebixhiun torbesh, karrocierin rom. “Dhjetë qebapë ju lutem!”, “Simit pogaçë”, “Bujrum, bujrum!”, “Sa janë mollat?”, “Kumanovo, Kumanovo”.... “Allahu Ekber” (ezani), zëri i këmbanës së Kishës “Shën Spas” janë pjesë e siluetës dhe teatrit të gjallë të Shkupit. 

Tash, në vitin 2012, kur kaluan pesë dekada pas tërmetit katastrofal, Shkupi denjësisht ka ndryshuar dhe, nga utopia e Kenzo Tanges për qytet të hapur, e ka marrë emrin qyteti i ndarë. Ai Shkupi organik e natyral është zëvendësuar nga një tjetër, atë artificial: Shkupi GMC (genetically modified city), antikistani, që është i dëmshëm për shëndetin social të qytetarëve të saj. Ky qytet ka kaluar shumë periudha, nga Skupi i Tit Livit, shekulli i parë p.e.s., Üsküpi osman (1392-1912), Shkupi i 1912-ës, Skoplje (midis dy luftërave botërore), Skopia bullgare e LDB-së dhe Skopje/Shkupi e periudhës së komunizmit dhe tranzicionit. Dikur krenaria e dardanëve, sot “qyteti i vjedhur” (T. Osmanli), i përfshirë nga deliriumi urban dhe neuroza kolektive politike, nga ideologjia e nacionalizmit aleksandrist (ndonëse në kohën e Lekës së Madh kombet s’kanë ekzistuar, kurse mobiliteti dhe pluralizmi kanë qenë mbizotërues), që bën kërdi ndaj panoramës së këtij margaritari të Ballkanit. 

Më 25 nëntor 2011 mediat shpallën se Maqedonisë po i përgatitet edhe një projekt tjetër grandioz dhe famoz, Maqedonia 2014, për të cilin Partia Liberal-Demokrate reagoi ashpër. Homo politicus-i i partisë në pushtet që nga viti 2006, VMRO-DPMNE, përveç që shkaktoi ritendosje të situatës që vazhdon deri sot, gjeneroi edhe projekte identitare irracionale, si “Shkupi 2014”, një hap ky “transit gruevskian”, që përmes politikës iliberale krijon konflikte permanente të brendshme dhe të jashtme. Ndjenja e frustracionit dhe rikonstruksionit të maqedonizmës mori edhe formën vizuale urbane. Ky projekt ndjek vijën e identitetit monolit dhe monocentrik të profilit të dikurshëm të qyteteve evropiane, që tani në emër të skenave dhe kuptimeve të shumta është braktisur; sot kombet e përparuara heqin dorë nga identitetet e ashpra, për shkaqe ekonomike, ngase ekonomitë nacionale nuk mund të mbijetojnë në epokën e globalizimit të pakompromistë. 

Shkupi, përmes këtij projekti, është ndarë në Shkupin e anës së djathtë (maqedonas) dhe në atë të anës së majtë (shqiptar), i këndej dhe përtej Vardarit, është shndërruar në metaforë të absurdit. 

“Shkupi 2014” është një metafizikë emotive dhe identitet për përdorim politik ditor të konjunkturës së partisë qeveritare shamaniste. Siç duket, disa harrojnë se qeniesimi në qytet dallon nga qeniesimi si pjesë e korpusit nacional (Gelevski, 29-41). Përmes këtij delirium tremens ky vendbanim dalëngadalë po shndërrohet në qytetin më të shëmtuar të Evropës, në shëmbëlltyrë të kiçit dhe të pashijes. Inferioriteti historik dhe vetëdija e prapambetur karikaturalisht ka bërë që sheshi të shndërrohet në vend ku farkohet identiteti i mbi-maqedonasit ose maqedonoidit. Qendra e qytetit është shndërruar në mishmash të statujave historike që s’korrespondojnë njëra me tjetrën (20 të mëdha dhe 100 të vogla). Në një radius të vogël vizitorët shohin Aleksandrin e Madh të bronztë, Justinianin, shenjtorët ortodoksë Cirilin dhe Metodin nga shekulli IX, Car Samoilin, Dame Gruevin, Goce Dellçevin e shumë të tjerë. Aty vazhdon ndërtimi i Teatrit Kombëtar, i Muzeut të Luftës Maqedonase, i Arkivit Shtetëror, i Muzeut Arkeologjik, i Gjykatës Kushtetuese, i Prokurorisë dhe Policisë Financiare, i urës “Syri”..., të gjitha në stilin  barok, bashkë me rifasadimin e ndërtesave në Sheshin Maqedonia”. Porta Triumfale e lartë 22 metra, “Porta Mizeria”, që sipas sondazheve del si objekti më i urryer ndër ato të “Shkupit 2014”, në promovimin solemn të së cilës nuk mori pjesë as partia shqiptare në qeveri (BDI) e as partitë opozitare, është një nga ndërtesat e këtij projekti antiurban. Lidhur me të një qytetar ka shtruar pyetjen se cilin triumf do ta kremtojë Porta Triumfale? (The Economist, 2011) Një tjetër qytetar që CNN-it i ka kërkuar të mbetet anonim ka thënë: “Tanimë mundohem që t’i shmangem sheshit të qytetit. Është shndërruar në një park argëtues (theme park). Ngado që të ktheheni gjeni statuja dhe skulptura të reja të bronzta. Sikur duan të krijojnë identitet kombëtar. S’mund të imagjinoj qytet tjetër që ndërton portë triumfale në shekullin XXI”. 

Shkupi është shndërruar në Luna Park të përmendoreve, në një histori në miniaturë, në një legoland, në një neverland, pak antikë, pak Roma, pak Paris, pak Vjenë. “Expo 2014” është shndërruar në metaforë të diznifikimit, në hapësirë totale dhe historicizëm, në sintaksë postmoderne, në buffer zone, në hapësirë të krijimit të identitetit të ri. 

Arkitekti i mirënjohur, M. Gërçev, është shprehur se ky projekt përbën një mbetje arkitektonike, një kiç, përçartje për të cilën harxhohen qindra milionë euro. Ish-kryeministri i Maqedonisë, Ljupço Georgievski, bëri një prononcim për një TV bullgare lidhur me Shkupin 2014 duke thënë: “Qendra e Shkupit është e ngjashme me Disneylandin ose me parkun Asteriks ne Paris. Gjithë pjesa tjetër e Maqedonisë nuk ka asnjë rrugë të rregulluar, nuk ka asnjë manifestim kulturor; bëhet fjalë për një karikaturë konceptuale të ndryshme në kryeqendrën e Republikës së Maqedonisë”. 

Të gjitha këto janë përpjekje për ta bërë këtë shtet njëfetar, njënacional dhe për t’i dhënë konotacion njëkulturor që bie ndesh me realitetin shoqëror. 

“Rikonstruktimi i planifikuar i ndërtesave reprezentative të periudhës sllave të Mbretërisë së Jugosllavisë (të viteve të 30-ta të shekullit XX) do të duhet të krijojë lidhje me qytetin evropian, të krishterë e borgjez, ndonëse Shkupi asnjëherë nuk ka qenë i tillë – dhe ta mohojë të kaluarën e tij orientale, myslimane”. (Mijalkoviq & Urbanek, 11)

Është shumë tmerruese që e gjithë kjo strategji realizohet në mënyrë arbitrare, gjë të cilën e theksoi edhe ish-euro-ambasadori Fuere, sipas të cilit sikur të pyeteshin vetë Dellçevi dhe Karevi, do të kishin thënë që mos t‘u vendosen shtatoret pa i pyetur qytetarët. Një analist tjetër në mënyrë sarkastike tha se, nëse vazhdohet me këtë ritëm, R.M.-në e pret “Bruce Lee Faza”, pra shembulli i Mostarit, ku qytetarët s’arritën të merreshin vesh për skulpturat që do të vendoseshin dhe, më në fund, vendosën që ta vendosnin figurën e artistit të njohur. Maqedonizmi si ideologji sllavo-ortodokse po hap krahët si një lucifer i vërtetë. Është një provokim edhe atë në sedër, tendencë për t'i rrethuar shqiptarët dhe myslimanët në një getto dhe për t'u dhënë përshtypjen se Maqedonia dhe kisha janë një, se edhe antikiteti dhe objektet osmane më do të pasqyrojnë ortodoksizëm. Absurdi duket edhe nga fakti se synohet të ndërtohet kisha ortodokse dhe përmendore të heronjve sllavë edhe në vende ku kurrë më parë ato nuk kanë ekzistuar. 

Një nga regjisorët më të famshëm maqedonas, S. Unkovski, flet për gjendjen e përgjithshme të Shkupit të trazuar dhe përgjegjësinë ndaj këtij entiteti të përbashkët: “Pas lëshimit të frymës së urrejtjes ndaj mendimit ndryshe (artikuluar edhe në procedurat e Shkupit 2014) dhe rrahjes së studentëve në shesh, gjithçka u bë e lejuar dhe e mundshme. Këtë e treguan të gjitha ngjarjet, nga presioni, syrgjynosja, burgosja, vrasjet, protestuesit kujdestarë, mbyllja e mediave, përçmimi i Kuvendit, rrënimi i kapaciteteve të dobëta të vendit, thirrja për linçim, harxhimi jotransparent i parave tona, zhvillimi i ndjenjës së pasigurisë individuale”. 

