Çmimi i tortës

Fillimi | Shenja | Çmimi i tortës | Add to Facebook Share
image

Shkruan: Ergys MËRTIRI, Tiranë

Elitat dhe populli 

 

 

Ndokujt që nxiton të konkludojë, jo pa të drejtë, se çdo popull meriton qeverinë (elitat, klasën politike e kulturore) që ka, mund t'i themi se njëkohësisht, në këtë rast, vlen po aq edhe e anasjellta: Qeveria meriton këtë popull që ka. Kjo, pra, do të thotë se jemi në kurthin e një raporti dialektik, ku palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, si e vetmja mënyrë për të përjashtuar çdo formë tjetër të marrëdhënies me pushtetin përtej ”unitetit parti-popull”.

Masakrimi publik i tortës së Pavarësisë nga një turmë e çakërdisur njerëzish gjatë kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë, provokoi një indinjatë masive dhe reagime të shumta. Shumë njerëz fajësuan organizatorët e festës ose edhe vetë politikanët, të cilët u treguan të paaftë të ndalonin këtë turp publik që nuk ka kaluar pa u transmetuar edhe nga disa televizione të huaja. Pati prej komentuesve që nuk ngurruan të shtrojnë pyetjen: a duhet të durojmë ende të udhëhiqemi nga politikanë të tillë që na nxijnë faqen me paaftësinë e tyre.

Përtej reagimit kjo ngjarje na shpërfaq shumë nga subkoshiennca e shoqërisë shqiptare, si një dukuri që merr forma të ndryshme në të gjitha shkallët e hierarkisë shoqërore. Duhet pranuar se pothuaj pjesa më e madhe e shoqërisë vuan gjithashtu nga të njëjtat sëmundje, simptomat e së cilës shfaqen ose maskohen në mënyra të ndryshme, në nivele e shtresa të ndryshme. Torta vetëm sa nxori në pah atë që duket se fshihet te të gjithë – babëzinë, e cila ka pushtuar egërsisht individin shqiptar, duke e bërë të tregojë pangopësinë e vet thuajse në çdo sferë të veprimtarisë njerëzore. Korrupsioni, imoraliteti, vrazhdësia, na rrethojnë kudo duke shëmtuar jetën tonë.

Pra, çështja nuk është aspak një problem administrativ. Ajo ka të bëjë shoqërinë në tërësi dhe kryesisht me atë çfarë është gatuar tek individi shqiptar, tek njeriu i ri dhe përfytyrimi i tij për botën. Problemi duhet kërkuar në raportin midis elitave dhe popullit, që përbën ndoshta indin më qenësor të sistemit shoqëror ku jetojmë, aty ku gjendet edhe brava që mbërthen pazgjidhshmërisht problemet tona e që gjithashtu zbërthen më së miri kuptimin e tyre.

Ndokujt që nxiton të konkludojë, jo pa të drejtë, se çdo popull meriton qeverinë (elitat, klasën politike e kulturore) që ka, mund t'i themi se njëkohësisht, në këtë rast, vlen po aq edhe e anasjellta: Qeveria meriton këtë popull që ka. Kjo, pra, do të thotë se jemi në kurthin e një raporti dialektik, ku palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, si e vetmja mënyrë për të përjashtuar çdo formë tjetër të marrëdhënies me pushtetin përtej ”unitetit parti-popull”. Elitave u duhet ky lloj populli për të sunduar, ndërsa popullit i duhet kjo lloj elite, që u ofron tagjinë e kërkuar: spektakël, hare, aheng e hallvë. 

Kjo shfaqje nuk është gjë tjetër, pos një demonstrim realist i thelbit të demokracisë shqiptare, i paradoksalitetit të saj, që e vuajmë të gjithë. Ne do të vazhdojmë të turpërohemi për gjendjen ku  ndodhemi, për sa kohë bashkëjetojmë çdo ditë me të keqen, e nuk kemi kultivuar shpirtin e reagimit publik ndaj vulgaritetit që na rrethon. Për sa kohë nervi i reagimit do të vazhdojë të mbetet i fjetur në mes të shëmtisë rutinore që jetojmë e ndërtojmë, syri ynë i përdhunuar estetikisht do të natyralizohet me të. 

 

Zhdukja e normalitetit

 

Natyrisht, shoqëria shqiptare nuk mund të përfaqësohet prej një grushti njerëzish të babëzitur rreth e qark një masivi sheqeror 15 tonësh. Kultura dhe qytetaria e shqiptarëve, ndonëse mungojnë në një masë të konsiderueshme, nuk mund të përfaqësohet nga ajo që u demonstrua në atë gosti barbarie. Problemi këtu qëndron në faktin se, sistemi shoqëror ku jetojmë, ashtu siç deformon jetën shoqërore, deformon edhe përfaqësueshmërinë e saj. Deshëm a s’deshëm, ata pak njerëz atje në shkallët e Pallatit të Kulturës i dhanë shijen e tyre bajate kësaj feste. Kjo vjen, sepse vëmendja e publikut mbetet gjithmonë te protagonistët, qofshin këta edhe shëmtakë. 

Këtu jemi në thelbin e një problematike të trajtuar në mënyrë të gjerë, të cilën Guy Debort e quan "shoqëria e spektaklit”. Kjo është shoqëria ku realiteti i vërtetë gjendet në zgrip të një realiteti virtual që, nëpërmjet medias, tregut e komunikimit, përthith tërë vëmendjen e opinionit. Në shoqëritë moderne, shoqëritë e spektaklit, ekziston vetëm ai realitet që shfaqet, ekspozohet, komunikohet. Të ekzistosh këtu do të thotë, të shfaqesh. Ky sistem shoqëror të detyron të përfaqësohesh gjithmonë nga ata që bien në sy, për mirë apo për keq, gjë që do të thotë se ne përfaqësohemi nga ekstremet, nga të pazakontët. Vëmendja tërhiqet gjithmonë drejt të veçantës, jo drejt të përgjithshmes, dhe normalja përjashtohet si diçka që nuk ngjall interes. Kjo bën që shoqëria e spektaklit të mohojë vazhdimisht vetveten, duke ekspozuar gjithmonë minorancat si objekt kërshërie e duke i shndërruar ato në modele shoqërore. 

Këtë e shohim të ilustruar më së miri në politikë. Për çfarë tjetër mund të duhen turmat, nëse jo për të legjitimuar sundimin e minorancave? Për çfarë tjetër duhen mitingjet elektorale masive, përveç se për të fabrikuar imazhin e një mazhorance false, në kushtet kur shoqëria ushqen indinjatë për politikën? Por, nuk është kaq. Ekspozimi i vazhdueshëm i një realiteti të stisur, fillon dhe margjinalizon gradualisht realitetin e vërtetë. Modelet që ofrojnë minorancat gradualisht fillojnë të natyralizohen, deri sa brendësohen plotësisht duke dominuar jetën shoqërore. Anormalja fillon kështu të normalizohet dhe shoqëria fillon e merr formën e enës ku elitat e kanë hedhur.  

 

Epshi i turmës

 

Turmat e babëzitura përpara një torte gjigande nuk janë gjë tjetër, pos produkt i një shoqërie që kultivon epshin e lakminë dhe asgjë që ka të bëjë me virtytin dhe dinjitetin njerëzor. As institucionet arsimore, as mediat, as shoqëria civile, nuk motivojnë sot askënd për të kultivuar vlerat e duhura humane, etike, kulturore apo estetike. Natyrisht, nuk mund të presim gjë tjetër në shtresat e tjera, ku uria intensifikohet ekstremisht nga jargavitja e përditshme përballë vitrinave që reklamojnë sistematikisht “mollët e ndalueme” të hedonizmit konsumist. ”Njeriu i ri”, i prodhuar tashmë në kushte demokracie, është krejt i zhveshur nga mekanizmat shoqërore të vetëpërmbajtjes, sqimës, njerëzillëkut e fisnikërisë, sepse shoqëria e spektaklit nuk ofron modelet e njerëzve normalë, por ato të atyre që maten me vlera materiale, të cilat promovojnë si vlerë absolute suksesin. Suksesi është ai që legjitimon në mënyrë makiaveliste çdo mjet, duke i dhënë shoqërisë imazhin e një fushëbeteje ku të duhet të luftosh egërsisht për të arritur majat ose dhe llumin, që në fakt, të dyja janë shpesh e njëjta gjë. Pothuaj të gjitha spektaklet e sotme televizive ofrojnë garë, konkurrencë, luftë për të arritur triumf e përfitime. Të gjithë personazhet që shfaqen sot në arenën e spektaklit janë subjekte lakmie dhe aspak përçues vlerash. Suksesi dhe përvetësimi janë ato që peshojnë sot vlerën e individit dhe jo paqja e brendshme individuale, vetëmjaftueshmëria apo humaniteti e altruizmi. 

Nuk janë vetëm politikanët shkaktarët e këtij realiteti. Është e gjithë armata e analistëve, gazetarëve, artistëve, njerëzve që mbajnë në këmbë këtë sistem deformues të prangosur në botën e komercit. Markuze pohon se bota moderne ka arritur të deformojë natyrën tonë në një element shumë thelbësor siç janë dëshirat. Ajo ka injektuar brenda nesh dëshira artificiale, duke na bërë të besojmë se janë tonat. Rrjedhimisht, ky sistem na mëson fillimisht se çfarë duam, e pastaj na e ofron atë kundrejt çmimit përkatës, ndërsa ne mendojmë se nevojat tona po përmbushen. Rrjedhimisht, njerëzit sot duan tortë, aheng, striptizë, boks në parlament e gazeta, andaj politikanët, artistët, biznesmenët angazhohen plot zell t’ua garantojnë me bollëk. Njerëzit duan hare, shfrim e tërbim, sepse kjo është gjithçka që kanë mundur të brendësojnë në kushtet e zbrazëtisë së plotë ku jetojnë. 

Natyrisht, një mori e madhe njerëzish aty në shesh, ndoshta edhe shumica, mund të kenë qenë vërtetë të vetëdijshëm për patriotizmin e tyre dhe kanë dalë, në mënyrë krejt legjitime, ta dëshmojnë, ndjejnë dhe përjetojnë solidaritetin e këtij ideali krejtësisht të vyer për çdo shoqëri. Por, zemra dhe zembereku i festës, të paktën i asaj feste ku përqendrohet vëmendja mediatike, qëndron pikërisht tek ajo kategori që zien nga uria për hare dhe harbim. Këtu ekziston realiteti spektakolar, i aftë të tërheqë vëmendjen, të magnetizojë objektivët duke instaluar në ekrane fytyrën e vet si identikit të turmës.

 

Sovrani i dehur

 

Spektakli i tortës nuk ishte aspak diçka e papritur dhe e çuditshme për një sy të stërvitur në diagnostifikimin e problemeve të kësaj shoqërie. Ky fenomen është i vjetër sa dhe vet njeriu i ri që ka trashëguar, që prej gjysmës së shekullit të kaluar, mëvetësinë e këtij vendi. E gjejmë këtë karikaturë të demonstruar në brohoritjet e turmave ndaj vendimeve shkatërrimtare të diktaturës, vrasjeve, rrëmbimit të pronës, shkatërrimit të vlerave. Gjithashtu, atë e gjejmë në lotët e krokodilit të derdhur masivisht për vdekjen e diktatorit, në hezitimin popullor për të votuar ndryshimin e sistemit në vitin ’90 me frikën se prona do t'i kthehej të zotit, në dyndjen e turmave për të lënë paratë në firmat piramidale, e më pas, në vërshimin e tyre për të sulmuar repartet ushtarake, duke shpërthyer depo armatimi, me cigare në buzë, në kërkim të instrumenteve luftarake me të cilat mund të ushtronin sportin e preferuar të qitjeve në ajër… 

Kjo barbari vijon të shfaqet sot e gjithë ditën në njerëz që shesin votën për 20 euro në pamundësi të këmbimit të saj për një vend pune, në të tjerë që brohorasin me të njëjtin zell në mitingjet e të dyja palëve, që japin e marrin vullnetarisht ryshfet në çdo shërbim publik, që shtyhen e grinden në stacion të autobusit për të zënë një sedilje... S’ka dyshim se po ata njerëz, pasi kanë kursyer vaktin e drekës në shtëpitë e tyre, oreksprerë për shkak trazimit sheqeror në stomak, janë dyndur në koncertin e darkës për të ngopur syrin me mish femëror vipash nga turbofolku mbarëshqiptar, ofruar falas për fukaranë nga dyert e nalta të pushtetit. 

Nuk duhet të prisnim shpërthimin e neverisë shërbëtore të tortës për të kuptuar se çfarë alivanie po kultivojmë në shoqërinë tonë. Kjo histeri dëshmohet sistematikisht. E pamë një vit më parë në hapjen e TEG-ut, kur këta njerëz vërshuan duke shqyer dyer e qepena për të blerë një televizor me zbritje çmimi, e kemi parë gjithashtu gjatë koncerteve në shesh gjatë festimit të Vitit të Ri, teksa ndërmjet duartrokitjeve dhe brohoritjeve u lëshonin këngëtarëve të preferuar edhe nga një fishekzjarr, për t'u argëtuar e gajasur me trembjen e tyre të pafajshme. Këta njerëz janë ata që ngulen çdo ditë përpara ekraneve për të vënë loto a për të ndjekur plot interes spektaklet surrogate të kanaleve shqiptare, duke folur e përfolur mbi jetën e personazheve që, më shumë se rilindësit që na sollën pavarësinë, janë heronjtë e tyre të vërtetë. Janë ata që dynden masivisht në çdo event, politik kulturor, sortiv, striptistik të cilësdo ngjyrë politike, ideologjike, kulturore ose estetike. 

Këta janë sovranët e sistemit tonë politik, ekonomik, kulturor, demosi i Shqipërisë së Re, konsumatori, masa. Këta janë mbretërit e ekonomisë së tregut: klientët. Për këtë arsye ata kanë të gjithë të drejtën të godasin brutalisht me fishekzjarrë çingiet e tyre, në një akt sadizmi pervers mes klientit dhe prostitutës, të shqyejnë dyer e banakë supermarkatesh, të shkatërrojnë festat kombëtare e ndërkombëtare me shyerje tortash. Fundj,a për ta funksionon e gjithë kjo industri banaliteti e vulgariteti që buron prej zyrave shtetërore, selive të partive e gjithashtu prej studiove televizive ose diskografike. Për gjithçka ata paguajnë, jo vetëm me paratë e tyre, por akoma më shumë, me fukarallëkun material, shpirtëror, kulturor, mendor e njerëzor. Për këtë arsye verdikti i tyre është ligj. Ata janë sundimtarët legjitimë të shesheve. 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS