Edhe një vit mes dhunës
Shkruan: Ermira DANAJ, Tiranë
Heshtja kolektive
Dhuna më e madhe që ne përjetojmë është ajo që na bën ta shohim vetëm veten tonë dhe të mos mendojmë për të tjerët, duke harruar që nesër mund të jemi ne viktimat e radhës së një padrejtësie; është ajo që kur shohim një rast vrasjeje ose dhunimi në TV, në vend që të reflektojmë se pse ka ndodhur dhe si duhet të reagojmë kundër rasteve të tilla, na bën të themi “aman, ndërroje pak stacionin se na u shpif duke parë vrasje”.
Meqenëse tani është periudha e bërjes së bilanceve të këtij viti, që në përgjithësi ndryshojnë nga pozicioni se ku ndodhemi ne vetë, mendova që dhe ky shkrim të jetë një përpjekje shumë e lehtë për të folur pak për ato çështje që janë në interesin tim dhe për të cilat përpiqem të shkruaj herë pas here. Kjo ndoshta e bën pak përsëritëse të gjithë situatën, por mbaj mend që para disa vitesh, ndoshta 5 ose 6 vjet, kam bërë një shkrim mbi minatorët që vdisnin në Bulqizë dhe ndërkohë një shkrim të ngjashëm e bëra edhe para një viti, edhe para një muaji, sepse problemi vazhdon të mbetet i njëjtë: minatorët vazhdojnë të punojnë në kushte vdekjeprurëse (pavarësisht se sa e rëndë mund të duket kjo fjalë). Kështu që shumë çështje, për të cilat mund të kemi folur shumë, vazhdojnë të mbeten përsëri probleme, madje mund edhe të jenë rënduar shumë më shumë.
Meqenëse e nisa me problemin e minatorëve, do të duhej të shtoja që ndërsa unë po shkruaj këtë shkrim, dëgjova që një minator ka humbur jetën në një pjesëz miniere të privatizuar nga një firmë e huaj. Dhe, ja pra ku vijmë te thelbi i çështjes, që e pamë edhe kur minatorët e Bulqizës bënë një grevë urie 1400 metra nën tokë: privatizimi i egër i minierave, që i ka lënë punëtorët të pambrojtur dhe në kushte pasigurie të plotë. Ndërkohë që qeverive u ka interesuar vetëm të privatizojnë sa për të futur dhe ca para më shumë në buxhet, duke injoruar deri në maksimum pasojat që këto privatizime do të kishin për punëtorët. Dhe, ja ku është rezultati, minatorë që punojnë në kushte vdekjeprurëse, asnjë investim në miniera në mënyrë që të ndihmohej edhe zhvillimi i qytezave përkatëse si Bulqiza apo Laci, lajme periodike për humbje jetësh të minatorëve gjatë punës. Nëse në rastin e minierave privatizimin e egër dhe mungesën e mbrojtjes së punëtorë/eve e shohim të ilustruar me numrin e jetëve të humbura të minatorëve, në raste të tjera nuk e shohim dhe kaq qartë, po nëse e çojmë pak më thellë shikimin do të shikojmë që pasojat aty janë, ndonëse të padukshme në trup, sepse janë te mungesa e kontratës së punës, te pushimet nga puna sipas qejfit të pronarit (mundësisht kur kërkohet ndonjë përmirësim kushti në punë), te mungesa e kushteve të punës, te rrogat e padenja etj. etj. Por, ndërkohë, nuk është se kemi parë ndonjë protestë as madhështore dhe as modeste për këto çështje. Edhe pse, nga ana tjetër, të gjithë ne e kemi provuar në një mënyrë ose tjetër këtë pasiguri në punë. Por, me aq sa mbaj mend unë, këtë vit që shkoi është bërë një protestë më 1 maj, nga një grup i bashkuar të rinjsh studentë dhe punëtorësh, që ndërkohë që marshonin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" shikonin qytetarët që po shijonin ditën e pushimit. Ashtu sikurse nuk është bërë ndonjë protestë për vrasjet periodike ndaj grave dhe vajzave, që nuk kanë ndodhur vetëm këtë vit në fakt. Po këtë vit janë dukur si pak më shumë makabre. Dhe sa më shumë makabre të jetë një vrasje, aq më shumë e ngacmon reagimin e menjëhershëm të dikujt, që më pas shkon me vrap dhe ndez një qiri në bulevard. Dhe, pasi ka ndezur qiririn, kthehet në qoshen e vet duke zbatuar dhe riprodhuar pabarazinë. Ndërkohë që ka dhe organizime vjelljendjellëse të nxitura nga partitë, që mbledhin me zor një grup vajzash e grash dhe dalin të protestojnë në shesh. Por, vetëm për rastin makabër, kur një vajze të re iu pre koka. Dhe, pasi e mbarojnë protestën partiake, kthehen në vendin e punës, për t’iu bindur shefit/shefes dhe për të zbatuar patriarkinë.
Për vrasjet e tjera, “normale” që nuk na bëjnë më përshtypje, nuk është se dalim në protestë, por vazhdojmë jetën tonë “normale” deri në rastin tjetër makabër. Dhe, në Shqipëri gratë dhe vajzat dhunohen çdo ditë, shumë prej tyre fizikisht, por shumë më shumë jofizikisht. Dhe, kjo është dhuna më shqetësuese për një shoqëri, ajo që nuk shihet me sy dhe nuk ka copa gjaku nëpër trup, por ajo që ushtrohet nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve dhe, ç’është më e keqja, nëpërmjet mosveprimeve të shumicës prej nesh. Ashtu sikur ndodhi me grevën e urisë së ish të përndjekurve që u shoqërua gjithashtu me humbje jete. Për sa ditë ndodhte greva, u shkulëm të gjithë të flisnim për të drejtat e të përndjekurve politikë, ndërsa tani që mbaroi shumica prej nesh është kthyer në mikrojetën e vet të ngrohtë (ndoshta jo dhe aq, po kjo s’ka shumë rëndësi). Edhe nëse një grevë e tillë na paskësh qenë e organizuar nga ndonjë forcë politike, problemi është aty, është real, por fatkeqësisht shumica jonë nuk e sheh. Dhe, kjo është dhuna më e madhe që po përjetojmë në Shqipëri, ajo që nuk po e shohim, dhuna që jo detyrimisht na bëhet mbi trup, por ajo që përjetojmë çdo ditë nëpërmjet politikës nëpërmjet medias – që ka si rezultat shushatjen dhe mosveprimin tonë. Dhuna më e madhe që ne përjetojmë është ajo që na bën të shohim vetëm veten tonë dhe të mos mendojmë për të tjerët, duke harruar që nesër mund të jemi ne viktimat e radhës së një padrejtësie; është ajo që kur shohim një rast vrasjeje ose dhunimi në TV, në vend që të reflektojmë se pse ka ndodhur dhe si duhet të reagojmë kundër rasteve të tilla, na bën të themi “aman, ndërroje pak stacionin se na u shpif duke parë vrasje” – dhe me kaq e kemi mbyllur këtë kapitull; është ajo që kur flitet për të drejtat e punëtorëve ne themi “vetë do e kenë fajin, të bëjnë ç’të duan”; është ajo që kur shohim kronika të gjakmarrjes në TV themi “s’ka shtet prandaj” dhe rehatohemi në divan; që në rastin e një greve themi “e ka organizuar filan parti, aty të vuajnë maskarenjtë” duke e lidhur ekzistencën tonë më shumë me preferencat tona partiake, se sa me të mirën e komunitetit dhe shoqërisë ku jetojmë; dhuna më e madhe është ajo që do na bëjë të shqyhemi nëpër mitingjet partiake dhe të mos shqetësohemi dhe reagojmë për kushtet e tmerrshme nëpër spitale ose për mungesën e tavanit nëpër shkolla, edhe pse fëmijët tanë shkojnë në një shkollë me tavan e shumë e shumë të tjera.
Ka një shprehje që përdoret shpesh, sidomos kur bëhet fjalë për konventa etj., e cila i referohet dënimit dhe eliminimit të të gjitha formave të dhunës. Çështja është se nëse ne nuk reagojmë ndaj kësaj dhunës së padukshme, që është shumë më e fortë, por që kërkon dhe më shumë forcë për t'u luftuar, format e dukshme dhe fizike të dhunës do të vazhdojnë të jenë mes nesh dhe në fundvitin tjetër do të flasim përsëri po për të njëjtat probleme dhe në kushtet e të njëjtës dhunë.
Në të majtë apo në të djathtë?
Pse janë kosovarët pro Berishës
François Hollande , normali i këtyre kohëve anormale
Disa pyetje për Ju, z. Edward Joseph
Gjakova ime, si nëpërmjet lotëve!
Toleranca kritike
Krimet e luftës dhe EULEX-i
- Kryeministri japonez tenton t'ia kap prapanicën Merkelit, ndalohet nga Putini
- Plagosje me armë në Shkup
- Shkupjani i zhdukur gjendet i mbytur
- Ahmeti takohet me Zhernovskin, rivalin e partnerit të tij – Gruevskit
- Ajo shtatzënë me një tjetër, ai e rreh për të abortuar
- Vlora Çitaku, zyrtarja e parë e Kosovës në Serbi
- Pesë këshilla për të mbijetuar vapën tropikale
- Arta heq dorë nga muzika?
- Gazeta Express: Peci do të shkarkohej shkaku i takimeve sekrete me inteligjencën serbe
-
Erdogan: Falemenderit Shkupi për përkrahjen (FOTO+VIDEO)
- Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni u kthehen rrënjëve
- Pamje eksluzive të arrestimit të Sali Berishës
- Rrahje masive në Gostivar
- Intervista/ "Më thonë Branko Manojlovski, por unë jam shqiptar"
-
Berisha te “Zonë e Lirë”, Çani e kontrollon për antiplumb (VIDEO)
- Prapanica e Tunës(FOTO)
- Telefonon policinë sepse nuk i pëlqeu prostituta
-
Intervista/ Manajlovski: Si na kthyen në maqedonas, na thoshin kaurr


Share



