Historia e Shkupit (pse jo edhe e Maqedonisë, sepse ky kancer është i përhapur në gjithë vendin) do ta përmendë edhe periudhën nën okupimin e nacionalizmit agresiv, e barok-burek nacionalizmit. Shkupin duhet ta mbrojmë nga dragoi barok, nga ky invazion primitiv i pashijes dhe arbitraritetit, i arkitekturës diletante, i simbolikës patetike dhe i kuazipatriotizmit të rikomponuar. 

Qëndrim mosaprovues lidhur me këtë projekt ka edhe faktori ndërkombëtar, nga politikanët e deri te mediat. The Wall Street Journal lidhur me Shkupin 2014 ka vënë një titull “A Face-Lift in Macedonia”, duke kritikuar populizmin gruevskian, duke potencuar se ky projekt urban ripërtëritës e nxit krenarinë kombëtare të maqedonasve, por trazon kontroversat kulturore dhe politike. Analiza e tjera flasin se ky projekt shkakton grindje, jo vetëm përbrenda Maqedonisë, por edhe jashtë saj, me vendet fqinje (Greqia e merr për provokues këtë projekt, Bullgaria disa figura të sheshit të Shkupit i ka nëpër qytetet e veta). Është e pakuptimtë që gjithë këto para të harxhohen në një kohë kur 1/3 e popullatës jeton në vijën e varfërisë. 

The  New York Times në tetor të vitit të kaluar ka vënë një titull, përmes të cilit e përshkruan gjendjen te ne: “Shtohen shqetësimet lidhur me autoritarizmin në Maqedoni”. (Brunwasser). Një portal kroat lidhur me manifestimin e 20-vjetorit të pavarësisë përreth “kalorësit antik” ka dhënë cilësimin “Cirk nën kalin e Aleksandrit”, duke e krahasuar Gruevskin me diktatorët postsovjektikë si Nazarbajev dhe Turkmenbash, kurse fjalimin e tij me atë të Çavezit. (Vijesti). 

Ideja dhe utopia e ideatorit të Shkupit të pastërmetit (1963) ishte qyteti i hapur, racional, egalitar (UN, 1963), si qytet i urave fleksibile të aparatit qytetërimor, kurse sot lindin ndërtesa-mure, që e ndajnë këtë kryeqytet në atë të bregut të majtë dhe të djathtë, në atë jugor dhe verior, që të përkujtojnë Berlinin e dikurshëm, që mbetet simbol i qyteteve të ndara dhe jofunksionale. Sa më tepër që rritet maqedonizimi i Shkupit, aq më tepër shtohet ndasia e qytetit dhe shoqërisë në përgjithësi. Tanimë sheshi i kryeqytetit nuk është zonë e relaksimit, por e tendosjes, e nxehjes së situatës. Çdo jomaqedonas që kapërcen atypari, kaplohet nga ndjenjat e indiferentizmit dhe pezmit ndaj qeverisë, që këtë qytet e ka dyzuar, e ka ndarë në dy pjesë, në “tonin” dhe “të tyre”. 

Momentalisht po ndodh tendenca për deshqiptarizimin dhe deislamizimin e Shkupit. Me këtë kurs R.M.-ja s’ka një ardhmëri të shëndoshë – kur amza e qyteteve përjeton një thyerje, një proces të hendekhapjes ndërnacionale. Shkupi nuk është Shkup nëse ka dy pamje: urban dhe ai rurban, me kej, ndriçim, godina shumëkatëshe, salla dhe objekte kulturore dhe, tjetri, qytet i mjerimit, i karrakatinave të Gazi Babës, Seravës e Dizhonit, i teneqemëhallave dhe sokaqeve të ngushta, i njërës nga komunat me dendësi më të lartë në Europë (në Çair 18.400 banorë jetojnë në një kilometër katror). Në këtë klimë maqedonasit gjithnjë e më rrallë e kalojnë Urën e Gurit që ta vizitojnë pjesën “shqiptare” të Shkupit. 

Këtij qyteti, i mbiquajtur “Skupimetropolis” (Marcelin Komes), dita-ditës po i humbet identiteti nga populizmi dhe obsesioni imperial. Sociologjikisht dhe arkitekturalisht, projekti i estetikës nacionaliste e dëmton kohezionin e një shoqërie shumëkulturore, siç është R.M.-ja. Shoqëria civile duhet të jetë më aktive në korrektimin e politikave autoritare, në vetëdijësimin e qytetarëve për të ruajtur natyrshmërinë e kësaj shoqërie që përballet me dhembjet e kalimit në fazën post-tranzicionale. 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS