Identitet i disenjuar
Shkruan: Izaim MURTEZANI, Shkup
Sipas shembujve të Projektit "Shkupi 2014"
Një paradigmë e rëndësishme e projektit "Shkupi 2014", që komunikon me marrësin nëpërmjet gjuhës së përmendoreve të ngritura, fokusohet në logjikën e vazhdimësisë shtetërore dhe kombëtare maqedonase. Fillohet me përmendoren e Aleksandrit të Madh (por edhe babait të tij – Filipit), si bartës i shtetit të maqedonasve të lashtë, pastaj vijohet me përmendoren e Samoilit, si krijues i mbretërisë mesjetare dhe përmendoret e Goce Dellçevit dhe Dame Gruevit, si simbole që përfaqësojnë tentativën e krijimit të shtetit maqedonas kah fundi i shekullit XIX.
Në kohën e globalizimit pothuajse të gjitha qytetet e botës bëhen të ngjashëm ose uniformohen, kjo si rrjedhojë e ndërkombëtarizimit të kapitalit, teknikës dhe mënyrës së konceptimit të hapësirës urbane. Kjo ka ndikuar që objektet arkitektonike, në frymën e postmodernizmit, të çlirohen tejmase nga simbolika historike, duke afirmuar njëherazi konceptin që bazohet në “fundin e historisë”, dinamizmin nomad ose botën pa praninë e miteve provinciale ose lokale.
Prolog
Edhe Shkupi, në cilësinë e kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë, nuk ishte jashtë këtyre rrjedhave, por ai kohëve të fundit, veçohet me një tendencë krejtësisht të kundërt ose anakronike. Në fakt, pjesa më e frekuentuar e tij, siç është sheshi, i është nënshtruar një ndryshimi rrënjësor të pamjes së tij, sidomos në planin arkitektonik. Ky ndryshim i imazhit, nëpërmjet të të cilit krijohet krejtësisht një identitet i ri i sheshit të kryeqendrës sonë, i referohet jetësimit të projektit “Shkupi 2014”, i promovuar dhe financuar nga pushteti aktual i Maqedonisë. Përderisa objektet arkitektonike që janë ngritur në sheshin e këtij qyteti në të dyja anët e brigjeve të Vardarit, që lidhen me Urën e Gurit, nuk kanë zgjuar ndonjë debat edhe aq shumë të nxehtë në opinionin e këtushëm, përveç se janë cilësuar si objekte me stil retrogard (neoromantizëm, neoklasicizëm, neobarok), megjithatë kjo nuk mund të thuhet edhe për statujat ose përmendoret e shumta, të ngritura në këtë hapësirë publike, të cilat kanë nxitur reagime të ashpra, sidomos të shqiptarëve të këtushëm, historia e të cilëve është anashkaluar nga projekti në fjalë, por edhe të vendeve fqinje (Greqisë dhe Bullgarisë), të cilat akuzojnë për përvetësim të disa personaliteteve të tyre historike. Nëpërmjet statujave ose përmendoreve në fjalë, përkatësisht simbolikës së tyre, frymëzuesit e këtij projekti mëtojnë të sendërtojnë një identitet të ri të kombit maqedonas, duke filluar nga koha antike e deri më sot.
(Ri)konstruksioni identitar
Kalimi nga “koha e ideologjisë” në “kohën e demokracisë” që përkon me rënien e rendit socialist, nxori në sipërfaqe identitetet kolektive me të gjitha trajtat dhe veçoritë e tyre. Homogjenizimi i identiteteve të ndryshme në baza ideologjike gjatë kohës së ish-Jugosllavisë socialiste, arriti të ndrydhte promovimin dhe afirmimin e ndjenjave kombëtare. Andaj pas rënies së këtij sistemi ideologjik ndodhi “shpërthimi” i diskursit etnik (përfytyrime të reja, narracione, rituale, strategji kombëtare) me elemente të fuqishme të nacionalizmit, që rezultoi me përmasa tragjike në këtë rajon. Edhe Maqedonia, si shtet shumetnik, kaloi nëpër këtë periudhë tragjike, fatkeqësisht pa nxjerrë mësim nga pësimet e saja. Në frymën e këtij konstatimi është edhe jetësimi i projektit “Shkupi 2014”, i cili kontribuon dukshëm në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por edhe jashtë tij. Ky projekt, njëri ndër më të shtrenjtit në Maqedoninë passocialiste, mes tjerash, nëpërmjet përmendoreve që u referohen kinse figurave historike maqedonase, bën shenjëzimin etnik të kësaj epiqendre urbane, duke refuzuar logjikën e komunikimit ndëretnik e ndërkulturor si një shtyllë esenciale, mbi të cilën qëndron ky shtet, por edhe frymën e re që promovohet në Evropë në cilësinë e dialogimit mes kulturave të ndryshme ose “vorbullës dialoguese”, siç thotë Edgar Moreni.
Dihet se të gjitha statujat ose përmendoret, nëpërmjet simbolikës që transmetojnë, si pjesë përbërëse e hapësirës publike, ndoshta në mënyrën më të mirë e reflektojnë raportin ndaj kujtesës kolektive në një shoqëri. Përmendoret, në cilësinë e përfaqësimit të së kaluarës, njëkohësisht paraqesin mediumin më të rëndësishëm në drejtim të konservimit të historisë. Ato, njëherazi e shndërrojnë këtë të kaluar edhe në element të fuqishëm të bashkëkohësisë. Pra, projekti në fjalë mëton të arrijë këtë qëllim, por njëherazi edhe të sendërtojë një identitet maqedonas me rrënjë shumë të lashta dhe me një vazhdimësi të pandërprerë historike. Nëse, sipas autorit të njohur Hobsaun, si dhe shumë autorëve të tjerë, historia është konstrukt i llojit të vet ose krijesë imagjinare e elitës intelektuale dhe kjo në shumicën e rasteve, nuk i përgjigjet gjendjes faktike, atëherë mund të konstatohet se edhe në këtë projekt (pjesa e konstruksionit të historisë nëpërmjet përmendoreve) vërehet një logjikë e kësaj natyre. Konstruksioni i identitetit kombëtar maqedonas mëton të sendërtohet nëpërmjet disa paradigmave, si ajo e vazhdimësisë shtetërore, pastaj paradigma e popullit antik, ajo e territorit etj.
Paradigmat e konstruksionit identitar maqedonas
Një paradigmë e rëndësishme e projektit në fjalë që komunikon me marrësin nëpërmjet gjuhës së përmendoreve të ngritura, fokusohet në logjikën e vazhdimësisë shtetërore dhe kombëtare maqedonase. Fillohet me përmendoren e Aleksandrit të Madh (por edhe babait të tij – Filipit), si bartës i shtetit të maqedonasve të lashtë, pastaj vijohet me përmendoren e Samoilit, si krijues i mbretërisë mesjetare dhe përmendoret e Goce Dellçevit dhe Dame Gruevit, si simbole që përfaqësojnë tentativën e krijimit të shtetit maqedonas kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, ndërsa sikur përfundon me kohën pas Luftës së Dytë Botërore, të përfaqësuar me përmendoren e Çentos, si simbol i formimit të shtetit të ri – Republikës së Maqedonisë. Së këndejmi, rezulton se përmendoret kinse ndjekin logjikën shtetkrijuese maqedonase nëpër të gjitha periudhat e vazhdimësisë historike. Sipas projektit në fjalë, ishte paraparë të ndërtohet edhe një përmendore që i destinohet kohës më të re, përkatësisht të ashtuquajturve mbrojtës maqedonas (forcave të sigurisë së Maqedonisë), që humbën jetën në konfliktin ndëretnik në vitin 2001. Në të vërtetë, projekti në fjalë parashikon edhe ngritjen e disa përmendoreve të historisë shqiptare në funksion të zbutjes së pakënaqësisë shqiptare ndaj projektit në fjalë, por kjo nuk ia humb këtij projekti imazhin e një projekti monoetnik.
Pjesë përbërëse e projektit “Shkupi 204” janë edhe përmendoret që paraqesin simbole të emancipimit kulturor. Kështu, nëpërmjet përmendoreve – figurave të Kirilit dhe Metodit, paraqitet iluminizmi sllav, kurse gjithashtu nuk janë harruar edhe përmendoret e nxënësve të tyre, Klimentit dhe Naumit, të cilët me ikonografinë përcjellëse kishtare janë vendosur në anën e majtë të Urës së Gurit me shikim kah pjesa e vjetër e qytetit, siç është Çarshia. Ndërkaq, prania e përmendores së Karposhit, pastaj përmendorja dedikuar të ashtuquajturve gemixhinji, ndoshta mëtojnë të pasqyrojnë mitin e vetëflijimit të prijësve të kombit. Ky obsesion i ngritjes së përmendoreve dedikuar vazhdimësisë shtetërore dhe kombëtare maqedonase është motivuar nga nevoja e kombit maqedonas që të krijojë vertikalitetin e tij historik, por edhe t’u kundërvihet fqinjëve të vet, sidomos atyre bullgarë dhe grekë, që pretendojnë në posedimin e të njëjtave episode nga e kaluara e tyre historike.
Risi e këtij projekti, që e interpreton historinë nëpërmjet përmendoreve, duke e shndërruar sheshin e Shkupit në një mini-muze të vërtetë, është ndërlidhja e kombit të sotëm maqedonas me maqedonasit antikë. Kjo pjesë e historisë përfaqësohet me simbolin monumental të Lekës së Madh. Kjo figurë historike me 22 metra lartësi, e ngritur mu në sheshin e Shkupit dhe e vendosur mbi një platformë shatërvan, paraqet kinse “burim të pashtershëm” për inspirimin e gjeneratave të reja. Në anën tjetër të Urës së Gurit po ashtu është ngritur përmendorja monumentale e Filipit – babait të Aleksandrit. Këto dy përmendore janë më monumentalet dhe më reprezentativet në kuadër të projektit në fjalë. Te përmendoret reprezentative, sipas studiuesit Maoz Azaryahu, “domethënia e simboleve që i përfaqësojnë figurat historike vijnë në shprehje në mënyra të ndryshme: sipas numrit të përmendoreve që e bëjnë të përjetshëm një hero dhe sipas vendit ku janë ngritur ato. Veçmas heronjve më të rëndësishëm u ngrihen përmendore madhështore në sheshet kryesore dhe qytetet më të rëndësishme. Me vendosjen e përmendoreve të Filipit dhe Aleksandrit të Madh, rrumbullakohet kjo pjesë e narracionit historik që ka të bëjë me ndërlidhjen e maqedonasve antikë me maqedonasit e sotëm. Me këtë fakt, kreatorët e kësaj paradigme, përdëftojnë se maqedonasit e sotëm kanë të drejtë në “përvetësimin” e elementeve nga paraardhësit e tyre (maqedonasit antikë), në këtë drejtim, edhe të emrit të tyre që kontestohet nga Greqia. Njëherazi thirrja në kohën antike ose në “kohën e artë”, sipas studiuesit të njohur Smith, nënkupton çdoherë ndjelljen e krenarisë dhe dinjitetit të dikurshëm kolektiv kundruall degradimit momental, që i bëhet një bashkësie të caktuar etnike, në rastin konkret asaj maqedonase.
Kulla e Babelit
Nga të gjitha faktet e cekura më lart, që ndërlidhen me profilizimin e identitetit maqedonas në bazë të simboleve që rezultojnë nga përmendoret e ngritura në sheshin e Shkupit, mund të konstatohet se historia është konstrukt intelektual, i cili me ndihmën e përmendoreve konkretizohet si pjesë e botës së përditshme kohore-hapësinore. Duke iu referuar këtij problemi, studiuesja e njohur Aleida Asman pohon se përmendoret, por edhe kalendari i festave, në shekullin XIX bënin pjesë në mediumet më të rëndësishme të aktiviteteve në funksion të kujtesës kombëtare. Përmendoret, përkatësisht simbolet me mesazhe mitike, i adresohen unit më intim, atëherë kur grupet ose bashkësitë e caktuara, ndodhen në gjendje të një krize të thellë ose në gjendje të tranzicionit problematik. Së këndejmi, rezulton se çdo rrethanë e re e kushtëzon edhe ndryshimin, përkatësisht rikomponimin e së kaluarës, me qëllim që ky ndryshim t’i shërbejë çastit aktual. Se çfarë do të jetë përzgjedhja e episodeve të së kaluarës, varet gjithsesi nga qëllimet që një bashkësi e caktuar ose elitat e saja politike i parashtrojnë kundruall së ardhmes, përkatësisht problemeve aktuale. Elita politike, e mishëruar në pushtetin e tanishëm maqedonas, nëpërmjet projektit në fjalë, mëton të përcjell mesazhe etnocentrike, jo vetëm ndaj popullatës shqiptare në Maqedoni, por edhe më gjerë. Nga ana tjetër, është i njohur fakti se manipulimi me simbolet është çdoherë një armë e fuqishme e veprimit politik. Eksploatimi politik i kujtesës ose memories është një dukuri tanimë e njohur, andaj çdo ideologji shërbehet me këtë, nënkuptohet në funksion të legjitimimit të saj. Prandaj kujtojmë se me të drejtë studiuesja Asman konstaton se “pushteti ka nevojë për origjinën ose rrënjët e kombit”, pasi me këtë e përforcon pozicionin e tij në skenën politike, sidomos këtu në Ballkan, ku lojërat me identitetin etnik edhe më tej janë përfituese. Nxitja e dukurive të mitologjisë regresive dhe ideologjive, pastaj nativizmit dhe kthimit kah “rrënjët”, është prodhim edhe i gjendjes pa shtegdalje të elitës politike, e cila duke pasur drojë nga e ardhmja (nevojës së kompromisit rreth emrit) i kthehet së kaluarës, në shtratin e së cilës ndihet më e sigurt. Edhe studiuesi Zhirarde thekson se mitet fillojnë të paraqiten në çastin kur në vetëdijen kolektive paraqitet një lloj rezistence me identifikimin e gjendjes ekzistuese. Kjo gjendje konsiderohet si e dyshimtë, armiqësore e kështu me radhë, andaj sfidohet, në aspektin psikologjik, nëpërmjet kthimit në fëmijëri (lexo histori). Elita e tanishme pushtetmbajtëse maqedonase, nëpërmjet miteve, riteve, simboleve etj., mëton të kontrollojë hapësirën (siç është rasti me sheshin e Shkupit), por edhe kohën (siç është rasti me kalendarin e festave). Këto janë instrumente demagogjike të prodhuara nga nevoja e përforcimit të legjitimitetit.
Ndërkaq, orientimi i kulturave dominuese kah simbolet që ndërlidhen me të kaluarën, i cyt gjithsesi edhe bashkësitë e tjera etnike që t’i kthehen së kaluarës, pasi, sipas definicionit të studiuesit Comaroff, etniciteti i ngjason Janusit – perëndisë romake me dy koka, i cili në çastin kur e thekson “unin” kolektiv, e injoron një “tjetër” kolektiv. Si rrjedhojë, projektet e tilla monoetnike paraqesin kërcënim serioz për bashkëjetesën e bashkësive shumetnike. Në bashkësitë e tilla, konsideron studiuesi Fraser, dallimet kulturore mund të shfaqen në mënyrë demokratike vetëm në bazë të barazisë shoqërore, përkatësisht të kultivohen ato divergjenca, që çojnë kah sforcimi i demokracisë, kurse të shmangen ato divergjenca që rrezikojnë mirëqenien e identiteteve kolektive. Pra, përderisa identiteti i përbashkët në shtetet monoetnike prodhohet nga historia e përbashkët, gjuha, religjioni dhe elemente të tjera, ky identitet në shtetet shumetnike është burim i ndarjeve dhe plasaritjeve. Që të shmanget kjo, identitetet kombëtare duhet t’u përshtaten rrethanave e assesi të asgjësohen. Njerëzit e grupeve të ndryshme kombëtare do ta përkrahin një shoqëri të përbashkët, nëse e perceptojnë atë si një kontekst në të cilin mund ta kultivojnë identitetin e tyre kombëtar, e jo të jenë të anashkaluar, veçmas nga përmbajtja e projekteve serioze që reflektohen në marrëdhëniet ndëretnike të një shteti. Historiani i njohur botëror Smith thotë se e kaluara mund të jetë një barrierë e theksuar në sendërtimin e një kombi. Kjo ndodh atëherë kur në vend të promovimit të një nacionalizmi me prapavijë qytetare, si një faktor koheziv të një shoqërie që do të tërhiqte edhe etnicitete të tjera, ofrohet një e kaluar me prapavijë monoetnike.
Epilog
Në këtë hapësirë të Ballkanit edhe më tej prodhohet histori, edhe më tej e kaluara ofrohet si alternativë e vetme e së ardhmes. Antropologu gjerman Klaus Rot me të drejtë në një libër të tij thekson se orientimi kah e kaluara dhe kulti i të parëve, heroizmi mashkullor, mentaliteti klanor, si dhe sistemi i vlerave dhe normave tradicionale, janë brumosur thellë në mendësinë e pjesës dërmuese të popullsisë së Ballkanit. Diskursi i së kaluarës, përkatësisht formësimi i imazhit të armikut, krijon një barrierë tejet të madhe në integrimin dhe besimin e popujve të përkatësive të ndryshme etnike dhe fetare. I kësaj natyre është edhe projekti në fjalë. Studiuesja Teresa Caldeira, në një punim të saj destinuar qytetit Sao Paolo, flet për modelin e ri të segregacionit urban në baza sociale, përkatësisht me enklava të fortifikuara ose hapësira të veçanta, të ndara me gardh telash gjemborë mes shtresave të pasura dhe të varfra. Ndoshta, në një trajtë tjetër, por gjithsesi më të sofistikuar, edhe projekti "Shkupi 2014", përkatësisht semantika e sforcuar e etnizimit të sheshit të tij, mëton të vulosë segregacionin ndëretnik, por edhe ndërsocial mes qytetarëve të anës së majtë dhe të djathtë të Vardarit. Sipas narracionit të mitit grek, që ndërlidhet me Orfejin, ky i fundit do ta humbiste njëherë e përgjithmonë të dashurën – bashkëshorten e tij, që duhej ta kthente sërish në jetë, por nga bota nëntokësore ose e vdekjes, me kusht që mos ta kthente kokën prapa dhe ta shikonte atë. Ai e donte tejmase atë, andaj e ktheu kokën prapa, por e humbi njëherë e përgjithmonë. Kjo simbolikë e këtij miti, ndoshta, flet më së miri se dashuria e skajshme ndaj së kaluarës me siguri e cenon të tanishmen, por gjithsesi edhe të ardhmen.
Barrierist n’shehër
Edhe unë jam Kosovë, edhe unë dua komunë
Tre parimet e z. Ali Ahmeti
Zinahqarizimi i shqiptarëve të Maqedonisë
Të festuarit e dështimit dhe ''prapambeturia'' tetovare
Adem Karaga, “pronar” i teatrit Shqiptar!
Perceptimi Evropian dhe modernizmi
Paturpësia
- Xhami në "Allianz Arena", fillon gara për Imam
- Krasniqi: Zoti e drejtoftë Kadarenë që të mendoj drejtë për shqiptarët muslimanë !
-
Diellza Kolgeci në skena erotike (VIDEO + 18)
- Gruaja e Baldwin i “harron” të mbathurat
- Zbulohet identiteti i 16 vjeçares që dje u hodh nga ura e lumit Vardar
- Anulohet ndeshja Shkëndija-Teteks shkaku fyerjeve etnike
- Shtatzënë dhe krenare
- Zajmina “reklamon” pjesët seksi te trupit
- Zgjedhjet në Shqipëri dhe shqiptarët e Maqedonisë!
- Ali Ahmeti: Ku të shkoj BDI-ja nëse del prej Qeverie?!
-
Ja ç’i bën gazetari nga Kosova Arian Çanit - VIDEO
- Fotografi shokuese nga ditëlindja e Arian Çanit(FOTO)
- Kur do shajë vetveten Menduh Thaçi?!
- Vesh hixhabin nga kurreshtja, dhe konvertohet në Islam
-
Thaçi tetovarëve: E vërteta dhemb shumë! Ma dhanë votën 13.600 faqebardhë e çelikë(VIDEO)
- Protesta masive në Tetovë (FOTO)
-
Thaçi: Ahmeti, Arifi dhe Besimi janë bijë UDBASH-ash(VIDEO)
- Tv Sitel nacional anti-shqiptar publikon hartën e "Maqedonisë së Madhe" përfshihen territore të Kosovës dhe Shqipërisë (FOTO)

Share



















