Individi apo shoqëria; bashkimi, sfidë e radhës për shqiptarët

Fillimi | Opinione | Individi apo shoqëria; bashkimi, sfidë e radhës për shqiptarët | Add to Facebook Share
image

Mustafa BAJRAMI

Në këtë kohë kur shqiptarët po ballafaqohen me probleme të ndryshme por edhe me përpjekje për të tejkaluar pengesat për mirëqenie sociale, realizimi i idesë për bashkim kombëtar nuk është i lehtë por as i pamundur. Politikat ditore në raport me këtë ide kanë kaluar nëpër etapa të ndryshme të cilat nuk do të mbesin pa u kritikuar. Është një ndjejnë se bashkimi i shqiptarëve dalëngadalë po realizohet. Përderisa qeveritë e të dy shteteve tona, me sa duket po bëjnë përpjekje për të ecur përpara në këtë drejtim, tendencat që po kundërshtojnë bashkimin eventualisht mund të zbehen me zgjedhjen e një presidenti, çoftë edhe simbolik,  për gjithë shqiptarët.

Të mençurit dinë se jetën e udhëheqë një rregull i përsosur i harmonisë së pashembullt. Sikur mbretëria e natyrës edhe shoqëria njerëzore i ka ligjet e veta. Mes tyre ekziston një dallim i vetëm; tek e para ato janë të përjetshme dhe të pandryshueshme ndërsa tek e dyta ndryshojnë, prej kohës në kohë dhe në rrethana të caktuara..

Njëri ndër principet themelore të natyrës është ligji i bashkimit. Edhe pse nga forma e jashtme duket se është ndryshme dhe e llojllojshme, në esencë, natyra është një dhe unike. Harmonia që e përshkon ekzistencën është rezultati i ligjit të bashkimit për të cilin shkenca dhe filozofia dhanë mendime nga më të ndryshmet. Vajted (Whitehead) shkruan se bota është e krijuar në atë mënyrë që nëpërmes procesit të vazhdueshëm, sendet bashkohen mes vete.

Ptolemeu, Koperniku dhe të tjerë mbështesin idenë e bashkimit në natyrë. Sipas tyre, trupat qiellorë janë të lidhura me njëri tjetrin dhe bashkërisht notojnë në hapësirë. Ligji i gravitetit i zbuluar nga natyralisti i famshëm Njutni (Newton) është edhe një dritë më shumë mbi atë se gjërat “janë” vetëm të bashkuara. Edhe trupat qiellorë lëvizin dhe mbahen mes vete nëpërmes ndërlidhjes fizike të brendshme që edhe ata, të bashkuar të mbijetojnë jetën e tyre.

Struktura e ekzistencës materiale nuk është hiq më pak i rëndësishëm edhe tek njerëzit. Bota jonë sikur edhe ajo materiale udhëhiqet prej ligjeve të shoqërorizimit pa të cilat jeta njerëzore nuk do të kishte kuptim. Mësimi i Aristotelit se në njeriun ekziston ndjenja për bashkim (instinkti social) dhe pohimi i kundërt me te i Hobes se njeriu është qenie plotësisht egoiste e cila ka vetëm një instinkt (instinkti i vet-ekzistimit) janë dy nga shumë teori filozofike që flasin për njeriun si qenie sociale. Edhe pse sipas këtij të fundit “Bellum umnium contra omnes “ (Të gjithë në luftë kundër të gjithëve) është ligj i jetës njerëzore, rrugëdalja nga përkufizimet tejet të ashpra të tij është në përdorimin e arsyes e cila thërret në bashkim. Arsyeja është ajo që na mëson si të gjejmë mundësitë për të jetuar së bashku më shumë se sa të jemi në luftë të vazhdueshme mes vete. Arsyeja e shëndoshë zbulon ligjin moral si ligji më fondamental i jetës së njeriut. Që të realizohet kjo, thoshte al-Gazali, individi duhet të “lëshojnë pe” në dobi të interesit shoqërorë. Ai duhet ti nënshtrohet kontratës së përgjithshme për të jetuar në bashkësi.  Nga historia kemi mësuar se njeriu mund të mbijetojë vetëm si pjesë integrale e bashkësisë, dhe sa më e madhe të jetë ajo aq më lehtë e ka njeriu. Familja si bashkësia më e vogël, pastaj shoqëria, shteti, ligat e ndryshme dhe nga andej ideja e kozmopolitizmit janë fryte të inercionit social pa të cilin njeriu nuk do të quhej njeri.

Feja, cila do qoftë ajo është një instrument shumë i rëndësishëm në shërbim të idesë për bashkim mes njerëzve. Feja përçanë dhe mund të jetë e dëmshme atëherë kur predikuesit e saj, për interesa të ndryshme keqinterpretojnë atë. Ajo i dedikohet njeriut dhe për njeriun është reveluar. Islami, parimet e të cilit janë në përputhje me instinktet themelore të natyrës së njeriut hetoi rëndësinë e bashkëjetesës dhe shpalli për dogmë të veten bashkimin njerëzor por gjithnjë duke ruajtur peshën e individit në shoqëri. Individi, edhe si i vetëm, po si pjesëzat që formojnë tërësinë, ka peshën e vet sa edhe universalja e formuar nga partikulare të panumërta. Kurani në mënyrë të theksueshme promovon relevancën e individit. “Kush vret një njeri, është sikur të vras gjithë njerëzimin”.

Shoqëria jonë mund të mësojë nga përvoja e bashkësisë së parë islame e themeluar mbi parimet hyjnore dhe e cila vetëm për disa decenie arriti të bëhet udhëheqëse e një  pjese të madhe të botës. Ajo mund të marrë mësime edhe nga përvojat e civilizimeve tjera, mjafton që ato përvoja të vihen në shërbim të shoqërisë shqiptare. Kur ekziston vullneti për tu bashkuar, vëllazërimit, dashurisë, mirëkuptimit si atribute me vlera të përjetshme, nuk mund asgjë t’iu del përpara. Perandoritë e fuqishme bizantine dhe persiane kapitulluan para vullnetit të hekurt të atij numri të vogël myslimanësh që ishin të lidhur mes vete sikur “tullat e një ndërtese”. Për një kohë të shkurtër edhe Kina dhe India u bënë pjesë e  shoqërisë myslimane ndërsa një numër i madh i popujve ruajtën fetë e tyre. Me rëndësi ishte themelimi i shoqërisë në të cilën të gjithë, pa dallime të ndjeheshin pjesë përbërëse të shoqërisë myslimane. Ishin të kota përpjekjet e botës destruiktive të atëhershme në pengimin e përhapjes së bashkimit njerëzorë. Bashkëjetesa mes njerëzve ishte alfë dhe omegë e liderëve politik-fetarë të asaj kohe dhe jo vetëm e tyre.

Nëse faktet shkencore mbi ligjet e natyrës në të cilën entitetet tërhiqen mes vete dhe mbajnë raporte reciproke me njëra tjetrën, dhe nëse rrjedhat sociale flasin në favor të bashkimit mes njerëzve në shoqëri, atëherë edhe shqiptarët duhet të punojnë më shumë për krijimin e një “perandorie shpirtërore-kulturore” e cila do ti paraprinte bashkimit fizik të shqiptarëve. Ligjet e natyrës së bashku me ato të shoqërisë janë argumente të mjaftueshme për të zotët e mendjes të thërrasin në bashkimin tonë. Me gjithë rëndësinë e politikës dhe politikanëve, kur është fjala për nevojën dhe iniciativat për bashkim, profilet tjera të shoqërisë nuk bënë të margjinalizohen deri në atë masë sa politika të jetë forca e vetme që duhet të kryente procesin kaq shumë të nevojshëm për njerëzit e këtij nënqielli. Ku janë intelektualët, akademikët, shkencëtarët e ku është elita kombëtare jona? Ku është ndërgjegjja e teologëve fetë e të cilëve janë zbritur për të bashkuar njerëzit e jo të sulmohen të tjerët vetëm pse nuk janë të fesë së tyre? Individët të cilët frenojnë ambiciet tona për bashkim, për prosperitet dhe për të qenë pjesë e familjes botërore, nuk duhet lejuar të jenë përcaktorët e së ardhmes sonë kombëtare. As historia nuk duhet të jetë pjesë studimore e vetëm historianëve. Vazhdimisht potencojmë faktin se asaj duhet ti qasen gjitha profilet e shoqërisë, të analizohet historia, secila faqe e saj dhe në fund të vihet me konkludime të nevojshme për të ardhmen tonë.  Kuptohet, kjo punë nuk është e lehtë për tu bërë, por nuk është e pamundur. Vullneti jonë duhet të jetë bazë, ndërsa përpjekjet tona të sinqerta muret e ndërtesës në të cilën së bashku duhet jetuar.

Për të lehtësuar integrimin e shoqërisë dhe bashkimin kombëtar, mendoj se duhet ti kemi parasysh dy momente shumë të rëndësishme.

Në këtë kohë kur kufijtë gjeografik por edhe kulturorë janë vetëm sa për të kufizuar përgjegjësitë e qeverive në Evropën e Bashkuar, nacionalizmi dhe format tjera ekstreme shoqërore mund të jenë të dëmshme për shqiptarët. Zhurma në rritje rreth fesë, për te dhe kundër saj mund të jetë një shkaktare, për momentin ndoshta e padukshme për ngecjen tonë të gjithëmbarshme. Promovimi i feve në dëm të njëra tjetrës kombin tonë mund ta qesin në pozita të palakmueshme, mbase edhe të dëmtojnë integrimin e shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër, edhe përpjekjet për degradimin e fesë dhe zbehjen e rolit të saj në shoqëri po shkaktojnë pakënaqësi të cilat prodhojnë domino efekte negative. Teologët gabojnë nëse promovojnë fenë e tyre duke nënçmuar tjetrën, nëse promovojnë panislamizmin apo, nëse grupimi tjetër vazhdon promovimin e tendencës mjaftë të rrezikshme për kthim kah e kaluara e krishterë dhe sulmet shumë herë të pabaza mbi fenë në përgjithësi. Të gjithë ata që flasin me gjuhën e urrejtjes ndaj njëri tjetrit, në fakt, me vetëdije apo pa te janë shërbëtorë të interesave të huaja, por jo të shqiptarëve. Gjithashtu, edhe ndarja në fraksione që kanë marrë hov kaq shumë në proveniencën islamike është e dëmshme për nënqiellin tonë. Duhet kuptuar se ndasitë mes tyre forcojnë ndikimin e të tjerëve mbi ne por jo rolin tonë mbi të tjerët. Muslimanët janë dëmtuar shumë nga ndarjet nëpër kaq shumë shkolla juridike dhe apologetike. Edhe pse kuptojmë arsyen, shkakun dhe nevojën e përhapjes së atyre shkollave, ne jemi të vetëdijshëm edhe për rrezikun që mund të na kanoset nga ato. Është absurde që në një shoqëri sa jemi ne në numër, të kemi kaq shumë parti politike dhe kaq shumë rrymime fetare dhe ideologjike. Shqiptarët nuk mund t’i përballojnë gjitha këtyre rrymimeve, partive, frakcioneve e medhhebeve. E pamë këtë edhe në zgjedhjet e fundit lokale ku shumë parti apo lëvizje qytetare, në mungesë të kuadrove dhe emrave të profilizuar promovonin njerëz që as për së afërmi nuk mund të kryejnë obligimet politike aq më pak të jenë kontribuues me ide dhe veprimtari të bereqetshme.

Është në interesin tonë shoqëror dhe politik të integrojmë një ide të përgjithshme dhe të vetme për gjithë kombin. Do të ishte e tepërt të numëroheshin humbjet që janë shkaktuar si rezultat i zënkave dhe konflikteve mbi baza fetare, nacionale dhe ideologjike edhe këndej në truallin ku jetojnë shqiptarët. Promovimi i idesë për një president i cili do të ishte bartës i bashkëjetesës gjithëshqiptare, mund të ishte një faktor shumë i rëndësishëm që do të kontribuonte në realizimin e mundshëm për bashkimin kombëtar. Kësaj ideje duhet ti paraprijë vullneti i hekurt dhe i cili, domosdo kërkon përgatitjen tonë shpirtërore, kulturore, emancipuese dhe ekonomike. Analizat e stërzgjatura të cilat zakonisht përfundojnë në dyshime për mundësinë e realizimit të ideve, duhet ndryshuar me nijetin tonë për të qenë të bashkuar. Dhe, nisur nga principi fetar “ti eja pëllëmbë-pëllëmbë e unë të vijë hapa-hapa” marr guximin të shpreh bindjen time se po dashtëm, nuk do të ketë forcë që na ndalon në realizimin e nevojës tepër të madhe për të qenë të bashkuar. E gjithë kjo mund të realizohet me një kusht; të lihen mënjanë interesat e ngushta politike të njerëzve që janë kundër dhe fitojnë duke qenë të tillë, ose që nuk veprojnë sepse humbin nëse veprojnë dhe që fitojnë nëse vetëm flasin.

tav
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS