Gënjen Delli apo e fsheh të vërtetën Surroi!

Fillimi | Opinione | Gënjen Delli apo e fsheh të vërtetën Surroi! | Add to Facebook Share
image

Koment nga Almakos

Kur flet ai, burrështetasit e Kosovës heshtin. Kur qesh ai, atyre iu kthehet shpirti. Kur mërrolet, ata duan të hyjnë në vrimë të miut. Ai ka një emër, shkurt e thërrasin “Dell”!

Në Kosovë, përnjëherë lajmet ditore mbetën nën hijen e pushtetit të padiskutueshëm të njeriut i cili ka qenë një ndër figurat më të përfolura gjatë qeverisë “Thaçi 1” dhe “Thaçi 2”, ambasadorit amerikan, Kristofer Dell. 

As lajmi për dorëzimin e presidentit serb, Tomisllav Nikoliq, i cili deklaroi se e ka humbur Kosovën, e as ngjarjet e tjera ditore nuk munden ta rrëmbejnë primatin e “top temës” në Kosovë, pas intervistës së  Kristofer Dell.

Në fund të mandatit të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan, mbase ia ka bërë nderin më të madh mikut të tij të pazëvendësueshëm, kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit. 

Në një intervistë, Dell deklaroi atë që mbase nuk do të kishte forcë ta zbulonte as Uikilliksi i famshëm. Sulmoi në mënyrë të paprecedentë, ashtu siç nuk mbahet mend ta ketë bërë ndonjë ambasador i ndonjë shtetit më parë, njërin nga publicistët më me emër në Kosovë, Veton Surroin. 

Me një fjalor që përçonte përbuzje, ambasadori amerikan deklaroi: “Një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur, duke qenë dëshmitar i tij, ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para Kryeministrit duke e lutur atë që ta bëjë President. Dhe kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo fillim të nëntorit të vitit 2010”.

Madje, nuk e ka lënë më kaq! Ambiciet e Veton Surroit, sipas ambasadorit amerikan në largim, kanë tejkaluar edhe caqe të tjera.

“Gjatë asaj periudhe kohore, z. Surroi e ka pasur edhe një bisedë me Behgjet Pacollin, të cilit i ka thënë se do të bëjë gjithçka brenda mundësisë për ta shkatërruar atë. Së pari ndaj Pacollit, e më pas ndaj Jahjagës – kjo ka qenë një politikë konsistente redaktuese e gazetës së z. Surroi. Natyrisht, e tërë kjo është mbështjellë me pretendime për parime, përkushtim ndaj demokracisë dhe lirive, e gjëra të ngjashme, por në të vërtetë krejt kjo ka të bëjë me aspiratën e Vetonit për t’u bërë vetë President dhe për manovrimet e tij për ta siguruar përkrahjen e LDK’së për kandidaturën e tij”, ka deklaruar Dell, i cili ankohet se ka qenë pikërisht kjo ëndërr e parealizuar e Surroit ajo që ndikoi të sulmohet edhe ai personalisht nga grupi Koha.

Sulme të tilla të Kristofer Dell, gjatë mandatit të tij si ambasador i SHBA – ve në Kosovë, ka pasur edhe në të kaluarën ndaj grupeve të caktuara, të cilat çuditërisht bashkohen në një pikë me qëndrimet e Veton Surroit – janë kundërshtare të hapura dhe pa kompromis të kryeministrit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit.

Dell, kohë më parë, duke komentuar protestën e Lëvizjes “Vetëvendosje”, lidhur me marrëveshjen e arritur për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale, pati deklaruar se kjo lëvizje në shumë forma më tepër është në linjë me Serbinë, sesa me Kosovën.

“Vetëvendosje, sikurse Boris Tadiqi, më tepër dëshiron ta shohë Shqipërinë e Madhe, sesa Kosovën e pavarur. Kjo për mua është shokuese”, kishte sulmuar asokohe haptazi diplomati amerikan.

Madje, ambasadori Dell, i vetëdijshëm për simpatinë e kosovarëve ndaj Amerikës dhe për fuqinë që e gëzon duke qenë përfaqësues i një shteti ndaj të cilit kosovarët gëzojnë respekt të veçantë, nuk pat ngurruar edhe partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ta shpallë si parti antievropiane dhe antiamerikane. 

Por, derisa lëvizja Vetëvendosje morri guximin t’i kundërpërgjigjet haptazi, LDK – ja e Isa Mustafës i futi “veshët në lesh” dhe e bëri atë që din ta bëjë më së miri gjatë tërë kohës si opozitë – e mbylli gojën. 

Megjithatë, akuzat e ambasadorit amerikan për sedërndjeshmin, Veton Surroi, nuk mund të kalonin në heshtje. Në reagimin e tij ai i shpall totalisht të pavërteta dhe thashetheme pretendimet e diplomatit amerikan. Madje, pretendon se e vërteta është krejtësisht e kundërta.

“Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të Ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem President pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut”, thotë Surroi, derisa Dell ka thënë se ky takim është realizuar me kërkesën e Surroit.

 “Nuk ka pasur kurrfarë zvarritje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e Ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. (Kurse) Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”, ka thënë Surroi, në reagimin e tij.

Se kush krijon thashetheme e kush e thotë të vërtetën në këtë rast, mbase më së miri do ta dëshmojë e ardhmja. Mirëpo një gjë tashmë është dëshmuar prej moti: derisa në Kosovë ka kaq shumë sahanlëpirës, ata shumë lehtë do t’i kontrollojë ai që e mban lugën!

Për Kristofer Dell, Kosova mbeti një “zarf” i vogël ku fshihen sekrete të mëdha! Ndërsa, të tjerëve mbase ua ka kujtuar thënien se “Pushtetit absolut të shndërron në diktator”./Almakos

 

 

 

 

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS