Modeli shqiptar i paqes rajonale

Fillimi | Shenja | Modeli shqiptar i paqes rajonale | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

 Shqetësimi i vazhdueshëm

 

Retorika patriotike e viteve të ‘80-ta, me rastin e protestave në Kosovë, e cila e ka ngulitur Enver Hoxhën si një figurë kombëtare në kujtesën e shumë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ishte retorikë boshe, të cilën ai e përdori për të larguar vëmendjen e publikut nga problemet e brendshme. Shumë nga aktivistët e Kosovës, që asokohe kërkuan shpëtim në Shqipëri, përfunduan në burgje. Policia shqiptare u soll ndaj tyre më keq se ajo jugosllave.

 

Më 25 nëntor 2012 me fjalimin e tij në Shkup kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ktheu çështjen e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, pas 69 vjetësh mungesë, në qendër të kuvendit kombëtar. Hera e fundit që bashkimi ishte artikuluar si shqetësim kryesor i politikës së nivelit më të lartë ishte mbledhja Mukjes, Krujë, më 1-2 gusht 1943. Në atë takim forcat kryesore politike (të cilat kishin edhe forca të armatosura, sepse vendi ishte i pushtuar), Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste, ranë dakord të luftonin kundër pushtuesve me qëllim final – bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në Ballkan me Shqipërinë. Por, fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan sipas planit të parashtruar në marrëveshjen mes tyre. Pak ditë më vonë, komunistët e shkelën fjalën e dhënë. Jugosllavët, që ishin në krye të PKSH-së, nuk e pranuan marrëveshjen e Mukjes dhe i urdhëruan forcat komuniste t’i shpallnin luftë Ballit Kombëtar. Kështu nisi lufta civile në Shqipëri. 

Gjatë gjithë diktaturës komuniste Tirana zyrtare nuk e artikuloi kurrë çështjen e bashkimit kombëtar. Retorika patriotike e viteve të ‘80-ta, me rastin e protestave në Kosovë, e cila e ka ngulitur Enver Hoxhën si një figurë kombëtare në kujtesën e shumë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ishte retorikë boshe, të cilën ai e përdori për të larguar vëmendjen e publikut nga problemet e brendshme. Shumë nga aktivistët e Kosovës, që asokohe kërkuan shpëtim në Shqipëri, përfunduan në burgje. Policia shqiptare u soll ndaj tyre më keq se ajo jugosllave. 

Diktatura komuniste në Shqipëri ishte një tentativë vetëvrasjeje kombëtare, që zgjati afërsisht pesë dekada. Vendi u vetizolua, ndërsa qeveria po i shkatërronte qytetarët e vet. 

Pa kontakte me botën e jashtme, sidomos me vendet e rajonit, edhe sikur Tirana të punonte për çështjen kombëtare, rezultati do të ishte zero. Çështja kombëtare e shqiptarëve është një çështje rajonale dhe nuk mund të zgjidhet pa komunikim rajonal. Sidoqoftë, vetizolimi i Shqipërisë nuk ishte e keqja më e madhe. Regjimi i Tiranës shkoi më tej, duke shpallur armik të saj qytetarin me identitet të pastër shqiptar, qytetarin nacionalist. Nacionalistët u vranë, u burgosën, u internuan, u zhveshën nga pasuria, u bënë të paaftë për të punuar për kauzën. 

Jehona e zhdukjes së analfabetizmit gjatë regjimit komunist akoma vazhdon të përcillet si një sukses kombëtar në zhvillimin e shoqërisë. Në fakt, shkollat e diktaturës u kthyen në armë të shkatërrimit në masë. Ato shkatërruan formimin natyral të njeriut dhe e mbushën me dije artificiale, të huaj për shqiptarin, siç ishte teoria kriminale e komunizmit. Ja disa nga titujt e librave që u hoqën nga qarkullimi në 1945: “Familja Shqiptare”; “Shqiptari zot në shtëpi”; “Problemet Shqiptare”; “Raca Shqiptare”; “Njëmendësia Shqiptare”; “Kosova, djep i Shqiptarizmit”; “Nana Kosovë”. Në disa qytete të Shqipërisë këto libra dhe shumë të tjera u dogjën në sheshe publike.

Më 1991, kur diktatura komuniste u shemb, iu hap rruga dhe zgjidhjes së çështjes së bashkimit ose trajtimit të saj, por shteti shqiptar ishte shumë i brishtë që të ndërmerrte sipërmarrje të mëdha. Shoqëritë, ashtu si individët, nuk mund të artikulojnë ide të mëdha, ndërkohë që nevojat e tyre janë bazike, në nivel të uriturish. Bashkimi i kombit ishte një shqetësim i pranishëm në gjirin e tij, por jo i pari në listën e prioriteteve. Sigurisht, idealistët nuk munguan, ashtu siç nuk kanë munguar në çdo kohë, por ata ishin pakicë, të lënë mënjanë ose të stigmatizuar nga ata që nuk shikonin përtej nevojave të ditës. Uria e zbeh shikimin e njeriut.

Zërat që kanë artikuluar çështjen kombëtare gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë shumë të pakët, të margjinalizuar, të prezantuar si gjurmë historike, si diçka që kujtonte një të shkuar të largët pa shpresë kthimi. Dhe, më e keqja, edhe mes nacionalistëve pati spekulantë gjatë kësaj kohe, të cilët ishin pjesë e një skenari për ta dëmtuar riorganizimin e tyre pas shembjes së komunizmit. 

Sidoqoftë, më 25 nëntor 2012 kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, artikuloi çështjen e bashkimit të gjithë shqiptarëve dhe u bëri thirrje fqinjëve të mos e pengojnë atë, sepse kjo do t’i ndihmonte dhe ata të ishin njerëz më të lirë. Kjo i befasoi të gjithë – asnjë politikan i një niveli kaq të lartë (më lart se kaq nuk ka ku shkon – presidenti i Shqipërisë është thjesht një formalitet) nuk kishte guxuar më parë ta artikulonte bashkimin e shqiptarëve, i cili deri atëherë konsiderohej argument i ekstremistëve.

Kryeministri i Shqipërisë dhe idetë e tij kanë kundërshtarët e tyre. Në jetëshkrimin e tij politik mund të ketë dhe veprime që bien ndesh me njëri-tjetrin, por ato nuk ia vlen të përdoren për të dobësuar kauzën e bashkimit. Rëndësi ka që idetë të jenë të dobishme, që kauza të jetë e drejtë, që qëllimi të jetë i arritshëm dhe të nisë puna për përmbushjen e tij. 

Reagimi i shteteve ballkanike ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar ishte i menjëhershëm. Me një të rënë të masatit, Shqipëria fitoi autoritet rajonal. Dikush mund ta vë në dyshim këtë autoritet, duke e konsideruar negativ, por nuk është kështu. Me artikulimin e bashkimit kombëtar, një çështje jo fort e pëlqyer nga fqinjët e Shqipërisë, i siguroi Tiranës vëmendjen e nevojshme, andaj tashmë është detyra e saj – jo vetëm e politikës – të shpjegojë me hollësi pse shqiptarët duhet të bashkohen, si duhet të bashkohen, cili është qëllimi i bashkimit dhe cili do të jetë ndikimi i këtij bashkimi në rajon.

Dy shtetet më qejfmbetura nga bashkimi i shqiptarëve janë Maqedonia dhe Greqia. Kush e njeh historinë e Ballkanit, duhet t’u japë të drejtë. Shqiptarët thjesht duhet të ofrojnë shpjegimet e tyre.

Në Konferencën e Londrës (1913) u vendos krijimi i shtetit shqiptar. Parimi i vendosjes së kufijve ishte parimi etnik: vendbanimet shqiptare do të përfshiheshin në shtetin e ri shqiptar, vendbanimet greke në shtetin grek, vendbanimet malazeze në shtetin malazez dhe vendbanimet serbe në shtetin serb. Harta e Ballkanit edhe sot është dëshmi që ky parim nuk është respektuar. Shumë vendbanime në Malin e Zi janë krejtësisht shqiptare, siç ishin edhe më 1913. Gati gjysma e Maqedonisë është e banuar nga shqiptarë, ashtu siç ishte e banuar më 1913. Shumë vendbanime në veri të Greqisë së sotme ishin të banuara nga shqiptarë deri në mesin e shekullit të kaluar, para se qeveria greke të kryente spastrimin e etnik të tyre, përmes një praktike gjenocidi të pastër. Në ato troje ka ende shqiptarë të besimit ortodoks, të cilët nuk kanë kurajë të krenohen për origjinën e tyre, sepse ndëshkohen. Edhe pas pavarësimit të Kosovës, në Serbi kanë mbetur krahina shqiptare etnikisht të pastra, të cilat kanë lidhje natyrale me Kosovën. Kjo është gjendja faktike në terren, pa përfshirë shumë territore në shtetet fqinje, të cilat ose janë pastruar nga shqiptarët ose janë populluar me forcë me etni të tjera ose shqiptarët janë detyruar ta fshehin (deri sa e kanë humbur) identitetin e tyre, siç ishte rasti i një akademiku maqedonas. Nga ana tjetër, çështjen e shqiptare e mbrojnë edhe dokumentet historike. Tashmë nuk janë më një sekret (janë botuar dhe në shqip) dokumentet e komisionit të ndarjes së kufijve, në të cilin anëtarët e tij, sidomos britanikët, u shkruanin qeverive të tyre se Shqipërisë po i shkaktonin një tragjedi, duke u dhënë vendeve të tjera vendbanime tërësisht shqiptare.  

Shqiptarët s’kërkojnë asgjë të ekzagjeruar. Ajo që ata kërkojnë mbrohet nga të drejtat e njeriut dhe e drejta historike. Kundërshtarja më e egër e çështjes shqiptare është Greqia, një shtet i krijuar artificialisht dhe i unifikuar duke spastruar etnitë jogreke me masakra ose duke u fshirë identitetin me presione politike dhe ligjore. Reagimi i Athinës ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha ishte një thirrje që Shqipëria të shikojë përpara dhe jo mbrapa. Ky qëndrim i saj tregon se Athina ka frikë nga rishikimi i të kaluarës. Është e qartë se frika buron nga sekrete jo fort të këndshme për të dhe për gjithë botën. Mirëpo, bashkëjetesa paqësore nuk mund të realizohet nëse ajo nuk bazohet në parime të drejta. Nëse zbatojmë teorinë e mosshikimit mbrapa, atëherë shqiptarët mund të thonë se le t’i marrim territoret tona, me hir ose me pahir, dhe pastaj le të shikojmë përpara. Ajo që sot është e ardhme, nesër do të jetë e shkuar dhe kështu do të paraqitet mundësia e zbatimit të këshillës greke për të mos e kthyer kokën mbrapa. 

Sigurisht, shqiptarët nuk duhet ta shkojnë në mendje dhunën për realizmin e bashkimit të tyre. Dhuna nuk është pjesë e stofit të tyre qytetar. Rruga paqësore, me anë të së cilës shqiptarët e kthyen çështjen e Kosovës nga një çështje lokale në çështje globale dhe pastaj realizuan pavarësinë e saj, është ilustrimi emblematik i karakterit paqësor të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë asnjë burrë shteti në historinë e tyre që të ketë urdhëruar masakra ndaj grupeve etnike joshqiptare. Madje, edhe Enver Hoxha, që ishte një kriminel ka vrarë vetëm shqiptarë.

Në Ballkan e më gjerë paqja nuk mund të realizohet pa u zgjidhur konfliktet historike mes popujve. Në misionin e tyre kombëtar, shqiptarët mund t’i japin botës një model të aplikueshëm aty ku është e nevojshme. Nëse bota do të vazhdojë ta kërkojë paqen në teorinë evropiane të ekuilibrimit të forcave, atëherë përpara e presin shumë kongrese e konferenca, si ato të Vjenës, Berlinit, Londrës, Parisit, Teheranit, Jaltës etj. Ironia është se në tavolinën e fuqive të mëdha të së ardhmes mund të mos ketë asnjë shtet evropian, ashtu siç nuk ka qenë Shqipëria në kongreset dhe konferencat e fuqive të mëdha evropiane në dy shekujt e fundit. 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS