Pylli i dendur i nacional-romantizmit
Shkruan: Bekim AJDINI, Shkup
Projekt që nisi me tallje e po përfundon si strategji politike
Kjo qeveri në këtë rrugëtim mitologjik 6-vjeçar ishte fare e papenguar në promovimin e vlerave etnocentrike dhe nacional-romantike. Gjatë tre mandateve VMRO-ja në të vërtetë gjithnjë e shtonte rejtingun në popull, që në rrethana normale është shumë paradoksale kur kemi një situatë të rënduar politike e ekonomike në vend.
Nisi si tallje diku në vigjilje të ndërrimit të pushtetit në 2006, kur VMRO-DPMNE-ja, parti kjo që veten e llogarit si parti e djathtë me qasje nacionale, nxori manifestin zgjedhor të titulluar “Rilindja në 100 hapat e qeverisë së re në ardhje”. Në të, përveç programit standard politik e ekonomik, u gjetën edhe projekte të konstruksioneve megalomane arkitektonike të stilit antik e përmendore masive të figurave antike greke. Atëbotë e gjithë kjo u duk si një shaka zgjedhore për t`i fituar zgjedhjet në letrën nacional romantike, por tani, pas 6 viteve të zbatimit të këtij manifesti, shohim së gjërat megjithatë ishin aq serioze sa nuk mund të jenë ndryshe.
"Shkupi 2014", siç njihet ky projekt, më shumë ishte një platformë politike afatgjate, e jo vetëm beton e përmendore të figurave antike. Gjithë kjo që në shikim të parë mund të duket naive, në esencën e saj ngërthente ndërtimin e përshpejtuar të një identitetit të ri nacional që do t`i trazonte qëllimisht grekët dhe, me këtë, do të vendoste një bunker të palëkundur ndaj saj, duke e ngrirë tërësisht zgjidhjen e problemit me emrin. Në fillim, madje edhe ndërkombëtarët e përqeshnin këtë koncept, duke e komentuar këtë si një shfryrje të emocioneve dhe një lojë e vockël elektorale, por më vonë e kuptuan seriozitetin e problemit dhe ndikimin serioz që këto veprime kanë në gjeopolitikën perëndimore. Mirëpo, për hir të stabilitetit dhe “votës së fuqishme të popullit”, kancelaritë perëndimore e futën problemin "nën tepih", duke shpresuar në rimëkëmbjen e opozitës dhe ndryshimin e kursit pa ndonjë bujë të madhe. Por, ja që ndodhi e kundërta – partia në pushtet dhe lideri i saj janë akoma më të fuqishëm. Madje, pikërisht hulumtimi i fundit i IRI-t dëshmoi se "Shkupi 2014" ishte më i fuqishëm se barku i zbrazët e rrogat e papaguara, skamja, dënimet, gjobat e taksat që vilen në çdo skutë. Fjalia legjendare e diktatorit Millosheviq “se do hamë edhe rrënjë nëse duhet” si duket vlen më shumë për popullatën e këtushme.
Pushtetarët me vetëdije të plotë shkelën thellë në pyll dhe qëllimisht e humbën rrugën për t`u kthyer prapa, sepse ishte e qartë se kthimi prapa do të nënkuptonte humbjen elektorale dhe me këtë edhe të fuqisë politike e ekonomike. Mbase, pas shumë viteve do ta njohim edhe efektin që ka prodhuar kjo mbrapshti, por që tani shohim se Maqedonia ka mbetur në një hapësirë “limbo”, pa perspektivë eurointegruese, më të varfër dhe më të denigruar si individë ose edhe si qytetarë.
Sot e kësaj dite, pra edhe pas dështimit të radhës në Bruksel, VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i tyre Grevski akoma vazhdon të dërgojë porosi se nuk ka lëvizje prej pozitave për mosndryshimin e emrit dhe se për këtë ai është i gatshëm të paguajë çdo çmim dhe, në këtë drejtim – siç thotë vetë ai, e ka mbështetjen e dy milionë maqedonasve. Kjo retorikë elektrizuese, që furnizohet nga nacionalizmi si mjet për realizimin e politikës ditore, si dhe duke u bazuar në mitologjinë inekzistente kombëtare, ka bërë që vendi për çdo ditë të ketë përleshje të të rinjve mes dy komuniteteve më të mëdha: maqedonase dhe shqiptare.
Siç duket, kjo ishte pasojë e shfaqjes së një reaksioni shqiptar me rastin e 100-vjetorit të shtetësisë shqiptare, që erdhi më shumë si rezultat i një mllefi të akumuluar nga kjo politikë denigruese të Shkupit zyrtar ndaj shqiptarëve. “Çka do të mbjellësh atë edhe do ta korrësh”. Pikërisht tani jemi duke i parë fijet e para të kësaj barishte të së keqes, të mbjellë gjatë këtyre viteve të fundit. Janë me qindra veprime njënacionale dhe njëkonfesionale, të cilat tani për tani po kalojnë pa ndonjë problem më të madh ose, siç thuhet, “akoma po e ha pazari”. Tani kur të gjithë ne e, posaçërisht, faktori ndërkombëtar gjendet “në lëkurë të ngushtë” dhe para sfidave të vazhdueshme që t'i bindë shtetarët maqedonas se kahja është në drejtim të Perëndimit e jo diku tjetër, megjithatë askush nuk mund të thotë se gjërat u zhvilluan pa plan dhe se këtu kemi ndodhi të paparashikuara. Kjo qeveri në këtë rrugëtim mitologjik 6 vjeçar ishte fare e papenguar në promovimin e këtyre vlerave etnocentrike dhe nacional-romantike. Gjatë tre mandateve VMRO-ja në të vërtetë gjithnjë e shtonte rejtingun në popull, që në rrethana normale është shumë paradoksale kur kemi një situatë të rënduar politike e ekonomike në vend. Gruevski, në fakt, u ngrit mbi kurrizin e heshtjes ndërkombëtare dhe të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj shqiptarëve. Tashmë ai dhe partia e tij janë politikisht aq të fuqishëm, saqë tani ndihen shumë komodë për t'i goditur edhe vetë ndërkombëtarët.
Nga perspektiva e shqiptarëve të Maqedonisë kjo situatë mund të vlerësohet si dyfish katastrofale, sepse jo vetëm që kemi zmbrapsje nga agjenda BE-NATO, që është në kundërshti të plotë të interesave gjeopolitike shqiptare, por edhe një tendencë për defaktorizimin e tyre. Lajm edhe më i keq është fakti se këtu fare nuk ka sinjale se gjërat mund te ndryshojnë, porse vetëm mund të përkeqësohen. BDI-ja, pjesëmarrëse në qeverinë e Gruevskit, vazhdimisht goditet keqas nga partneri, pas së cilës zakonisht kaplohet me frustracione të brendshme, që vijnë si pasojë e mospasjes së kapacitetit të duhur për t`iu kundërvënë kësaj politike. Në anën tjetër, opozita shqiptare pothuajse qëndron anash e zhytur thellë në gjumë dhe kohë pas kohe paraqitet me deklarata kritike ndaj BDI-së, ndërsa shumë rrallë këto kritika kanë të bëjnë me ofrimin e zgjidhjes, duke kaluar kështu si raportime telegrafike të dështimeve të partisë shqiptare në pushtet. Marrë në përgjithësi, nuk po shohim një qasje më aktive nga faktori politik shqiptar në drejtim të një fushate më intensive diplomatike në rrethana kur të gjitha argumentet janë të servuara në duart e shqiptarëve dhe nuk ka moment më të mirë që miqtë ndërkombëtarë të binden se gjërat këtu tanimë i kanë tejkaluar suazat e politikëbërjes normale dhe se qartë jemi në rrugë të gabuar, që para së gjithash është në kundërshti me interesat europerëndimore. Në vend të kësaj, faktori politik shqiptar me një komoditet të pasqaruar vazhdon të sillet si pozitë dhe opozitë në kushte kur pushteti sillet ndaj faktorit politik shqiptar si të gjithë të jenë në opozitë. Në pamundësi për ta kundërshtuar politikën qeveritare, BDI-ja, që është parti shqiptare në pushtet, në momente të caktuara flet dhe vepron nga pozicionet e opozitës, e pastaj zmbrapset dhe flet për një harmoni brenda koalicionit Me këtë qasje unike, por edhe paradoksale, vetëm po krijohen paqartësi edhe më të mëdha politike dhe, që është më e rëndë, tërthorazi dobësohet roli determinues i ndikimit politik shqiptar në Maqedoni. Partitë shqiptare para syve e kanë ilaçin për ta luftuar këtë mbrapshti, por çështja është se a do t`u hapen sytë për ta parë atë. Dështimi i fundit eurointegrues në Bruksel paraqet një shans të prekshëm për t'ua bërë me dije të gjithëve se shqiptarët nuk mund të presin edhe dhjetëra vite të tjera për ta realizuar ëndrrën e tyre evropiane. Po, jetojmë në një vend të përbashkët dhe duhet të kujdesemi për ndjenjat e bashkështetasve tanë maqedonas, por kjo është ndjenjë reciproke, sepse politika maqedonase sillet sikur çështja e emrit është çështje për jetë a vdekje, gjë që në esencë nuk është fare e vërtetë dhe këtë e di çdokush në këtë vend. Prandaj një bashkim politik shqiptar për çështje të caktuara dhe të afatizuara në formë të një marrëveshjeje publike dhe shumë demokratike, në të vërtetë do ta parandalonte shkatërrimin e mëtutjeshëm të pozitës së shqiptarëve në vend, pozitë për të cilën të gjitha partitë shqiptare në këto 22 vite të fundit rrahin gjoks se kanë për ta zgjidhur. Ky në fakt do të ishte kontributi më i madh që shqiptarët mund t`i japin mirëqenies dhe jetëgjatësisë së këtij vendi të përbashkët dhe ëndrrës së tij evropiane.
Kudo e kahdo të zihet fryma
Dorëheqja e Pecit, ose gjarpri që e ha bishtin e vet
Në të majtë apo në të djathtë?
Pse janë kosovarët pro Berishës
François Hollande , normali i këtyre kohëve anormale
Disa pyetje për Ju, z. Edward Joseph
Gjakova ime, si nëpërmjet lotëve!
Toleranca kritike
- Kryeministri japonez tenton t'ia kap prapanicën Merkelit, ndalohet nga Putini
- Plagosje me armë në Shkup
- Shkupjani i zhdukur gjendet i mbytur
- Ahmeti takohet me Zhernovskin, rivalin e partnerit të tij – Gruevskit
- Merr hov tregu me prostituta shqiptare të Kosovës
- Vlora Çitaku, zyrtarja e parë e Kosovës në Serbi
- Ajo shtatzënë me një tjetër, ai e rreh për të abortuar
- Pesë këshilla për të mbijetuar vapën tropikale
- Gazeta Express: Peci do të shkarkohej shkaku i takimeve sekrete me inteligjencën serbe
-
Erdogan: Falemenderit Shkupi për përkrahjen (FOTO+VIDEO)
- Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni u kthehen rrënjëve
- Pamje eksluzive të arrestimit të Sali Berishës
- Erdogan: Shqiptarë jemi një, ju qëndrojmë në dispozicion në çdo kuptim
- Rrahje masive në Gostivar
- Intervista/ "Më thonë Branko Manojlovski, por unë jam shqiptar"
- Prapanica e Tunës(FOTO)
-
Berisha te “Zonë e Lirë”, Çani e kontrollon për antiplumb (VIDEO)
- Telefonon policinë sepse nuk i pëlqeu prostituta


Share



















