Autostrada, borxhet dhe privatizimi i PTK-së
Shkruan: Fisnik REÇICA, Prishtinë
Buxheti i ri – problemet e vjetra
Buxheti i vitit 2013 do të jetë më i lartë se në 2012 për aq sa do të ketë rritje çmimesh. Fuqia reale e tij mbetet e njëjtë me atë paraprak. Megjithatë, ka diçka të re. Për herë të parë në historinë e Kosovës qytetarët e saj do të financojnë dy autostrada njëkohësisht. Fokusimi i shpenzimeve publike në një apo dy projekte të mëdha infrastrukturore kufizon seriozisht zhvillimin e sektorëve nga të cilët varet mirëqenia e qytetarëve. Me këtë qasje, Kosova edhe për disa vite do të ballafaqohet me deficit të lartë tregtar, papunësi të lartë, shëndetësi pa sigurim shëndetësor dhe arsimim pa hulumtim shkencor.
Politika fiskale paraqet armën kryesore të Qeverisë së Kosovës për të ndikuar në zhvillimet ekonomike në vend, ndërsa instrumenti kryesor i saj është buxheti i shtetit. Buxhetet vjetore gjatë dy mandateve të fundit të Qeverisë kanë reflektuar politikë fiskale ekspansioniste, e cila është orientuar kryesisht në zhvillimin e infrastrukturës. Projekte të mëdha dhe afatgjate si ai i autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetri, i planifikuar për vitet në vijim, që i dedikohet autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, kanë marrë rol kryesor në instrumentin më të rëndësishëm ekonomik në vend, me të cilin menaxhon pushteti. Autostrada e parë ka marrë jo më pak se rreth 40% të gjithë shpenzimeve kapitale vjetore, duke limituar seriozisht investimet në sektorët e tjerë. Edhe pse fokusimi në infrastrukturë gjatë tre viteve të fundit nuk e ka përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve dhe nuk ka sjellë rritjen e pritur ekonomike, rrugën e njëjtë po e ndjekë edhe buxheti i këtij viti.
Buxheti i vitit 2013 do të jetë më i lartë se ai në 2012 për aq sa do të ketë rritje çmimesh. Buxheti i aprovuar planifikon shpenzime prej 1.58 € miliard ose 4% më shumë se në 2012, ndërsa të hyra prej rreth 1.42 € miliard ose 2.8% më shumë se në 2012. Në vlerë nominale, është buxheti më i madh që Kosova ka pasur ndonjëherë, por në vlerë reale nuk ka ndonjë lëvizje të rëndësishme. Duke e marrë parasysh normën e inflacionit, duket se rritja e të hyrave kryesisht do të jetë nga ngritja e çmimeve të produkteve në tregjet e jashtme dhe ato vendore, të cilat rezultojnë me doganë më të lartë dhe rritje të hyrave nga mbledhja e tatimit në vend. Nga totali i të hyrave, 75% e tyre planifikohet të mblidhen në doganë, kurse pjesa tjetër nga mbledhja e tatimit në vend, strukturë kjo e ngjashme me vitin e kaluar. Megjithatë, në planin afatmesëm, Qeveria duket të jetë përkujdesur për një ndryshim të vogël kozmetik, ngase të hyrat nga mbledhja e tatimit në vend do të përbëjnë rreth 27% të të hyrave totale për vitin 2015. Ky ndryshim, me gjasë reflekton planet për rritje të efikasitetit të administratës tatimore në periudhat vijuese. Se a do të ketë rritje të efikasitetit ose vërtetim të supozimit mbi ndryshimet kozmetike, mbetet të shihet në vitet në vijim.
Sidoqoftë, rritjet e planifikuara në të hyrat buxhetore të këtij viti janë mbështetur kryekëput në rritjen e çmimeve. Fuqia reale e buxhetit mbetet e njëjtë me atë paraprake. Megjithatë ka diçka të re. Për herë të parë në historinë e Kosovës qytetarët e saj do të financojnë dy autostrada njëkohësisht. E para në përfundim, kurse e dyta në nisje. Shpenzimet kapitale marrin rreth 40% të buxhetit, prej të cilave 40% janë dedikuar për ndërtimin e autostradave. Këto investime nuke rrezikojnë stabilitetin financiar të vendit, i cili garantohet nga privatizimi i PTK-së dhe një seri borxhesh të reja gjatë viteve në vijim. Mirëpo, fokusimi i shpenzimeve publike në një ose dy projekte të mëdha infrastrukturore e kufizon seriozisht zhvillimin e sektorëve nga të cilët varet mirëqenia e qytetarëve. Me këtë qasje, Kosova edhe për disa vite do të ballafaqohet me deficit të lartë tregtar, papunësi të lartë, shëndetësi pa sigurim shëndetësor dhe arsimim pa hulumtim shkencor.
Në ndarjet buxhetore të vitit 2013 sektori i arsimit është peshuar me 2.4%, bujqësia, që shihet si sektor me potencial zhvillimor, është peshuar me vetëm 1.4%, kurse shëndetësia me 6.7%. Investimet në arsim në vazhdimësi janë fokusuar në ndërtimin e objekteve shkollore dhe aftësimin e mësimdhënësve si elementë të domosdoshëm për përmirësimin e kualitetit të mësimit. Ndërsa, kompjuterizimi i shkollave që synon të modernizojë sistemin arsimor në Kosovë, ka mbetur në harresë. Në nivelin akademik, mbështetja e hulumtimit shkencor është e padukshme në buxhetin e këtij viti. Zhvillimi i njohurive shkencore dhe profesionale pa dyshim është i lidhur ngushtë me zhvillimin e biznesit. Mungesa e njohurive të nevojshme për të dizajnuar procese më efikase të prodhimit, si dhe produkte më atraktive për tregun, bën që prodhimet kosovare të kenë aftësi të dobët konkurruese në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Rrjedhimisht, nuk pritet të ketë rritje të eksporteve dhe as të vendeve të reja të punës.
Planifikimi afatmesëm buxhetor zbeh shpresën edhe për jetësim të sistemit të sigurimit shëndetësor publik. Qeveria e Kosovës u ka dhënë prioritet projekteve infrastrukturore, për të lënë anash sektorët që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve. Në anën tjetër, është përkujdesur që buxheti 2013 ta rris mirëqenien e qeveritarëve, duke rritur shpenzimet për mallra dhe shërbime për rreth 10% në krahasim me vitin paraprak. Kurse, totali i pagave në sektorin publik në tre vitet e ardhshme është paraparë të rritet për rreth 3%, aq sa pritet të rriten të hyrat totale në buxhetin e vendit. Duke shpresuar që inflacioni këto tre vite të mos e kalojë normën prej 3%, fuqia reale e pagave dhe të hyrave në buxhetin e Kosovës në rastin më të mirë do të jetë e njëjtë me të sotmen, pa ndryshim.
Plani afatmesëm i shpenzimeve informon që Kosova gjatë tre viteve në vijim do të ndërtojë rrugë moderne dhe do të krijojë më shumë borxhe. Gjatë kësaj periudhe planifikohet të shpenzohen rreth 550 € milionë më shumë sesa të hyrat që do të arkëtohen nga dogana dhe administrata tatimore. Privatizimi i PTK-së, me gjasë, do të mbulojë gjysmën e këtij deficiti, kurse pjesa tjetër mbetet të mbulohet nga emetimi i letrave me vlerë ose borxhi i brendshëm. Rritja e borxhit publik pa e rritur potencialin e gjenerimit të të ardhurave vendore mund të shkaktojë kolaps ekonomik dhe financiar në të ardhmen. Vendit nuk i nevojitet stabilitet financiar duke u varfëruar, por zhvillim i qëndrueshëm përmes financimit të qëndrueshëm. Që kthimi i borxhit të jetë sa më i lehtë, investimet kapitale duhet të orientohen në projekte të cilat do të ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit mund të bëhet në bashkëpunim publiko-privat. Për të zvogëluar presionin në buxhetin e vendit, ky projekt i autostradës që premton kthim vetëm në periudhë afatgjate, do të ishte më mirë të financohet me kredi afatgjate nga institucionet relevante ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Derisa ky lloj financimi të bëhet i mundshëm, kosovarët nuk do të humbin shumë duke përdorur rrugët aktuale. Kjo do të mundësonte alokim të buxhetit në rritjen e cilësisë në shëndetësi, arsim dhe përkrahjen e prodhimit vendor, si kusht themelor për një mirëqenie më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Barrierist n’shehër
Edhe unë jam Kosovë, edhe unë dua komunë
Tre parimet e z. Ali Ahmeti
Zinahqarizimi i shqiptarëve të Maqedonisë
Të festuarit e dështimit dhe ''prapambeturia'' tetovare
Adem Karaga, “pronar” i teatrit Shqiptar!
Perceptimi Evropian dhe modernizmi
Paturpësia
- Vrasje në Saraj të Shkupit, humb jetën Shefket Latifi
- Zbulohet identiteti i 16 vjeçares që dje u hodh nga ura e lumit Vardar
- BDI - PDSH, mes ulurimës dhe tinzarisë
-
Terror në Londër/ “Betohem për Allahun se nuk do ndalojmë së luftuari me ju” - VIDEO
- Anulohet ndeshja Shkëndija-Teteks shkaku fyerjeve etnike
- Kritikja, Vildane Zeneli
- Arrestohet Sami Lushtaku
- Zgjedhjet në Shqipëri dhe shqiptarët e Maqedonisë!
- Nxënësit tetovar i dhanë përgjigjen më të mirë qeverisjes së BDI-së – FOTO
- Ali Ahmeti: Ku të shkoj BDI-ja nëse del prej Qeverie?!
-
Ja ç’i bën gazetari nga Kosova Arian Çanit - VIDEO
- Fotografi shokuese nga ditëlindja e Arian Çanit(FOTO)
- Kur do shajë vetveten Menduh Thaçi?!
-
Thaçi tetovarëve: E vërteta dhemb shumë! Ma dhanë votën 13.600 faqebardhë e çelikë(VIDEO)
- Vesh hixhabin nga kurreshtja, dhe konvertohet në Islam
- Protesta masive në Tetovë (FOTO)
-
Diellza Kolgeci në skena erotike (VIDEO + 18)
-
Thaçi: Ahmeti, Arifi dhe Besimi janë bijë UDBASH-ash(VIDEO)

Share



















